50-vjetori i Estrades se Fierit

Në 50-vjetorin e Estradës së Fierit

Estrada profesioniste e Fierit mbushi dje 50 vjet. Një ngjarje e shënuar historike, artistike, jo vetëm për artdashësit fierakë, por edhe për gjithë ata që janë ushqyer me humorin, që ka buruar nga kjo estradë. Estrada e Fierit, historia e saj, personazhet në jetë dhe në skenë, artistët e talentuar, shkrimtarë, dramaturgë të shquar, muzikantë, skenografë, drejtuesit dhe punonjësit, që kanë punuar një jetë në këtë skene, kanë ç’të tregojnë për 50 vitet e këtij institucioni. Me këtë rast u zhvillua dje simpoziumi “50 vjet me humorin fierak”, ku referuesit, si drejtori i Teatrit “Bylis”, Robert Hoxha, ish- drejtori i parë i Estradës së Fiert, Thoma Meçe, si dhe të ftuar të të tjerë, dëshmuan se kjo estradë tashmë nuk i përket vetëm Fierit, por mund të quhet një pasuri kombëtare. Estrada e Fierit u ngrit si një trupë profesioniste në 25 maj 1957 me 14 aktorë, këngëtarë dhe instrumentistë. Premiera e parë titullohej “Satirë, humor, muzikë”. Ndër shfaqjet që kanë lënë mbresa tek publiku i kohës, 25 vitet e para të veprimtarisë së saj kujtohet “Thumbojmë e pastrojmë”, “Nëpër fletët e historisë”, “Gaz pranveror”. Kjo e fundit u vlerësua me çmimin e parë në takimin e estradave profesioniste në vitin 1963. Në shfaqjet e tjera të suksesshme si “Xha Llazi midis nesh”, “Gatishmëria”, “Punojmë dhe vigjëlojmë”, “Objektivi”, “Midis jush”, “Çobo Rrapushi me shokë” në vitin 1980, etj, në të cilat Estrada e Fierit stigmatizoi dukuri negative në marrëdhëniet e punës, ato në familje, nga jeta në fshat dhe përpjekja për emancipim. Spikatën skeçet “Do martojmë Malon”, “Doni më për Belulin”, “Canes i vodhën lopën”, etj. Me kohë, Estrada e Fierit u kthye në një trupë model. Ishte krijimtaria humoristike e penave të njohura si Dritro Agolli, Pëllumb Kulla, Dionis Bubani, Tasim Aliaj, Niko Nikolla, e shumë të tjerë, që i rritën vlerat kësaj estrade. Por pa harruar Punën e aktorëve të talentuar si Luftar Paja, Artist i Popullit, Fuat Boçi, Arqile Lipe, Todi Llupi, Artistë të Merituar, si dhe Xhulieta Kulla, Vasil Vasao, Sotir Stefa. Tipar dallues në estradën e Fierit ka qënë shrytëzimi i skeçeve të gjata në formatin e komedive të shkurtra. Sipas aktorëve Luftar Paja dhe Fuat Boçi, estrada e Fierit gjatë këtyre 50 vjetëve ka patur vështirësi, pengesa, por dhe suksese dhe maja. Në ditën e parë të festës së 50- vjetorit, u promovuan tre vëllime me krijimtarinë e autorit, emblemës së humorit fierak dhe kombëtar, regjisorit, shkrimtarit, dramaturgut dhe publicistit, Pëllumb Kulla.

Shekulli

Fier, festohet 50-vjetori i Estradës Profesioniste

"50 vjet Estrada profesioniste e Fierit". Pikërisht për këtë ditë shumë artistë, pushtetar dhe deputetë janë takuar në sallën e Teatrit Bylis për të festuar këtë ditë të shënuar për artin fierak. Të gjithë kanë kujtuar ditën e ngritjes së trupës profesioniste dhe kanë sjellë momente dhe copëza kujtimesh nga kolegë, aktorë apo regjisorë kryesisht ata që nuk jetojnë më. Fjalën e hapjes e ka mbajtur drejtori aktual i teatrit "BYLIS" Robert Hoxha. Këtë jubilar ndryshe nga herët e tjera nuk kanë qenë prezent fjalimet e pushtetarëve apo deputetëve, por vetëm të artistëve dhe kritikëve siç ishte dhe fjala përshëndetëse e kritikut letrar Adriatik Kallulli. Pushtetarët të cilët në dukje ët parë kishin qenë në hijenë fillim të këtij aktiviteti ishin "arshivuar" në momentin e dhënies së çmimeve të qytetarëve të nderit të Fierit dhe titullit "Apollon". Pikërisht në dhënien e këtyre çmimeve me "meritë" të Këshillit Bashkiak Fier u dhanë kryesisht nëpërmjet deputetëve të Fierit dhe në mbyllje nga kryebashkiaku Baftjar Zeqo. Ndarja e çmimeve ka qenë dhe momenti më i rëndësishëm i kësaj feste ku u akorduan me vendim të Këshillit Bashkiak të Fierit, vendim, i marrë vetëm 2 ditë më parë, 6 tituj "Qytetar nderi" dhe 3 tituj "Apollon" për figurat m të spikatura të artit fierak, 4 prej 6 titujve "Qytetar nderi" u dhanë pas vdekjes ndërsa 2 të tjera për një aktivitet të pasur artistik disa vjeçar. Përfituesit e titujve pas vdekjes: Nestor Pogaçe - regjisor Isuf Maloku – kompozitor,udhëheqës artistik i Ansamblit "Myzeqeja". Dhimitër Jano – aktor i njohur në fushën teatrale, kinematografike, Kristaq Shtëmbari – mësues i popullit dhe i njohur në fushën e arsimit, kulturës dhe letrave shqipe.

E qeshura, gjysmëshekullore


Një komb ka shumë visare me çka ai mund të mburret: ka historinë, betejat për liri, prijësit e tij, njerëzit e ndritur, mitet, kodet shpirtërore, normat e bashkëjetesës dhe vlera të tjera plotësuese, që i japin identitet, vetjakësi. Teatri, dihet, është njëri nga institucionet publike me ndikim fort të madh në përpunimin e vetëdijes kombëtare. Në llojet e teatrit, doemos ai i estradës realizon komunikime asisoji me masën e gjerë të spektatorëve, sa rrallë kush art tjetër bri a skaj tij e mbërrin. Teatri i estradës së Fierit ka qenë pikërisht një i tilli. Jo vetëm ka krijuar tashmë një traditë si pak kush nga trupat profesioniste të vendit, por vijon edhe sot të ndjekë arritjet e shënuara në kohë, duke u bërë shembull për krijim vlerash të reja, për mbijetesë artistike, për elegancë, finesë e bukuri.
Por pse na pëlqen kjo estradë dhe pse guxojmë ta veçojmë nga të tjerat? Ka shumë arsye. Në një rrafsh krahasues guxoj të them se ajo shfaqet në kujtesën tonë si tribuna e një arti mirëfilli popullor e cila, falë humorit, shpotisë, ironisë, sarkazmës dhe satirës ndaj të keqes, ndaj komikes, ndaj qesharakes, ndaj të zhbërës, na ka sjellë gjithpo edhe kënaqësi të thella artistike, shumë hare e gëzim, festa të vërteta publike, jo vetëm tek më shijehollët dhe aristokratët e artit të skenës, por gjerazi, tek njerëzit e niveleve, shkollimeve dhe kategorive të shumëllojta, duke realizuar atë që quhet "katarsë", pra pastrimin tonë nga e liga, e paplota, e deformuara, e shtrëmbëruara, nga energjia "negative". Kjo është bash një vlerë parake, zanafillore, e fuqisë përtëritëse të artit, që lakmohet nga gjithkush por jo gjithkush e prek. Sepse jo gjithkush hyn në tempull. Estrada e Fierit ka hyrë tek ky tempull. Kryeherit fola për visaret me të cilat një komb mburret. Nuk e teproj dhe as patetik s'dua të bëhem në këtë 50 vjetor, nëse më lejoni ta quaja atë pikërisht një visar. Visar të dritës estetike dhe artistike që ky popull ka. Visar të teatrit shqiptar. Visar të kulturës sonë kombëtare.

Lindja e Estradës
Estrada e Fierit mbiu si një fidan i brishtë, por në tokë pjellore ama, më 25 maj 1957. Thashë enkas "mbiu" duke e marrë atë si një qenie të gjallë, sepse do desha të përfshija brenda kësaj metafore gjithë mundin, djersën, pasionin, ndjenjat, mendimin, madje krejt jetën e atyre burrave e grave që i dhanë asaj limfë e gjak nëpër vite. 14 aktorë, këngëtarë dhe instrumentistë ishin të parët, fillimi, të emëruar si profesionistë pas një seleksionimi nga grupet amatore të qytetit. Sidoqë "pa shkollë", ata u bënë një studio e hapur lëvizëse, për vete dhe për të tjerët, sepse patën talentin, pasionin dhe vullnetin për të mbartur dhe shprehur traditat më të mira të rrethit të tyre në fushën e humorit.

Penat e humorit
Premiera e saj e parë u pagëzua me një titull gjithëpërfshirës, paçka se të përgjithshëm: Satirë, humor, muzikë. E mbështetur në krijimtarinë origjinale të shkruar enkas nga shkrimtarët humoristë SPIRO ÇOMORA, Polikron Kotini dhe DIONIS BUBANI, kjo shfaqje e parë sikur vulosi edhe një nga tiparet e çmuara të saj, që do ta shoqëronte në monopatin e mundimshëm të përkryerjes artistike: cilësinë e humorit të shkruar. Dhe prandaj prania e penave të vyera e të talentuara në rrafsh kombëtar do të kthehej në një premisë parësore për të ruajtur me xhelozi nëpër vite mbrothtësinë e këtij humori, i shprehur në përmbajtjen, idetë dhe moralin e shfaqjeve. Sofra ku ai mbruhej ftoi dhe priti firma të njohura si Dritëro AGOLLI, Pëllumb Kulla, Dionis Bubani, Tasim ALIAJ, Shefqet Musarai, Niko NIKOLLA, Fatmir Lamaj etj. Nuk u josh nga mediokriteti i ideve dhe temave, as nga banaliteti dhe vulgariteti i bërjes së humorit, i asaj që sot i themi kiç art a kiç kulturë. Jo. Fuqia imobiliare e këtij humori qëndronte pikërisht tek trajtimi me zgjuarsi dhe talent i dukurive komike, pa e kthyer çdo gjë në mjalt e sheqer. Doemos, taboret estetike dhe ideologjizuese të kohës i hapën jo pak plagë, si edhe simotrave të saj kudo në Shqipëri, veçse ajo nuk e humbi toruan, por ruajti nën zhgun shigjetën e Filoktetit për të goditur aty ku indi i shoqërisë dhimbte më shumë. Po, humori dhe satira e saj ishin sa goditëse, sa të hidhura, po aq edhe shëruese.

Personazhe komikë
Por le të rikthehemi cazë në vjetarët e saj historikë. Karakteristikë për premierat e para të Estradës së Fierit ishte krijimi i dy personazheve komikë të tipit popullor, siç qenë Cfurku dhe Bodeci, ku ndërtohej e mbështej mëpastaj gjithë lënda letrare e tyre. Kjo skemë interesante u shfrytëzua pjesërisht edhe më vonë, me dyshe të tjera personazhesh, për të kaluar më pas në tipologjinë e varietesë. Thumbojmë e pastrojmë, Nëpër fletët e historisë, Gaz pranveror ishin nga shfaqjet që krijuan histori suksesi në 25 vitet e para. Kjo e fundit u vlerësua me çmimin e parë në takimin e estradave profesioniste, më 1963. Në disa shfaqje të tjera mbresëlënëse si: Xha Llazi midis nesh, Gatishmëria, Punojmë e vigjilojmë, Objektivi, Midis jush, Nuk mund të rrimë indiferentë binte në sy prirja për të shpotitur dukuri negative në marrëdhëniet e punës, ato në familje, nga jeta në fshat, përpjekja për emancipim, tema nga lufta dhe ato për përgatitjen ushtarake. Në kumtimin tim nuk ka si të mos ftohet në panelin e nderit të kësaj trupe shfaqja Çobo Rrapushi me shokë (1980), mbështetur në krijimtarinë e Shefqet Musarajt, ku spikati interpretimi i mrekullueshëm i figurës së Çobos nga aktori i njohur i humorit LUFTAR PAJO, Artist i Popullit. Ky personalitet i admirueshëm i humorit shqiptar nuk do të rreshte së qëndisuri figura të larmishme aktoriale me mbartje mirëfilli popullore. Por, padyshim, ai s'ishte i vetmi. Ishte, sikurse thuhet, "me shokë bashkë".

Trupa e artistëve
Në estradën e Fierit punohej në grup, si ansambël. Bri Luftarit ndriste me elegancën e tij Fuat Boçi, proverbial me Belulin dhe Lipen. Por me ta ishte dhe një konstelacion aktorësh të tjerë, që lëshonin dritë e bukuri, gaz e hare, tipa e karaktere të mëvetësishëm si Arqile Lipe, Todi Llupi, Artistë të merituar, më tutje Xhulieta Kulla, Vasil Vaso, Fatmir Xhelili, Sotir Stefa. Dhe pas viteve '90 edhe e mirënjohura Hajrie Rondo, Klajdi Marku, Miola Sitaj etj. Përveç Pëllumb Kullës, si regjisori emblemë, kanë punuar me përkushtim në periudha të ndryshme kohe edhe regjisorët Koço Papadhopulli, Roland Roshi, Roland Çarka, Klajdi Marku, Ilir Bezhani, etj. Këngëtaret e saj si Bunilda Hoxha, Lefteri Sillo, Sofika Hodo falnin kënaqësi me zërat e tyre të ëmbël e të bukur. Në këtë pemë të blertë gjenealogjike doemos gjethojnë edhe skenografitë e Pano Kondos, Gëzim Hajdinit etj. Emrat askurrë s'mbarojnë dhe artisti nga natyra është egoist, kërkon hapësirën e vet të afirmimit, përkëdheljen e publikut, pse jo edhe të kritikës. Veçse, ju e dini miq, në art ka gjithnjë një hierarki. Prandaj do të më lejoni që të flasë shkurt për tri nga personalitetet e spikatura të kësaj trupe, që sublimojnë, sipas meje, epërinë e obeliskut estetik të saj: Luftar Pajo, Pëllumb Kulla, Fuat Boçi.

Luftar Pajo
Pajo, si aktor me të dhëna komike natyrore, u bë mjeshtër i portretizimit të shumë figurave, me ngjyrime sa popullore e kombëtare, po aq krahinore e komike, duke përdorur me efekte humoristike të folurën nëndialektale të Myzeqesë, si dhe zhargonin e rrugës. Rëndom ironia dhe sarkazma në gojën e tij njëmendësoheshin në format groteske e përtallëse, të cilat i pëlqente e i përdorte, sikundër shihen në mishërimin e roleve të Gani Llupas (Rrufe nga mali), Ballistit Refat (Luftë e ngatërruar), Servetit (Servet beu jep zgjidhje); apo personazhe të tjerë me mangësi karakteri, mungesë formimi e vese si mangazinjer Kozmai (Magazinieri), gjer edhe tipa bastardë, me deformime të mëdha morale.

Fuat Boçi
Fuat Boçi, si aktor themelues i ESTRADËS SË FIERIT, pjesëmarrës në rreth 160 premiera me mbi 600 role shquhet për lirshmërinë, karakterizimet e holla komike, hijeshinë, sjelljet plot nur, mimikën, gjestet shprehëse. Ai ka përdorur me mjeshtëri nuancimet gjuhësore krahinore duke sjellë në skenë tipa fshatarësh të zgjuar, njerëz hileqarë apo dembelë, zyrtarë të korruptuar, pseudointelektualë etj. Binte në sy për aftësitë imituese si dhe vokalin e përshtatshëm për të interpretuar kuplete e parodi. Kush nuk i kujton Lipe Shtogun, Belulin, Llazin, Dalipin, Jonuz beun, Ndonin, Shvejkun, Zenelin, Sotirin etj.

Pëllumb Kulla
Pa personalitetin e Pëllumb Kullës jemi të një mendjeje besoj se Estrada e Fierit nuk do të mbërrinte aty ku ajo mbërriti. Si regjisor ai këmbënguli në kuptimin realist të marrëdhënies midis aktorëve, personazheve që ata interpretonin dhe jetës. Parapëlqente zbërthimin e imët të karaktereve, duke kërkuar motivin e brendshëm dhe shtysën psikologjike pse kryhej ky ose ai veprim. Jetësimi i tij regjisorial dallonte për shpërndarjen e ekonomizuar e racionale të vëmendjes sa nga një moment në tjetrin, përputhur theksimeve të mirëstudjuara, duke ndërtuar kësisoj një diagramë dinamike e natyrës progresive. Si shkrimtar i shquar humorist i skenës, ai vlerësohet për humorin e shlirët, spontan, plot të papritura dhe mprehtësi komike, me shkapërcimet e befasishme e të mençura të veprimit komik në situata të këndshme, duke mëtuar demaskimin e menjëhershëm të mbartësit. Paradokset dhe të papriturat në regjisurën e tij kërkohen jo aq te përthyrjet surreale apo asociacionet e largëta, por te afëria e tyre në zgjidhjet dhe situatat e ofruara drejtëpërdrejt nga realiteti i përjetuar.

Humor i prehtë
Kjo trupë, posaçërisht në vitet '70-80, u bë referenca më dinjitoze e humorit shqiptar përgjithësisht, ku u gërshetuan me mençuri materialet me brendi të pasur estetike, format e larmishme dhe origjinale të ndërtimit të shfaqjeve, koncepti regjisorial paraprijës si dhe një trupë aktorësh të talentuar e të papërsëritshëm për nga vetjakësia. E pazëvendësueshme për nga serioziteti i trajtimit të dukurive komike, për nga sensi kritik kundrejt mangësive e të metave në shoqëri, familje e kudo, estrada e Fierit spikati edhe për vështrimet e mprehta si dhe ndjesia për të shquar në kohë deformacionet morale. Në këtë udhë vijuan shfaqjet Pranverë (1981), Buzagas në shekuj (1983) Rrufe dhe rrufepritësit (1984), Humor popullor (1985) etj. Pos tehut të mprehtë të humorit dhe satirës, aq sa lejohej dhe aq sa mundej të bëhej asaj kohe, ajo dëshmoi nëpër vite edhe një bukuri forme, kulturë dhe pasuri mjetesh teatrore.

Pas viteve '90-të
Këto tipare u trashëguan dhe u përkryen më tej pas viteve '90, kur satirës dhe humorit iu garantuan liria, mundësia e kritikës së hapur, rrjedhimisht edhe shansi për performanca sa më interesante e joshëse. Pavarësisht rrethanave jo fort stimuluese të periudhës së tranzicionit, me reduktimin e ndjeshëm të personelit, financimeve, vlerësimit dhe përgjithësisht e vendit të teatrit në shoqëri, duhet pohuar jo pa kënaqësi se ishte dhe mbetet pikërisht kjo trupë nga të paktat që po e ruan me fanatizëm dinjitetin e vet artistik, duke përgatitur dhe dhënë shfaqje me nivel të lartë, të vlerësuara e të duartrokitura nga publiku dhe kritika. Po sjell në vëmendjen tuaj disa syresh, si Një budalla e gjysëm, Zgjohu Vasillaq, Kërkohet një gënjeshtar, Vëllazëri dhe interes, Me trap drejt Evropës, Bërtet hajduti, Në muze, Të qeshim në dëborë, Koha Luks, Të plakesh me hallet e botës. Në Vitin 2006 Estrada e Fierit fitoi çmimin e parë në Festivalin e Teatrit të Varietës në Vlorë me shfaqjen Porta e përrallave.

Një kod
Sigurisht, ka një çelës, një kod, diçka të veçantë, specifike, e cila e dallon këtë estradë nga simotrat e tjera në Shqipëri. E pra, karakteristike për të ka qenë dhe mbetet trajtimi i gjinive të "mëdha" të humorit, sikundër janë komeditë e plota, komeditë e shkurtra me një akt si dhe skeçet e gjata, premierat me një strukturë të qartë, duke ngulmuar fort në ravijëzimet e karaktereve sa më të plota të personazheve nga ana e aktorëve. Formulat magjike "Abra-kadabra" apo "Hapu Suzam" s'ka pse shqiptohen, teksa duam të njohim visaret dhe historinë e kësaj estrade. Jo. Ajo ka qenë, është dhe mbetet nga krenaritë tona artistike. Një epos humori. Një lavdi. Është një muze i hapur, një teatër i hapur. Mirë e thashë. Prandaj dhe ne erdhëm jo si diku, a tek një mik, a tek një rënojë, por si në shtëpinë tonë. Sepse Estrada e Fierit është dhe do të mbetet ngaherë "Shtëpia jonë", shtëpi e hapur.


Josif Papagjoni

Commenti