Agron Llakaj, kameleoni i humorit

Në prag të një sezoni të ri, në pozicionin e drejtorit artistik Agron Llakaj tregon se ç’servir këtë herë “Portokallia”, por edhe ai vetë si aktor

Agron Llakaj, kameleoni i humorit
Alma Mile

Sa të hapësh e të mbyllësh sytë gjendesh ballë për ballë me kryeministrin e vendit, me Presidentin e Republikës e më pas me një veteran, që nuk i numërohen dekoratat mbi gjoks. Për aktorin e humorit Agron Llakaj, kjo është gjëja më e thjeshtë. Të bëjë humor duke imituar, është si të marrë frymë. Dhe është aq i vërtetë në artin e tij saqë ndonjëherë e ke të vështirë të dallosh personazhin real nga ai i krijuar. Për Llakajn, këto ditë janë vërtetë të ngarkuara, konkurse, regjistrime, projekte, personazhe të rinj… Së shpejti në ekranin e “Top Channel” rikthehet spektakli i humorit “Portokalli” dhe ai si drejtor artistik i këtij programi është vërtet i shqetësuar. Është një sezon i ri dhe publiku pret gjëra të reja nga spektakli i të dielës mbrëma. “Edhe pse fizionomia e këtij spektakli tashmë është krijuar pretendojmë që këtë herë të vijmë me një fytyrë të re. Fatmirësisht “Portokallia” e këtij sezoni do shfaqet në një teatër më të madh me një kapacitet prej 300 vendesh, duke ofruar hapësira të reja edhe në krijimtari”, - thotë Agron Llakaj. Nga Piramida, spektakli zhvendoset në një tjetër ikonë të sistemit që lamë pas. Bëhet fjalë për ekspozitën “Shqipëria sot”, e kaluara dhe emri i së cilës do përdoret nga organizatorët, për të sjellë forma të reja humori. Por nuk ndryshon vetëm skenografia dhe vendi i takimit. Drejtori artistik dhe njëkohësisht moderatori i spektaklit thotë se më shumë se gjysma e aktorëve vijnë me role të reja. Kështu që Ponja nuk do rrëfejë më përpjekjet e dështuara për t’u rënë në sy meshkujve e për të qenë e suksesshme, Nini i Bules do t’i lërë pas bëmat e të fortit, taksisti do heqë dorë nga profesioni i vet e kështu me radhë. Por, gjithsesi disa prej ikonave do mbeten. Llakaj thotë se duke qenë gjithnjë në vëmendje të mediave, në skenën e “Portokallisë” nuk mund të mungojnë politikanët e ditës, si Rama, Berisha e Moisiu. Kjo do të thotë se Agron Llakaj do shfaqet sërish si kryeministri, udhëheqës i Partisë Demokratike, apo edhe si presidenti. Xha Temja, veterani qejfli e me një fantazi të jashtëzakonshme për të krijuar historira të qëna e të paqëna me shokun Vero (Enver), gjermanët e gjermankat, për shkak të moshës do vijë më rrallë në skenën humorit. “Xha Temja, që në të vërtetë është gjyshi im, do jetë i ftuari ynë special, sa herë që të kemi nevojë për të. Historitë e tij nuk do t’i mungojnë ditëve të tilla si 1 prilli, apo 5 maji”, - thotë Llakaj, duke improvizur menjëherë historinë e Katjushës së bukur, për të cilën Shqipëria u prish me Rusinë. Dhe më pas një tjetër metamorfozë. Nga një burrë plak me thinja e mustaqe, shndërrohet në një Ané me shami të zezë mbi krye. Këtë herë Aneja nuk është gjyshja e tij, por gjithsesi ka marrë ca nga ajo, apo nga anetë e momat e tjera, pranë të cilave Llakaj ka jetuar në qytetin e lindjes në Memaliaj, apo i ndesh çdo ditë në metropol. Roli i plakës, apo anesë është një ndër më të realizuarit e tij, të cilit do t’i qëndrojë besnik, por duke e sjellë në një situatë dhe marrëdhënie të re. Ndoshta përballë saj nuk do jetë më mom Ishja pe Tirone, por një nuse e mërzitur nga vjehrra, megjithatë Llakaj nguron të tregojë më tepër sekrete. Megjithëse në pozicionin e drejtorit artistik, për të është shumë e rëndësishme të shfaqet më së shumti si aktor dhe vazhdimisht është në kërkim të një figure të re. Për këtë sezon është duke ndërtuar një tjetër personazh, po nga politika, që sipas tij është burim i pashtershëm për humorin. Sadoqë krijon gjendje humori dhe batuta në çdo moment, sigurisht që Agron Llakaj di të jetë edhe shumë serioz. Por aq që e mendon të hidhet në terrenin e artit dramatik. “Tashmë imazhi im tek njerëzit është ai i një aktori humori dhe nuk mendoj ta ndryshoj atë”. Për aktorin humori është bashkudhëtar i tij i jetës.

Shekulli
Agron Llakaj "Ata që më kërcënuan pse imitoja Berishën”


Të bisedosh më Agron Llakën, nuk ka ndonjë dallim nëse sheh live “Portokallinë”. Nuk ka copëz bisede apo rrëfenjë në mes që të mos bëjë të mbash barkun me dorë. Edhe kur flet për gjërat më serioze në jetë, nuk rri pa thumbuar me humor. E pyet se ç’zakone të mira ka dhe ai thotë ke ngatërruar adresë.



E pyet se kush e ka nxitur kur ishte fëmijë, ai të thotë Partia dhe xhaxhi Enver. E pyet se çfarë gatuan dhe ai ia pret se e vetmja gjë është humori. Tani është 47 vjeç, peshon 104 kilogram, vazhdon të jetë 174 cm i gjatë, bën 5 orë gjumë në 24 orë, përdor një celular Nokia dhe kafen e pi me një sheqer. Por mbi të gjitha se këto Agron Llakaj padyshim vazhdon të jetë një nga humoristët më të mirë që ka prodhuar arti shqiptar. Dhe mendo se jeta e tij nuk ka qenë vaj. Por, duket se Goni ynë ka zbatuar pikë për pikë aksiomën e idhullit të tij Charlie Chaplin, se kur nervat janë të tendosura, gjithnjë ka nevojë për humor. Dhe djali nga Memaliaj që kur ishte fëmijë mblidhte kallza gruri pas kombanjës, që punoi në ndërtim, pastaj minator dhe më tej akoma emigrant, ka nxjerrë produktin më të mirë nga shpirti i tij: të bëjë të tjerët për të qeshur. Por, jo të gjithë ia kanë kuptuar mirë këtë lloj “sporti”. Ja përshmbull, kur ai imiton, ca të tjerë rrudhin buzët. Ka hequr ca nja dy muaj më parë kur u bë si Berisha. Pasi e kërcënoi mirë e mirë me fjalë, një tip tipi, që sipas Gonit e do Berishën më shumë se ai e do veten, e sulmoi fizikisht dhe vetëm ndihma e të tjerëve e shpëtoi Gonin e shkretë të bëhej lajm. Megjithatë, Goni ynë e ndan të qënit artist me atë të politikanit. Vëtë shprehet se s’ka lidhje me personazhet e politikës. Por hajde dhe merrja vesh këtyre njerezve që u vjen ligsht dhe që në jetën e tyre nuk duhet tu ketë qeshur ndonëjherë buza, kur ai njëherë bëhet si Berisha, një herë si Moisiu, një herë si Spartak Ngjela dhe një herë si Pjetër Arbnori. Vetëm ky i fundit sipas Gonit ndryshonte nga të tjerët. Mësojmë se i ndjeri Arbnori ishte i vetmi politikan që e ka përshëndetur pas imitimit. Megjithatë, humori është në genet e tij. Ai do vazhdojë të bëjë humor në jetë të jetëve dhe ne na mbetet vetëm ti themi faleminderit Agron që në këtë jetën e shoqërisë sonë kur që nga 1990-ta nuk ka drita, nuk ka ujë dhe krimi është ulur këmbëkryq, ti dhe kolegët e tu jeni të vetmit që na bëni të qeshim. Sinqerisht ju falenderojmë!
Në rubrikën “50 pyetje nga Tirana Observer”, Agron Llakaj zbërthen ca gjëra nga jeta e tij, flet për famuiljen dhe për mbesën Adea që e ka bërë të ndjehet me jetë të dytë, por edhe për planet e “Portokallisë” për këtë sezon që sipas tij do të ndryshojë karakteret 50 për qind.



1. Cili është kujtimi juaj më i hershëm?

Për çfarë lloj kujtimesh e kini fjalën. Nëse e kini fjalën për ato në moshën më të vogël, duhet të specifikoni një imazh apo një send.


2. Çfarë ke mësuar për herë të parë dhe kush ta mësoj?

Kam mësuar të këndoj. Ma ka mësuar edukatorja.....


3. Kush ka ndikuar më shumë kur ishit fëmijë dhe kush ju ka nxitur më shuam në jetë?

Nëna Parti dhe xhaxhi Enver.



4. Cila ka qenë këshilla më e mirë e nënës apo babait tuaj?

Hapi sytë dhe bëj katër.


5. Çfarë nuk ke mësuar në shkollë?

Matematikën. Nuk e kam mësuar. Këtu kam kuptuar çfarë ka qenë keq.



6. Çfarë të është dashur të mësoje vetë?

Jetën.



7. Ku ke punuar për herë të parë dhe cila është puna më e keqe që ke bërë?

Puna e parë ka qenë në repartin i investimit në minierën e Memaliajt në moshën 13 vjeç dhe në moshën 16 vjeç. Kam punuar në ndërtim, punëtor tamam. Kjo ka qenë dhe puna më e rëndë që kam bërë. Pastaj më e keqja nuk mund ta them. Dhe nga kjo bëja shumë mungesa në punë, fshihesha, nuk e përballoja dot. Ishte punë shumë e rëndë.


8. Çfarë ke blerë për herë të parë me paratë që ke siguruar vetë?

Një palë sandale kur kam qenë në pushimet e verës. Mblidhja kallza gruri në Nepravishtë, në fshatin e mamasë, të cilat kushtoni 250 lekë.


9. Çfarë makine ke pasur për herë të parë, e bleve vete?

Një Volksëagen 1. Ma ka blerë vëllai im Adi si dhuratë, si artist që isha.


10. Çfarë bën kur je nervoz? Çfarë të bën të mos rezistosh?

Kur jam nervoz shpreh nervozitetin tim. E përjetoj atë. Po nervoziteti im është fragmentar është si publiciteti i “Portokallisë”, kalon shpejt. Kjo tjetra nuk më intrigon. Nuk mund ti rezistosh dashuris për një person. Mund të mos i rezistosh dashurisë për nipin për mbesën. Është pak universale nuk mund ta përcaktosh.


11. A je inatçi? Kujt ia ke nxjerrë më shumë inatin?

Kryesisht unë jam brenda llojit të njeriut me mish dhe me gjak dhe natyrisht lëviz gjaku drejt dhe mund të kemi inat. Po kryesisht nuk mbaj inat. Në raportin që ndërtoj me dikë, them fale o zot për mëkatin që ka bërë.


12. Çfarë gatuan vetë?

Humor.


13. Çfarë ha zakonisht dhe cili është ushqimi më i preferuar? Çfarë pije të pëlqen mbi të tjerat?

Është pjesë e karakterit tim. Unë ha çfarë të më vendosin përpara në tavoline, nuk kam pretendime. Por për shkak të historisë së ardhjes sime deri në këtë moshë, për shkak se kam qenë në shkollën “Skënderbej” për dy vjet, kam qenë ushtar dhe kam punuar në minierë, ushqim im i preferuar është fasulja.


14. Kë ke mik më të ngushtë?

Familja ime. Nuk e kam fjalën vetëm për familjen Agron Llakaj. Familja ime është gjithë ajo.


15. Cili është huqi juaj më i keq?

Si çdo njëri edhe unë siç është edhe ajo shprehja kali i kuq e ka një huq. Kam shumë huqe po jo të gjitha huqet janë të këqinj, ka dhe huq të mira. Një huq që nuk ma pëlqejnë është korrektësia ime në punë.


16. Çfarë zakonesh të mira ke?

Nuk kam zakone. Duhet të kishe pyetur ndonjë tjetër.


17. Çfarë të bën për të qarë?

Çdo gjë që ma shkakton këtë lloj ndjesie. Në përgjithësi humoristët janë shumë të qeshur, por edhe shumë dramatikë.


18. Çfarë të zëmëron? Çfarë të bën të buzëqeshësh?

Në momentin që ne bëjmë bashkë këtë intervistën, jo vetëm Tirana po edhe gjithë Shqipëria mendojnë se vajtëm 17 vjet tranzicion, pa drita, pa ujë. Një Shqipëri gri, një Shqipëri që po vinë brezat e rijnë dhe nuk po shikojnë një copë dritë në tunelin e gjatë ku jemi futur. Nuk e di. Të buzëqesh, sinqerisht e kam ironi dhe fat.


19. A do të doje të kishe një emër tjetër?

Agron është emër mbreti, nuk e di se mos doja të isha mbret.


20. Sa shpesh lexoni?

Është pjesë e profesionit tim. Realisht pyetja më duket sikur ju më thoni: Agron ju keni një makinë këtu, a i hidhni benzinë? Për mua është detyrim leximi, po nuk lexove do të thotë ju lë koha mbrapa. Por njëkohësisht ka dy lloj leximesh. Leximi për shkak të pozicionit tim, po dhe lexime për kënaqësi. Kam lexuar së fundi romanin, “Klarisa” të Stafan Cvajgut.


21. Si ndihesh kur udhëton me makinë?

Ndoshta është një pjesë e kënaqësisë time e shlodhjes. Kryesisht më pëlqen të udhëtoj. Jam i kësaj lloj aventurë në qoftëse do ta quanim duke qënë se jam nga provinca, nga Memaliaj. Unë shkoj shpesh në Memaliaj. Makina më jep një kënaqësi, krijoj një botë timen të cilën e respektoj.



22. Sa orë gjumë bën natën? Çfarë bën kur të del gjumi dhe e ke të pamundur të flesh përsëri?

Unë kryesisht fle pesë orë. Tani unë fle edhe gjysmë ore në drekë. Kur fle gjysmë ore në drekë me duket sikur e filloj ditën nga e para. Më duket se e filloj ditën më të njëjtën energji si mëngjesi, është sistemi i Çurçillit.



23. Çfarë ëndrrash sheh? A të ka thënë bashkëshortja se ti qesh në ëndërr?

Plot.


24. Si përgjigjesh në telefon? Çfarë thotë mesazhi i sekretarisë juaj telefonike?

Mesazhi i sekretarisë time telefonike nuk funksionon. Kur më telefonojnë, unë e ngre kurdo që bie dhe them “urdhëro” me shumë dashamirësi.


25. Cili është veprimi që bëni pothuaj përditë?

Jetoj.


26. Cila është dita më e mirë e pushimit?

E diela.


27. A e keni ndjerë ndonjëherë se ta kanë hedhur? Na e trego pa humor këtë histori?

Pjesa e jetës është edhe e hedhura, ose e thënë në gjuhën popullore, e futura. Por, kryesisht unë e kam kompletuar veten time si lokomotivë, jo vagon. Kështu që se ç’vagon mbetet mbrapa, nuk ka rendësi.


28. A i mban me kujdes paratë?

Kryesisht i respektoj. Në fund të fundit nuk kam ndonjë aktivitet që nuk i takon djersës.


29. E do punën që bën?

Absolutisht. Po nuk e dashurove punën edhe ajo nuk të do.


30. A mund të na thoni cilat priten të jenë ndryshimet e këtij sezoni në Portokalli?

Po pothuajse 50 për qind e personazheve do të transformohen në karaktere të tjera dhe do të ketë edhe prurje të reja. Njëkohësisht do të ketë edhe pjesë të ndryshime të formatit. Kjo është në strategjinë e rikonceptimit e një ‘Portokallie” ndryshe. Mos harroj, gjithmonë “Portokallia” është spektakli më e shikuar dhe më i suksesshmi. Por, gjithmonë gjerat e suksesshme janë edhe më të vështira. Natyrisht mos harroi se kemi katër vjet që jemi në ekran më të njëjtin suksese, me të njëjtin formalitet. Natyrisht duhet një riformatim ndryshe.


31. I rrethuar gjithnjë me njerëz që njerëz që bëjnë humor dhe dhe me vajza të bukura. A është Agron Llakaj nga ana që e jeton jetën siç e do vetë?

Unë jetën e kam jetuar siç e kam dashur vetë.


32. Drejtues i “Portokallisë” dhe i një sërë spektakleve, një nga humoristët më të mirë në historinë e artit shqiptare, ish-minator, me origjinë dhe jetuar në Memaliaj, i martuar me dy fëmijë, së fundi gjysh. Cila nga cilësime dhe momente jete të pëlqen më shumë ta përmendin?

Të gjitha këto janë biografia ime, kam respekt.


33. Si imitues e ke të siguruar titullin më i miri. A mund të na tregoni ndonjë histori me personazhet që imitoni, përshembull me Berishën, Pjetër Arbnorin, Bujar Leskajn, Alfred Moisiun etj.

Nuk janë vetëm këta personazhet që kam imituar, por nga të gjithë këta që i takojnë sërës politike, unë një homazh të madh artistik dhe njerëzor do të bëja për të madhin, Pjetër Arbnori. Ishte i vetmi politikan që unë, që në 1994, kur unë e kam imituar për herë të parë, ai e ka pritur më shumë dashamirësi. Sinqerisht ndjej dhimbje për atë njeri që nuk është më. E kam pasur mik, kam marrë pjesë në çdo festë të tij. Me Berishën kam qenë në tre katër darka të motivuar nga të tjerët kuptohet, jo i ftuar nga vet ai. Në festën e parë ja kalova shumë mirë me të. Ndërsa në të dytën ishte shumë i ftohtë, qoftë në raportin me mua. Justifikimi ishte që kishte vdekur Ibrahim Rrugova, por gjithsesi, unë nuk kam asgjë personale me Berishën. Berisha është për mua një politikan, është pjesë e progresit në Shqipëri. Unë nuk flas as si i majtë as si i djathtë, unë jam artist. Në momentin kur Berisha tij në momentin cënon interesat e popullit tim, unë natyrisht jam kundër në momentin kur Berisha i mbron interesat e popullit, unë jam pro Berishës. Berisha vetë nuk më ka kërkuar asnjë herë të mos e imitoja. Kryesisht ndonjë këshillë ma kanë dhënë ata që i rrinin rrotull. Me Alfred Moisiun nuk kam pasur asnjë herë asnjë lloj komunikimi. Bujar Leskajn e kam mik dhe nuk kam pasur asnjëherë problem. Sa për të tjerët mund të them se është interesant që ka ardhur një herë te Top-Channel, një i moshuar që pretendonte se ishte dora vetë xha Temja. Më ka thënë “po ti mor qen bir qeni, mua më imiton”. E largova për momentin dhe i thashë që unë kam respekt për veteranët dhe ky që imitoj unë është një pseudveteran. “Kam shtate plumba në këmbë”, më tha ai. I thashë të lutem, kam respekt për plumbat e tu, po të lutem largohu. Nuk kam asgjë me veteranët, kam respekt për të gjithë ata që kanë dhënë gjakun për çlirimin e Shqipërisë. Kjo është pjesë e Agronit. Po këta pseudoveteranë si punë e xha Temes që kur nuk e kanë kuptuar ......


34. Çfarë dhuntish mendon që ke?

Që momentin që jam brenda këtij profesioni besoj se njeriu nuk mund të këtë kaq shumë dhunti. Të gjithë të bëjnë që është më e mira se jam këtu ku jam.


35. Si e vë në provë veten? A je në provë tani?

Absolutisht gjatë gjithë jetës në provë jam. Në çdo çast jam në provë. Gjithmonë provoj ç’të jetë më e mira.


36. Bëni humor me shumë karaktere. A jeni kërcënuar apo “përkëdhelur” ndonjëherë pikërisht se keni imituar dhe bërë humor me dikë?

Kërcënuar po, ajo e “përkedhelura” jo. Me kanë kërcënuar në forma të ndryshme. Kryesisht në lidhej me imitimet e Berishës. Jam kërcënuar disa herë për imitimet e Berishës. Jo vetë nga Berisha, po nga njerëzit që e duan Berishën më shumë seç e do Berisha veten. Kjo është e keqja e shqiptarëve. Prandaj është ajo shprehja shqiptarët dhe xhaxhi Enver. Shqiptarët akoma e kanë në zemër xhaxhin Enver.


37. Ku do të arrish pas një viti?

48 vjeç.


38. Kemi dëgjuar tek kafja “Mumja” dhe nëpër gazeta se më shumë se nja 10 herë kë thënë se do të ikësh nga “Portokallia”. Goni, kur mendon të ikësh me të vërtetë nga “Portokallia” se ka rrezik kur ti ka kesh seriozisht nuk do të besojnë?

Kur të mos ketë me Top-Channel”. Ju jini të interesuar që të iki unë nga portokallia?


39. Kë ke dëmtuar gjatë rrugës tënde?

Në qoftë nuk jam në gjendje të bëj mirë, absolutisht nuk jam në gjendje të bëj keq.


40. Kur ke puthur për herë të parë? Kë dhe si ndodhi?

Për herë të parë kam puthur nënën time në faqe (qesh). Kam puthur Konstadinën në moshën 17 vjeçare, është ime shoqe sot.


41. Me kë je dashuruar për herë të parë? Sa zgjati kjo dashuri?

Vazhdon akoma. Është shoqja ime e jetës, dashuria e parë. Jemi të dy nga Memaliaj, jemi bashkëmoshatarë, unë jam nëntë muaj më i madh. Që nga momenti që jemi dashuruar e deri më tani, uroj më parë Kostadinën dhe pastaj veten të kemi një jetë të gjatë. Ishim bashkë në shkollë nate dhe në punë dhe u dashuruam. Domethënë e pamë që korniza jonë kaq ishte. Jetonim në një qytet me emrin Memaliaj dhe lëvizja nuk ishte siç është sot. Ne njohëm njeri-tjetrin dhe s’kishte si të ndodhte që Kostandina të mos më dashuronte mua, se unë kam qenë i marrosur pas saj.
Normalisht në rritjen time profesionale suporti im ka qenë familja. Por personalisht shumë gjëra ja dedikoj Konstandinës. Për shembull, kur unë erdha në shkollë të lartë, kishim dy fëmijë dhe dikush duhet të sakrifikonte për fëmijët. Unë personalisht ja dedikoj shumë gjëra Kostandinës. Kështu që dashuria ime për Konstanidnën nuk është thjeshtë dashuri, është pak më shumë, pak më universale pak më e gjerë.


42. Kë personazh të njohur shqiptar apo të huaj do të ftoje në një mbrëmje?

Unë nuk jam shumë i prirur pas shumë personazhesh. Unë jam mes miqsh. Kam miq politikan. Nuk mund ta them me emër.



43. Të pëlqejnë krishtlindjet?

Absolutisht që po. Më pëlqejnë festat. Ato gjithmonë i bashkojnë njerëzit.


44. Kë vlerëson si batutën më të fortë të nxjerrë nga “Portokallia”?

Në 100 putanat “Portokalli”, unë nuk mund të zgjedhë dot. E vetmja batutë që mund të them është “Portokalli”.



45. E dimë që e keni të vështirë, por sipas jush kush janë aktorët që me të vërtetë janë më të spikatur në spektaklin tuaj?

“Portokallia” tani mbas katër vjetësh është kthyer në një akademi humori. Publiku ka të drejtë të zgjedhë, të pëlqejë, të mos pëlqej. Unë brenda kornizës që kam, nuk mund të veçoj. Unë e kam thënë, “Portokallia” është një buqetë e madhe me lule, ku secili ka aromën e vet dhe të gjitha bashkë jep një aromë që i pëlqen publikut tonë të madh.


46. Cila është shprehja steriotipe që të pëlqen më shumë?

Nuk kam ndonjë standarde.



47. Cila është kënga, libri, filmi, këngëtari, artisti yt më i preferuar?

Kënga? Nuk mund të them shumë, por kryesisht këngëtari im i preferuar është Bruce Sprinsteen, nga ata andej (të huajt). Nga këta këtej, Ardit Gjebrenë, Aleksandër Gjokën. Sa për librin, shkrimtarët e mi të preferuar janë shumë, por një afeksion të veçantë kam ndaj Gi De Mopassan. Po ashtu dhe filmat janë shumë. por atij që do ti jepja vendin e para është, “Na ishte një herë Amerika”. Madje një ditë kam lënë djalin pa gjumë për këtë film. I thashë të mos sillej vërdallë poshtë e lartë, por të rrinte një ditë shikonte një film. I mora të dyja pjesët e filmit dhe i thashë vetëm ti shikonte. Kur mbaruam filmin, ai ishte ulur te divani matanë dhe nuk fliste. Hë mo, i thashë, e kuptove që ka dhe një botë tjetër. Për artistët mund të flas shumë, dhe një aktor sigurisht që ka një etalon, por arti i Çaplinit për mua është i pazëvendësueshëm.

48. Cila është ajo gjë që nuk mund ta bëje kurrë?

Humbjen.


49. Ku do të jetoje po të ishit plotësisht i lirë për te zgjedhur?

Do kisha shumë dëshirë të jetoja në Amerikë. Pasi është vendi më demokratik në botë, më i pasur, më i fuqishëm. Mendoj se njerëzit e fuqishëm duhet të jenë në vendin e fuqishëm. E kam pasur ëndërr të isha atje. Por unë nuk e kam zgjedhur dot fatin. Unë jam djali i Novruz Llakës nga Memaliaj. Kam lindur në një vit të vështirë për shqiptarët, ishte viti 1960 kur çdo shqiptar ishte futur nën llogore për të mbrojtur nëndetësen numër 105. Dhe nga ata Shqiptarë që e kapën pushkën me një dorë dhe në dorën tjetër diçka tjetër, ishte dhe babai im dhe linda unë (qesh).


50. Cili është personazhi yt më i dashur në filmat vizatimorë?

Xherri më pëlqen.

.......

Jetëshkrimi

Emri: Agron
Mbiemri: Llakaj
Ditëlindja: 24.04.1960
Vendlindja: Memaliaj
Vendbanimi: Tiranë
Gjendja familjare: I martuar, me dy fëmijë, ka dhe një mbesë
Ngjyra e syve: I kaltër
Shenja të veçanta: Një nishan në faqe
I gjatë: 174
Pesha aktuale: 104 kg
Tipi i celularit: Nokia
Kafen: e pi me një sheqer
Flokët: të drejtë, pak të thinjur dhe i bën me xhel
Tipi i orës: Brandly



Shkruar nga Roland Qafoku
Agron Llakaj !

“Nuk lejoj që e bukura të më shkatërrojë jetën dhe familjen”
“Në art duhet të punosh që të mbetesh yll, dhe jo thjesht meteor”




Artisti i humorit Agron Llakaj, prej kohësh është bërë një figurë e dashur dhe popullore për të gjithë shqiptarët, sidomos përmes Spektaklit “Portokalli” ku ai mban edhe peshën më të madhe në të. Ndoshta jo vetëm për shkak se humori është “ushqimi” për të cilin kemi nevojë të gjithë për të mbajtur gjallë optimizmin tonë, por edhe sepse ai ka ditur gjithnjë se çfarë të servirë në menynë e artit të tij, duke e bërë gjithnjë domethënës moralin e përcjellë përmes fabulave të pafund. Batutat e tij janë bërë kaq familjare për të gjithë, sa shpesh na duket sikur e kemi të pashmangshëm përdorimin e tyre edhe në jetën e përditshme. “Portokallia”, spektakli i famshëm, ku ai me modesti tregon se është vetëm pjesë e një grupi të tërë që punojnë për të, aktualisht është në proces riorganizimi, e megjithatë puna për Llakajn vazhdon me po të njëjtin intensitet, për t’u rishfaqur sërish me po të njëjtën forcë artistike në sezonin e Marsit. Ndërkohë, fokusi i intervistës me të mbetet brenda kuadratit të rubrikës sonë, prirjes për të eksploruar më në brendësi të personazhit dhe botës së tij. Të tillë filozofi, tejet të veçantë mund ta lexoni në gamën e pasur të përgjigjeve të artistit.

Ka disa të diela që po mungon “Portokallia”, me çfarë po merresh ndërkohë?

-Portokallia është si puna e një kampionati, ka nevojë për pak ditë pushim, në mënyrë që të fillojë sërish lojën e radhës. Në këtë moment jemi në fazën përgatitore e cila do finalizohet në Mars. Natyrisht brenda një procesi në të cilin zhvillohet “Portokallia”, si çdo spektakël, ka personazhe që kërkojnë të transformohen si figura, qoftë për një këndvështrim më të suksesshëm, qoftë për shkaqe të ndryshme. Pra, jemi në një proces...

Mos ndoshta ky pushim vjen edhe si një nevojë për t’u ruajtur nga konsumimi?
-Natyrisht unë nuk mund të pretendoj se “Portokallia” është gjëja më e përsosur, por gjithsesi di se, që nga fillimi rezultatet e saj kanë qenë gjithnjë në rritje, gjithnjë të pëlqyeshme dhe të vlerësuara nga spektatori. Në filozofinë e asaj që kam në moralin tim është që humori që unë përfaqësoj të jetë pjesë e tavolinës shqiptare. Njerëzit ashtu siç kanë nevojë për ujë, për bukë e për diell, po aq kanë nevojë që të mos u mungojë e qeshura. Duke pasur parasysh këtë lloj filozofie nuk i trembesh më konsumimit. Sa kohë që njeriu gjithnjë përpiqet të sjellë risi, dhe të mos bjerë në përsëritje e shmang këtë risk.

Gjithnjë je shquar për mënyra të mira organizative?

-Jo, s’mund të them gjithmonë...sepse s’kam lindur brigadier (qesh)...

Po komandant klase fjala bie nuk ke qenë ndonjëherë?
-Pooo....mund të kem qenë komandant klase, kompanie apo pozicione “lideri” siç ka pasur atëherë (qesh)....madje edhe komandant toge në shkollën “Skanderbeg” dikur...por në “Portokalli” nuk kemi të bëjmë thjesht me aftësi komanduese .... Në përgjithësi karriera ime ka nisur si individ, kam qenë i vetëm, më pas u bëra dyshe me Koç o Devolen, pastaj u bëmë një brigadë më e madhe me Pali Kuken e Stefan Gajon ku kemi prodhuar kaq e kaq vlera humoristike në “Telebingo” dhe prej aty më pas, brigada më e madhe natyrisht që është “Portokallia”, e cila kërkon jo vetëm një bashkëpunim të frytshëm por edhe ide dhe një frymë të mirë sepse në fund të fundit suksesi dhe mosuskesi është pjesë dhe përgjegjësi e të gjithëve ne bashkë. Madje unë kam një moto timen: askujt nuk ia imponon dashurinë por respekti është detyrim.

Nga larg shquhet një frymë pozitive bashkëpunimi në “Portokalli”, është kështu vërtetë?

-Absolutisht që ka një atmosferë shumë pozitive, por edhe ne, nëse do ta konsideronim veten si një familje, kemi herë mbas here problemet tona të cilat i zgjidhim po brenda “familjes” së “Portokallisë” dhe nuk priremi t’i nxjerrim në rrugë.

Kjo është meritë e drejtuesit?
-Nuk mund të them se është meritë e imja sepse unë nuk jam i vetmi drejtues, jam sëbashku me regjisorin Altin Basha, dhe me të gjithë bashkëpunëtorët, të cilëve s’mund t’u mohohet rëndësia dhe vlera që ata sjellin qoftë dhe me një batutë. Ky është një art kolektiv dhe unë asnjëherë nuk jam prirur ta shoh ndryshe.

Shquaj shenja modestie tek ti?
-Nuk është çështje modestie, edhe unë natyrisht që kam pasur pakënaqësitë e mia, por nuk jam me moralin që ata duhet të më jenë mua mirënjohës. Është në moralin e gjithsecilit nëse di të jetë, ose jo, mirënjohës. Unë kam punuar që “Portokallia” të jetë e suksesshme duke guxuar ndoshta të bëj edhe kompromise gjatë rrugës. Unë s’mund të them që të gjithë ne jemi të përsosur dhe idealë, që të gjithë kanë problematikën e tyre, për hirë të asaj që quhet punë dhe sukses.

Kjo do të thotë se nëse mirënjohja nuk të kthehet nuk ka shumë rëndësi për ty?

-Natyrisht si çdo njeri edhe unë kërkoj që tjetri të më jetë mirënjohës në një moment që unë kam investuar për të, por e kuptoj se gjëra të tilla ndodhin, nuk jam as i pari as i fundit që më duhet të zhgënjehem nga mosmirënjohja. Unë mundohem të ofroj gjithë çfarë kam më të mirën time, por nëse nuk marr po të njëjtën gjë nga tjetri, nuk mund të pretendoj që ta ndryshoj, as veten as atë. Me këtë s’dua të them se unë jam më i miri: unë jam në raport mes të mirës dhe të keqes dhe përgjithësisht jam partizan i shprehjes “nëse nuk jam në gjendje të të bëj mirë, së paku nuk të bëj keq” .

Thua se nuk pretendon të ndryshosh as tjetrin as veten në një raport të caktuar, kjo do të thotë se ti nuk mendon se ke diçka për të ndryshuar, apo përmirësuar në natyrën apo qëndrimin tënd, në përgjithësi?
-Problemin tim unë e shoh në një tjetër prizëm: të jesh artist nuk mund të bëhesh dot komandant. Është e vështirë të vësh disiplinë në një pozicion të tillë... Më duket se në këtë pikë edhe çaloj pak.

Pse e sheh të vështirë? Në çfarë pozite të vë?
-Natyrisht, janë elemente që kaliten ose edukohen gjatë kohës që formohesh si figurë, si personalitet...por ndër gjërat që s’bëj dot kompromis është disiplina në puna...

Për ty është e rëndësishme disiplina në punë?
-Absolutisht që është shumë e rëndësishme, është kriteri i parë për të pasur sukses në punë. Sepse duke zbatuar disiplinën e punës, në radhë të parë respekton veten tënde, pa dashur të pretendoj se krijimtaria është vetëm brenda një procesi pune, e megjithatë është mirë të respektohet një kuadrat standard i vlefshëm për të gjithë.

Me sa kuptoj je një natyrë që përpiqesh ta mbash nën kontroll çdo gjë rreth teje dhe që lidhet me ty. Është kështu?
-Sigurisht. Nëse nuk do kisha një raport të mirë me regjisorin natyrisht që nuk mund të ishim këtu ku jemi. Prandaj, çdo kush duhet të kontribuojë për të ndërtuar raporte të mira dhe sjellë një frymë pozitive në stafin tonë: Fjala bie-Ti mund të kesh ardhur nga rruga, ke atë dhunti që ke, je mirëpritur, përkrahur, pasi kemi bërë përpjekjen maksimale që ti të ndjehesh dikush, dhe një ditë të bukur i dehur nga euforia dhe fjalët e përkëdhelura të publikut mund të mendosh “e çfarë janë Agroni dhe Altini para meje?”

Ka ndodhur ndonjëherë kështu?

-Pikërisht se ka ndodhur e përmenda...fenomene shqiptare këto, dihen tashmë (qesh)...

Si i përjeton kur ndodhin fenomene të tilla? Zhgënjehesh?

-Me keqardhje...Në përgjithësi unë kam një shprehje që e përdor shpesh për të gjithë talentet: “E rëndësishme në art është të punosh që të mbetesh yll, dhe jo thjesht meteor” .

Shquaj shumë racionalitet tek ti, në mënyrën se si je prirur për t’i fituar dhe për t’i menaxhuar situatat dhe sukseset. Është dhunti e jotja, apo diçka e fituar nga përvojat?

-Mendoj se kjo ka ardhur me kalimin e kohës. Unë kam punuar me emra të mëdhenj të artit dhe humorit shqiptar dhe padyshim që edhe kjo ka ndikuar shumë.

Po humori është diçka e lindur apo e fituar tek ti?

-Humori është karakteristikë e familjes sime në tërësi, unë nuk jam i vetmi që bëj humor, të gjithë shquhemi për këtë në familje, por sidomos vëllai im i vogël është shumë i talentuar, pavarësisht se nuk arriti dot të dalë në skenë.

Arsyeja?
-Arsyeja sepse nuk arriti dot ta kalojë cakun e emocioneve që i jep skena dhe kamerat. Janë disa njerëz që bëjnë humor të shkëlqyer në tavolina por kur gjenden në publik transformohen.

Duke qenë kështu, të ndodh ndonjëherë të marrësh ndonjë kritikë profesionale nga vëllai?
-Vëllain (Adin) e kam një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Edhe pse larg njëri-tjetrit gjeografikisht ai sërish mbetet një këshilltar i pazëvendësueshëm për mua, është oponenti im i parë, po ashtu edhe realist në çdo mendim që më jep.

Me sa di, ti vjen nga një familje e madhe?
-Po, ne jemi shtatë fëmijë (katër djem dhe tri vajza).

Ti je më i madhi?
-Jo. Unë jam i treti i vërteti (qesh).

Çfarë mendojnë vëllezërit dhe motrat e tua për gjithë çfarë ke arritur në jetë?
-Ata janë gjithnjë pjesë e sukseseve të mia. Pavarësisht se jemi shpërndarë, ne jemi kaq të lidhur me njëri-tjetrin dhe gjendemi në çdo rast, sepse është dashuria e madhe që na mban gjithnjë të ngjitur. Secili nga ne ka status të ndryshëm social dhe ekonomik, por dashuria e secilit nga ne është konstante. Unë asnjëherë nuk kam bërë dallime mes motrave dhe vëllezërve, i dua të gjithë njëlloj dhe jetoj me shqetësimet e tyre.

Në përgjithësi edhe nga larg shquhet një sens human në natyrën tënde, nga të buron...?
- Unë jam një njeri si gjithë të tjerët, dhe siç e thashë, luhatem në raportin mes të mirës dhe të keqes. Edhe unë mund të kem pasur momentet e mia të irracionalitetetit ku dhe mund të kem gabuar, por gjithnjë e kam moralin për të thënë “më fal”.

Mban mend ndonjë detaj të një momenti të tillë?
-Një rast ka qenë në kohën e fushatës elektorale të para katër viteve, kur kandidonte Spartak Ngjela për bashkinë e Tiranës, dhe unë imitova duke luajtur rolin e tij pa e menduar se u bëra pa dashur pjesë e “luftës” ...Unë jam artist që u takoj të gjithëve, jo vetëm një pjesë. Unë, pa dallim feje, krahine dhe ideje absolutisht i dua të gjithë shqiptarët. Nuk dua të bëj Mesian, por duke qenë se jam kalimtar në këtë jetë dua të lë një gjurmë të mirë, as të majtë as të djathtë, por thjesht gjurmë artisti.


Llakaj 47 vjeç, Së shpejti gjysh


Mendon shpesh për të kaluarën?
-Sigurisht. E kaluara është pasqyra që duhet të orientojë ç do njeri, nga vjen, ku shkon.... Madje kam filluar të mendoj se mund të filloj të shkruaj edhe një libër për jetën time. Kjo do të jetë si një trashëgimi edhe për fëmijët, për fëmijët e fëmijëve...ja për një muaj pres të bëhem gjysh dhe shumë shpejt mund të bëhem me shumë nipër e mbesa...

Si po e përjeton këtë kohë teksa pret të bëhesh gjysh? Nuk të duket vetja pak i ri për të qenë gjysh?
-Në momentin e parë kur mësova se ime bijë priste një fëmijë të them të drejtën gati u shokova, sepse edhe vajza ishte shumë e re për të qenë nënë, jo vetëm unë shumë i ri për të qenë gjysh. Nuk kam provuar në jetë dashuri më të madhe se dashuria për fëmijët dhe realisht çfarëdo lloj dashurie që fëmija më ofron për mua është mbi të gjitha dashuritë.

Pra, familja juaj po shtohet, po bëhet më e madhe me ardhjen e mbesës?

-Natyrisht. Unë vij nga një familje e madhe, krijova një familje të vogël që aktualisht përbëhet nga unë, ime shoqe Kostandina, djali Eno, vajza Alkida por së shpejti do na shtohet dhe mbesa dhe kjo është si një mrekulli për ne.

Jam kurioze të di, nëse në familjen tuaj gjen gjithnjë humor, apo humori për ty është thjesht profesion?
-Në shtëpinë tonë e vetmja që nuk ka humor është ime shoqe, Kostandina.

Gjithë këto vite duke jetuar me ty, nuk ia ke ushqyer sado pak sensin e humorit?
-Batutën e vetme që ka prodhuar në tërë këto vite bashkë e përdora edhe në “Portokalli” madje. Unë po rrija në sallon, ajo më shumë se gjysmë ore diçka po bënte në kuzhinë, prita e prita e më pas e thirra: “çfarë m...po bën një orë në kuzhinë?” Ndërkohë që ajo më kthehet e më thotë “Atë që do hash ti nesër po bëj” – d.m.th. po gatuante drekën, po sa kemi qeshur thuaj....

E ndjen të privilegjuar veten gruaja jote që është përkrah një burri kaq të suksesshëm dhe që ia bën jetën me humor?
-Në fakt unë ndjehem më shumë i privilegjuar, sepse ajo ka vlera të veçanta për mua. Madje këtë po e ndjej pikërisht këto ditë që i është dashur të largohet për pak kohë nga Shqipëria për t’i ndenjur pranë vajzës.

Me sa duket largësia është një lloj provë që ju bën të kuptoni dashurinë për njëri-tjetrin?
-Kjo është një ndarje e shkurtër që në fakt po na shërben për mirë edhe mua edhe djalit për të kuptuar se çfarë është familja, dhe ndjejmë se po na mungon shumë familja e bashkuar.

Ju jeni një çift që jeni martuar shumë të rinj dhe që keni përballuar shumë sfida bashkë, si e keni ruajtur lidhjen kaq të shëndetshme?
-“Hipokrizia është e modës”- thotë Molieri në gojën e Don Zhuanit, sepse hipokrizitë nganjëherë janë më të vlefshme...natyrish t edhe ne nuk është se kemi kaluar pa probleme. Por kemi ardhur në një moment që nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin. Kjo tregon që gjërat më të mira tonat kanë krijuar një assosacion vlerash që kanë mbajtur gjallë dhe të shëndetshme familjen tonë.

Po të kishe qenë në një vend tjetër, me tjetër mentalitet a mendon se rrjedha jote e jetës personale do kishte ardhur ndryshe?
-Më vjen ndër mend një këngë që e ka kënduar Edi Rama “Jetojmë në Tiranë”... nuk e di çdo kishte ndodhur me mua po të kisha lindur në një vend tjetër...nuk e zgjedhim vetë vendin ku lindim.

Je një burrë në qendër të vëmendjes, i rrethuar me shumë femra të bukura...ka ndodhur që bashkëshortja jote të shfaqë shenja xhelozie?
-E thashë edhe më parë “hipokrizia është në modë”, e megjithatë mua asnjëherë nuk më ka pëlqyer të shtirem. Mua vërtetë e bukura më tërheq dhe më pëlqen, por nuk lejoj që e bukura të më shkatërrojë jetën, dhe mbi të gjitha familjen.

Pra, ka pasur shenja xhelozie tek jot shoqe?

-Natyrisht. Por ka ardhur një moment dhe ka kuptuar gjithë moralin e së vërtetës se: Agroni ka qenë i saj.

Me sa kuptoj është edhe merita jote që i ke krijuar asaj aq siguri?
-Unë nuk mund të pretendoj se jam njeriu më perfekt apo më i kulluar në botë për të. Unë jam Agroni, në hapësirën e problemeve të zakonshme që mund të ndodhin tek çdo njeri. Por mbi të gjitha kemi dhënë prova se ne të dy e kemi dashur njëri-tjetrin. Mbi të gjitha për mua koncepti i familjes është paksa konservator. Unë nuk kam bërë asnjëherë, asnjë lloj kompromisi në kurriz të familjes sime. Përkundrazi gjithnjë kam investuar për familjen.


Problemet nuk i ndrydh përbrenda

Veç investimit tënd profesional, duke qenë i lidhur me televizionin, a të është dashur të investosh shumë edhe për pamjen tënde të jashtme?
-Ndoshta këtu jemi tek pika e dobët. Në përgjithësi jam natyrë impulsive dhe nuk rri dot pa bërë asgjë, por problemi im është se mua më është privuar e drejta për t’u marrë me sport sepse kam probleme me shëndetin (herrnie diskale) dhe pavarësisht vullnetit që kam, nuk mundem të arrij linjat që dëshiroj. E vetmja gjë që mund të bëj është të eci nga liqeni dhe të shoh të tjerët që vrapojnë (qesh).

Shoh keqardhje tek ti për këtë gjë?

-E vërtetë, e thashë që është pjesa ime e dobët. Me vullnetin që kam mund t’ia kisha dalë të isha vërtetë sportiv siç kam qenë gjithmonë si natyrë, por megjithatë përpiqem.

Më the që në natyrë je më shumë sportiv. Po veshja jote zakonisht është si sot, me kostum dhe kollare?
-Jo. Në përgjithësi nuk është kjo veshja ime. Unë karakterizohem nga një lloj sportiviteti edhe në veshje. Kollarja dhe kostumi më krijojnë një lloj zyrtarizmi që nuk është në natyrën time, por nganjëherë duhet të vihem nën të tillë petk. Por di të them se ashtu siç jam në natyrë sportiv, edhe shpirtin sportiv e kam.

Në përgjithësi veshjet e tua i zgjedh vetë? Sidomos ato që të duhen për spektaklet e “Portokallisë”?
-Në përgjithësi zgjedhja e veshjeve të mia bëhet kolektive, sepse kryesisht bëj “shoping” (siç ka dalë kjo fjala e re tani-qesh) kur jam me familjen.... Pra veshjet e mia janë produkt familjar...(qesh).

A mund të jetë mik i yti një person që s’di të qeshë?
-Ai që s’di të qeshë nuk mund të jetë miku im, pasi është i keq dhe i rrezikshëm.

Po ti vetë a ndodh ndonjëherë që të ndjehesh pa humor dhe të kesh nevojë që të ndash mërzinë me dikë?
-Natyrisht, edhe unë jam një njeri si të gjithë të tjerët. Kur jam i mërzitur kam nevojë për fjalën e një miku apo të një mikeshe. Është mirë që ashtu si gëzimin edhe mërzitjen t’a ndash me miqtë.

Nga larg të krijohet ideja se ti je thjesht për të ndarë vetëm humor dhe gëzim me të tjerët?
-Mua më pëlqen që është ky imazh por e vërteta është ndryshe. Unë jam njeri prej mishi dhe gjaku, e thashë, si të gjithë të tjerët, mbi të gjitha jam natyrë shumë e ndjeshme dhe i përjetoj shumë gjërat që ndodhin rreth meje. Madje këtë mund ta shpjegojë më mirë një shprehje e Çaplinit për humoristët: “Qeshu palaço qeshur, se shpirti e di se ç ’heq”.

Çfarë ndodh nëse je duke përjetuar një situatë stresante dhe gjendje jo të mirë emocionale, dhe ndërkohë të duhet të dalësh të bësh humor në skenë?
-Unë kam një parim që e kam të huazuar nga Heminguej “Beso dhe moho”.

Kjo do të thotë se ti përdor mekanizmin e mohimit të realitetit për të dalë nga situata?
-Po. Në momentin që unë dal në skenë unë në mënyrë kategorike harroj gjithçka tjetër (fatmirësisht nuk më ka ndodhur ndonjë gjë tejet e rëndë deri tani). Pra, në momentin që jam përballë spektatorit unë jam Agroni artist, që kam për të kryer misionin tim dhe këtë e arrij duke e ndarë Agronin artist nga Agronin njeri (nga halli që mund të kem).


Mirela Sula (Gazeta Panorama)

Commenti