Aishe Stari: - "Unë aktorja që theva tabutë e femrës"

Aishe Stari: - "Unë aktorja që theva tabutë e femrës"

Aktorja e madhe e Estradës së Durrësit Aishe Stari tregon për karrierën e saj. Ajo tregon për dashurinë e madhe që ka për aktrimin dhe tabutë që ka thyer për t’u bërë një aktore. Pyetjes se kush është roli i saj më i dashur ajo i përgjigjet “Është njëlloj sikur ti thuash një nëne se cilin nga fëmijët e saj do më shumë. Pra edhe unë nuk zgjedh dot. Se kush është më i arriri profesionalisht s`më takon mua ta gjykoj, por mund të them se të gjitha rolet i kam luajtur me ndjenjë, kam vënë shpirtin për ti interpretuar saktë dhe me shumë dashuri”. Aishe Stari pohon se është ndjerë mirë dhe e privilegjuar për faktin se ka arritur të realizojë ëndrrën e saj më të madhe në jetë.



Ka qenë zgjedhja juaj profesioni i aktores?
-Pas mbarimit të gjimnazit më doli e drejta për të vazhduar shkollën e lartë për Biokimi, por unë që e vogël kisha një ëndërr të zjarrtë “të bëhesha aktore”. Ngulmova në këtë drejtim, theva tabutë e asaj kohe ndaj opinionit për femra, guxova dhe mendoi se bëra mirë. E preka ëndërrën dhe e shijova. Megjithëse profesioni i aktorit është vërtet i vështirë e i lodhshëm pasi duhet të harrosh gjithçka kur je në skenë e të përqëndrohesh tek personazhi artistik që interpreton, gjithsesi jam ndjerë mirë dhe e priveligjuar në këtë drejtim.

-E gjeni vetën tuaj me shumë në humor, dramë apo film ?

-Kam mbaruar një shkollë për aktore dhe si e tillë duhet të di të interpretoj një rol pavarësisht nga preferencat. Në kohën time ishte gjë e rrallë të quheshe aktore e arsimuar, e formuar në kuptimin e plotë të fjalës. Filma xhiroheshin fare pak, për vetë kushtet në të cilat ishin, ndaj u angazhova me trupën profesioniste të estradës, e cila kishte një aktivitet të gjerë kulturor dhe më jepte mundësinë të shprehja talentin tim. Gjithsesi kam luajtur edhe në disa filma artistikë, për shembull në filmin “Fije që priten” etj, por megjithatë për shkak të angazhimit në estradë dhe zhvendosjes së herë pas hershme për shfaqje, nuk arrija dot ta përballoja edhe estradën edhe filmin, kështu që zgjodha të parën. Secila gjini ka rëndësinë e vet, por për mua aktrimi është si ajri që më ndihmon të jetoj, ndaj nuk bëj dot dallime.

-Si kanë qenë marrëdhëniet tuaj me kolegët ?
-Mund të them vetëm fjalët më të mira. E them këtë shumë sinqerisht. Kemi gjetur mirëkuptim për bashkëpunimin e shfaqjeve, por edhe pas kaq vitesh kemi mbetur miq të mirë edhe jashtë skenës.

-Si e përjeton një aktore e humorit situatën e vështirë politike që po kalon vendi ynë?

-Në radhë të parë unë jam njeri dhe si e tillë kam ndjenja gëzimi dhe hidhërimi. Jam mjaft e ndjeshme ndaj dhunës që ekziston, papunësisë e varfërisë, por qoftë këto probleme madhore qoftë ato personale, familjare e shoqërore përpiqem ti kaloj me “humor”. Jo sepse jam profilizuar në këtë drejtim, por nga që është mënyra më e drejtë për të mos rënë në depresionin shkatërrues e për ti kaluar gjërat sa më lehtë.

-Ju keni drejtuar një sërë emisionesh për fëmijë në televizionet lokale. Ç'të veçantë gjeni tek ata ?

-Fëmijët i dua vërtetë shumë dhe nuk jam e kënaqur që atyre nuk u kushtohet vëmendja e duhur. Duhet patjetër t”u rezervohet një hapësirë më e madhe në media, pasi ata janë e ardhmja e vendit, por duhet të edukohen me kulturën e pse jo t’u krijohen kushte që ta shijojnë fëmijërinë, këtë pjesë të jetës që s’do tu përsëritet. Edhe unë jam rritur me përrallat me gjithçka fëminore, ndaj mungesa e disa gjërave elementare por mjaft të domosdoshme për fëmijët më dha shtysën të bëja diçka për t’u kthyer buzëqeshjen e pafajshme, qoftë dhe për pak orë.

-Sa role keni luajtur gjatë karrierës suaj?
-(Qesh) Kam 27 vjet punë dhe të them të drejtën si mbaj mend. Bënim 4-5 premiera në vit, por nuk kam qenë ndonjëherë maniake për ti numëruar. E rëndësishme ishte që të bëja një punë të mirë dhe shikuesit të mbeteshin të kënaqur. Ky ka qenë parimi im që “me një realizim perfekt të rolit të respektoja profesionin, të justifikoja punën e të nderoja qytetin tim.

-Kush është roli juaj i preferuar?

-Është njëlloj sikur ti thuash një nëne se cilin nga fëmijët e saj do më shumë. Pra edhe unë nuk zgjedh dot. Se kush është më i arriri profesionalisht s`më takon mua ta gjykoj, por mund të them se të gjitha rolet i kam luajtur me ndjenjë, kam vënë shpirtin për ti interpretuar saktë dhe me shumë dashuri.

-Personazhi që ju ka mbetur peng, që keni vërtet përzemër të realizoni ?

-Si shpirt artisti jam gjithmonë në riprodhim të ideve e personazheve, dhe me këmbënguljen, punën e talentin, kam realizuar gjithçka që kam dashur. Nuk do të kem asnjë peng derisa të funksionojë ky burim shkëndijash i mendjes artistike.

-Projekti juaj më i afërt anon nga pushimet e sezonit apo sërisht tek shfaqjet ?
-Nuk e njoh fjalën “pushim” sepse puna është gjithçka për mua, edhe shlodhje. Para disa kohësh ishim me trupën tonë në qytetin e Vlorës ku u paraqitëm denjësisht, dhe tani po përgatitemi për një shfaqje të mirëorganizuar e cilësore, me rastin e rihapjes pas kaq vitesh të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Shpresoj dhe besoj se do të dalim mirë, pasi i jemi përkushtuar shumë, që të gjithë, këtij programi të veçantë.

Commenti