Bujar Kapexhiu: “40 vjet Humor”, në ditën e gënjeshtrave do të themi të vërteta

Bujar Kapexhiu: “40 vjet Humor”, në ditën e gënjeshtrave do të themi të vërteta

Nga Gazeta Sot

Është një nga njerëzit që ka dhënë një kontribut të çmuar në artin shqiptar. Shumë shpejt do të vijë para spektatorit si regjisor me një shfaqje humoristike. Bujar Kapexhiu është regjisor i shfaqjes “40 vjet Humor”, e cila do të prezantohet përpara spektatorit në datën 1 prill. Në fushën e artit ka shumë vite që ka qenë i pranishëm. Pasi mbaroi shkollën e lartë, ai u caktua si regjisor i Estradës së Tiranës. Kështu, Kapexhiu, u fut në rrugën e artit, ku më pas solli shumë bashkëpunime, interpretime, role, të cilët kujtohen dhe sot e kësaj dite me batutat e tyre.Bujar Kapexhiu është një ndër themeluesit e filmit komik në Shqipëri. Ai ka interpretuar në shumë filma, ku ka pasur dhe rolin kryesor. Ndër filmat e tij humoristikë, më të spikaturit janë: “Edhe kështu edhe ashtu”, “Stola në park”, “Dy herë mat”, “Tela për violinë” e shumë të tjerë. Për kontributin e tij në artin shqiptar është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”. Shfaqja që vjen me regjinë e Bujar Kapexhiut “40 vjet Humor” bëhet për 65-vjetorin e aktorit të humorit Veli Rada. Në këtë shfaqje humoristike do të ketë të ftuar mjaft aktorë të shquar si: Fadil Hasa, Behar Mera, Marjana Kondi, Vasillaq Vangjeli, Arben Spahia, Julia Iliriani, Rita Lati etj. Këngëtarë si: Myfarete Laze, Kastriot Tusha, Irma Libohova, Eranda Libohova, Evis Mula, Samanta Karavello etj, si dhe do të marrin pjesë futbollistë të shquar, trajnerë, komentatorë e gazetarë sportiv. Në një intervistë dhënë për gazetën “Sot” Kapexhiu rrëfeu për organizimin e saj, por nuk harroi që të tregonte edhe për vitet që ka kaluar pranë Estradës së Tiranës.

-Jeni regjisor i shfaqjes “40 vjet Humor” që shumë shpejt do të jetë përpara spektatorit. Mund të na tregoni diçka rreth saj?

Për shfaqjen fillimisht ideja ishte e Veliut sepse ai i mbushi 65-vjeç dhe kishte dëshirë që me këtë rast të organizonte një spektakël, i cili do të ishte nga gjithë aktiviteti i tij si aktor. Padyshim që pas propozimit të tij unë pranova që të jem libretist dhe regjisori i spektaklit. Fillimisht ne u munduam që të krijojmë materiale të reja, qoftë dhe materiale që sot janë dukuri të shoqërisë sonë sepse kjo do të jetë më me interes për spektatorin. Por në këtë shfaqje pa dyshim që ne kemi vendosur edhe disa pika të nostalgjisë të kujtimit të disa materialeve shumë të suksesshme që ka pasur Veliu gjatë këtyre 40- vjetëve në skenë ku ai ka luajtur si aktor i humorit.

-Shumë shpejt shfaqja do të ngjitet në skenë, por shikohet se janë edhe shumë artistë të njohur të humorit shqiptar që do të jenë pjesë e saj. Si u bë kjo përzgjedhje?

Unë mendoj se skena ka nevojë për shumë artistë, por edhe vetë Veliu në jetën e tij ka interpretuar me të gjithë këta artistë, pastaj ishte dhe diçka tjetër që nëse do të merrnim në shfaqje një aktor pa dyshim do ti ngelej hatri një aktori tjetër. Por në këtë aspekt është edhe diçka tjetër e bukur, pasi nuk është puna që në këtë shfaqje humoristike është vetëm Veli Rada. Në këtë shfaqje ka edhe shumë aktorë të vjetër që e kanë krijuar teatrin e humorit në Shqipëri, por kjo shfaqje është një festë për të gjithë humoristët, pasi ka aktorë të rinj dhe aktorë të vjetër. Në këtë shfaqje humoristike ata do të festojnë të gjithë sëbashku. Ata do të jenë si një ansambël me këtë humor në këtë përvjetor të Veliut.

-Në vite publiku mban mend Estradën e Tiranës që ishte mrekullueshme. Mendoni se kjo shfaqje duke qenë një pjesë e madhe e aktorëve të saj do të bëjë diçka të tillë?

Mund të them se mua më vjen keq dhe pa dyshim që ndjej dhimbje për Estradën e Tiranës sepse aty unë kam një pjesë të jetës sime artistike. Unë në Estradën e Tiranës kam punuar për pesë vjet si regjisor, por unë mendoj se mbyllja e kësaj Estrade qe një gabim jashtëzakonisht i madh që është edhe një gabim tepër i pafalshëm. Por megjithatë aktorët e saj vazhdojnë krijimtarinë e tyre dhe pikërisht edhe ky grumbullim është jo vetëm nostalgjik, por dhe tregon që ne jemi akoma dhe mund ta bëjmë spektatorin që të qeshë akoma me numrat tanë humoristikë dhe të gëzohet në këto ditë.

-Si e shikoni zhvillimin e humorit sot në vendin tonë, pasi shikohet se të tilla shfaqje janë shumë pak?

Është shumë e vërtetë që shfaqje të tilla shikohen shumë pak në skenat tonë, por sot nuk është e lehtë që të bësh humor. Është një shprehje që thotë se humori është privilegj i të mençurve. Por me sa duket shumë të mençur nuk po merren shumë me humorin sepse po merren më shumë me biznese apo janë larguar nga Shqipëria dhe kanë mbetur shumë pak aktorë. Po kështu do të thosha që kanë mbetur shumë pak regjisorë dhe shumë pak kanë mbetur dhe libretistë, pra shkrimtarët që shkruajnë për humorin. Por megjithatë duhet edhe një përkrahje nga shteti në këtë drejtim. Ne nuk kemi se çfarë të themi kur mbyllet një estradë, ose kur braktis një teatër tjetër të humorit, ose nuk ofron mundësi të tjera. Me këto mund të themi se çfarë do të bëhet, dhe pa dyshim që këta njerëz do të largohen duke i hequr spektatorit atë kënaqësi dhe atë gëzim që duhet patjetër ta marrin nga arti.

-Si një njeri që keni kontribuar në fushën e humorit shqiptar si e gjykoni faktin që nëpër rrethe ekzistojnë trupa humoristike ndërsa Estrada e Tiranës nuk ekziston më?

Mund të them se kjo është e çuditshmja, por për këtë mund të flasë më mirë edhe pushteti lokal që e bëri këtë gjë me Estradën e Tiranës, por këtu mund të them se edhe pushteti qendror ka një përgjegjësi. Në një kohë që ne mendojmë që të ndërtojmë skena të reja, në një kohë që nga Akademia e Arteve dalin aktorë të rinj, neve pikërisht këtyre u mbyllim dyert sepse i mbyllim dyert e teatrove. Edhe për sa i takon teatrove të rretheve që janë akoma, edhe ato mund të them se sot ekzistojnë. Aty janë vetëm pak aktorë që janë të atashuar brenda kuadrit të teatrit dhe ai aktivitet siç ka qenë më parë pothuajse është i zhdukur. Në shumë pak raste vetëm me iniciativën e aktorëve mund të bëhet ndonjë shfaqje, një ose dy në vit.

-Si në çdo fushë të artit edhe në gjininë artistike të fushës së humorit ka elementë të rinj. Si e shikoni sot këtë zhvillim të tyre në fushën e humorit?

Të them të drejtën sot ka nevojë për elementë të rinj dhe nëse do të vësh re në spektaklin e humorit “Portokalli” ka shumë aktorë të rinj. Për mendimin tim ata janë shumë të talentuar, por duhet të mendojmë se është vetëm një spektakël. Por po sikur të ishin disa qendra të tilla humoristike? Me këtë unë dua të them që do të kishte vend edhe për shumë aktorë të rinj të talentuar, por që nuk po aktivizohen sepse nuk po gjejnë terren. Pra e rëndësishme është që edhe vetë këta aktorë të rinj dhe regjisorë e libretistë të organizohen dhe të krijojnë spektakle të tilla, duke i kërkuar shtetit që ti hapi mundësin dhe ti japi skenën që edhe ata të kenë mundësi që të shpalosin vlerat e tyre.

-Jemi duke folur për humorin dhe le të kthehemi sërish tek shfaqja. Pse do të prezantohet përpara spektatorit në datën 1 prill?

Megjithëse data 1 prill quhet dita e gënjeshtrave shfaqja nuk ka të bëjë aspak me këtë ditë, por është një koiçidencë. Duke kërkuar salla, sepse tek ne edhe për një spektakël duhet të kërkojmë salla sepse ato mungojnë, salla e Akademisë së Arteve ishte në dispozicion në datën 1 prill. Atëherë me që e gjetëm sallën ne pranuam që në këtë datë të jetë edhe shfaqja “40-vjet Humor”. Megjithëse është dita e gënjeshtrave, në të vërtetë ne do të themi gjëra të vërteta dhe nuk do të gënjejmë atë ditë.

-Sa ndikon në shoqëri humori me mesazhet që transmeton?

Kur themi që ne spektatorit i japim një mesazh, ai në çfarëdo lloj forme që të jetë spektatori e merr këtë mesazh. Por kur këtë ai arrin që ta marrë në formën e humorit bashkë me mesazhin ai merr edhe buzëqeshjen. Tek ne dihet fare mirë se shoqëria jonë në këtë tranzicion të stërzgjatur ka me qindra probleme të cilat mund të trajtohen shumë mirë edhe në mënyrë dramatike, por në fushën e humorit ne problemet i shohim në një këndvështrim të bukur që është ai humoristik, pra i njëjti problem shikohet në një mënyrë tjetër. Me shfaqjet tona ne i japim spektatorit edhe problemin, por gjithashtu i shtojmë edhe kënaqësinë, edhe buzëqeshjen.

-Për sa i përket shfaqjes, si do të jetë e ndërtuar për sa i përket aktoreve dhe repertorit?

Në shfaqje ka aktorë të rinj, ka edhe elementë të rinj të ndërtimit të spektaklit, por edhe shumë numra të rinj të repertorit të cilët janë të ndërthurur me njëri – tjetrin. Kjo gjë në shfaqje do të krijojë një spektakël unikal.

-Gjatë realizmit të shfaqjes a keni hasur vështirësi?

Në fakt nuk është se kam hasur vështirësi, pasi ne kemi pasur kushte shumë të mira në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”. Me aktorët kemi punuar çdo ditë dhe kanë qenë të gatshëm duke punuar plot pasion. Puna dhe talenti i tyre ka bërë që të mos ndjejmë vështirësi.

-Pas kësaj shfaqje, cili do të jetë projekti i radhës i regjisorit Bujar Kapexhiu?

Pas këtij projekti unë kam një tjetër dhe mendoj se është shumë interesant. Për nder të artistit, këngëtarit, aktorit, rapsodit, historianit, etnografit që është Hazis Ndreu, i cili ka edhe titullin “Mjeshtër i Madh” dhe ka punuar në Estradën e Dibrës, por që fatkeqësisht ka vdekur ne do ti festojmë 80 - vjetorin e lindjes. Do të organizojmë një spektakël me këngëtarë dhe me aktorë nga më të njohurit, duke u mbështetur nga krijimtaria e tij. Spektakli do të zhvillohet në Tiranë dhe më pas ne do të shkojmë pa dyshim edhe në Dibër

Commenti