Elvis Pupa: Ju rrëfej surprizën time

Elvis Pupa: Ju rrëfej surprizën time

Ka arritur të fitojë zemrat e publikut me dy personazhet e realizuara me aq mjeshtëri: Ninin dhe Avdiun. Dëshiron të arrihet gjithmonë më e mira në punën dhe jetën e tij, duke kërkuar gjithmonë perfekten dhe maksimalen. Duke u ngritur gjithmonë e më lart Elvis Pupa pas largimit nga ‘Portokalli’ shihet dhe në të tjera dimensione po aq të suksesshme ndërsa një tjetër surprizë e tij pritet të zbulohet shumë shpejt. Ndër të tjera Elvisi zbulon dhe disa anë të panjohura të jetës së tij duke rrëfyer rreth jetës private.

Pas largimit nga ‘Portokalli’ u shfaqët për publikun në një tjetër formë? Si ju lindi idea për të realizuar një këngë?
Doja të provoja dicka ndryshe që nuk e kasha bërë më parë, ishte kënga. Ishte thjesht një ide. Kisha dëshirë një rrymë tjetër që e dëgjon vetë Elvisi si person dhe jo personazhet e tij. Desha t’i shfaqem publikut në një mënyrë tjetër dhe jo si personazhet e deritanishme. Kjo ishte një kënaqësi personale. Nuk kam mendim për të vijuar më tej në këtë fushë, për të bërë karrierë në muzikë. Profesioni im i vërtetë është aktrimi. Desha të realizoja vetëm një këngë dhe e përfundova. Ishte thjesht pasion.

Sa kohë u desh për ta përgatitur këngën?
Për këngën në fakt është dashur shumë. Ka qenë e shtrirë në një periudhë kohore të gjatë ku i shtohen këtu edhe ndërprerjet që jam dashur të bëj për shkak të punës në ‘Portokalli’. Përgatitjet kanë zgjatur gati një vit. Klipi është regjistruar në Mavrov të Maqedonisë. Idenë e krijimit të këtij klipi e kam dhënë vetë por nuk është se është realizuar 100% e asaj që desha. Gjithmonë nuk realizohet dot aq sa pretendohet, nuk mund të realizohet dot maksimumi edhe pse jepet në fakt maksimumi për të. Është fjala për anën teknike. Gjithsesi unë jam i kënaqur.

Para disa ditësh keni realizuar shfaqjen: ‘Ditari i Kronkondilit’, duke sjellë në mënyrë të përmbledhur gjithë personazhet e interpretuara nga ju në ‘Portokalli’. Cili ishte qëllimi i saj?
Qëllimi ishte që gjithë personazhet të shfaqeshin në një format të ri. Të kishin mundësi më shumë për t’u shfaqur bashkë në një biografi, duke filluar që nga lindja, tek zanafilla e jetesës e deri tek pleqëria. Shfaqen në situate të ndryshme, jo të publikuara më parë sic janë: shkolla, emigrimi. Ky lloj formati i ri më dha mundësinë të bëja dicka të re. Për më tepër kjo gjë anon më shumë nga teatri, ka një lidhje të ngushtë me të, qoftë si vepër, qoftë si interpretim. Personazhet janë sjellë të ngritura në një nivel më të lartë interpretative.

Do të riktheheni më në ‘Portokalli’?
Nuk e di. Për momentin po qetësohem pas gjithë asaj lodhje në përgatitje të shfaqjes. Kam nevojë për pak kohë pushim dhe për të organizuar gjërat e mia.

Ndonjë projekt i afërt? Si do ta shohim Elvisin në vijim?
Kam një ide interesante në mëndje të cilën dua ta realizoj. Pas një jave do të shkon në Maqedoni për ta parë dhe për ta konkretizuar disi.

Mund të na zbulosh dicka më shumë?
Ka të bëjë me humorin. Si personazh është sërish Avdiu. Janë të ndërthurura kënga dhe humori. Por kjo le të mbetet për momentin një surprizë e cila do të zbulohet pak më vonë.

Çfarë të tërheq më shumë tek personazhi i Avdiut?
I gjithë personazhi. Që nga filozofia e tij, që jeton çdo ditë sikur ta kishte të fundit. E shijon jetën ashtu siç i vjen me ritëm, muzikë dhe atmosferë. Është një personazh që i sheh gjërat në mënyrën e tij, pa e vrarë mendjen se si do të duket tek të tjerët, teksa përballet me nivele të ndryshme shoqërore. Është i veçantë në llojin e vet dhe nuk përshtatet.

Për të realizuar sa më mirë figurën e Avdiut, qëndron afër për të parë gjestet dhe veprimtarinë e personave që i përkasin komunitetit të tij?
Patjetër që po. Janë gjëra që nuk janë të miat. Duke survejuar shumë ambjentin, personazhet arrij të përvetësoj më mirë atë çka dua të nxjerr në pah. Mjafton t’i kapësh mentalitetin dhe filozofinë, pastaj gjërat ecin vetë. Kur personazhi bëhet i yti, punon fantazia. I krijon atij biografinë dhe në momentin që je shumë i qartë, fillon edhe të fantazosh.

Në të folurën e këtij personazhi, çfarë të pëlqen më shumë?
Shkronjën ‘N’ që e fus shumë herë në mes të fjalëve, siç është dhe kronkrondili.

Çfarë bën Visi në të përditshmen?
Ditët e mia nuk janë asnjëherë të zakonshme, madje mund të them se janë të jashtëzakonshme. Bëj plane, por nuk i dihet se çfarë del më tej. Përsa i përket punës çdo gjë është e planifikuar ndërsa të tjerat vijnë më tepër spontanisht. Ky është momenti që më del gjumi, kthjellohem dhe përgatitem për aksion.

Të pëlqen gjumi?
Nuk fle shumë. Jam orë me zile. Nëse duhet të çohem në tre të natës bie fjala, ngrihem pa patur nevojën e ziles apo alarmit.
Më shqetëson kur del dielli dhe unë jam ende në krevat. Më duket sikur kam humbur shansin që të tjerët e kanë kapur para meje.

Cili është personi më i dashur?
E gjithë familja ime. Pas saj vijnë miqtë dhe kolegët.

Je i dashuruar?
Jo, nuk jam i dashuruar.

Çfarë të nevrikos më shumë?
Më nevrikosin shumë gjërat që thuhen tërthorazi, larg e larg. Të tjerët se çfarë kanë me mua dhe punën time, të ma thonë në sy. Jam shumë manjak kur gjërat nuk bëhen siç duhet, dua të arrihet perfeksioni. Kur puna nuk bëhet, ua marr njerëzve nga dora punën dhe e bëj vetë.

Çfarë të gëzon?
Thjesht ideja që ekzistoj, që kam ardhur në jetë falë zotit. Gjithë gjërat e bukura që kam fituar në jetë. Njeriu bazën e ka fantastike dhe perfekte.

Mund të na japësh një përshëndetje “Alla Avdiu”?
Ju përnshëndes juve, gjithë fansat dhe telenspektatorët kudo si ndodhen.

Commenti