Estrada e Shkodrës bëhet 50 vjeç, Festimet

Festimet / Estrada e Shkodrës bëhet 50 vjeç

SHKODER- Estrada profesioniste e Shkodrës ka shënuar 50 vjetorin e saj. Një mbrëmje me titull "50 vjet këngë dhe humor" u zhvillua me këtë rast në Teatrin "Migjeni" të këtij qyteti. E konceptuar në formën e spektaklit, kjo mbrëmje është hapur nga dyshja e aktorëve të këtij teatri Merita Smaja, e cila kishte shkruar edhe libretin dhe humoristit Zef Deda, të cilët pasi i bënë një përshkrim të shkurtër rrugës 50 vjeçare në të cilën ka kaluar kjo estradë, janë ndalur pikërisht tek personazhet artistë, që e themeluan atë, te brezat e rinj të cilët me vlerat dhe individualitetin e vecantë, e radhitën atë si një ndër më të spikaturat e artit shqiptar. E krijujar më 6 qershor të vitit 1958, trupa e Estradës Profesioniste të Shkodrës, me regjisorin e parë të saj, të mirënjohurin Paulin Sekuj, premierën e parë do ta jepte me 14 nëntor të atij viti, titulli i së cilës ishte "Në pavionin e operacionit të zemrës". Ndërkohë, drejtues i muzikës do të ishte një tjetër emër i shquar, Mark Kaftalli, ndërsa skenografia është përgatitur nën kujdesin e Lec Fishtës. Që nga viti 1958 e në vazhdim, kjo trupë ka prezantuar në publik rrethë 224 premiera për të rritur dhe për fëmijë, ndërkohë që në periudhën e fundit, Teatri i Estradës ka marrë përmasat e Teatrit të Komedisë,duke vijuar të ketë të njëjtin sukses si edhe më parë. Emocionuese ishte gjatë këtij spektakli ndarja e titujve. Me titullin "Krenaria e qytetit" janë nderuar aktorët Zyliha Miloti dhe Paulin Preka, ndërsa me titullin "Mirënjohja e qytetit" janë nderuar 13 pjesëtarë të kësaj estrade në vite duke filluar nga regjisori i parë Paulin Sekuj, për të vijuar me karikuturistin Tefë Palushi, aktorët Hasan Smaja, Gjosho Vasija, Ndoc Sheldija, Zef Deda, Besnik Qinari, mmuzikanti Nazmi Lishi, etj. 15 artistë të tjerë janë nderuar me titullin "Prenkë Jakova", ndërsa me titullin "Besnik Sykja" janë vlerësuar dy pjesëtarë të sektorit të përgatitjes së skenës. Ndërkohë, pas anës ceremoniale, skena ka qënë tërësisht në dispozicionin e artistëve të humorit shkodran, duke filluar nga Artisti i Merituar Paulin Preka, i cili kishte ardhur nga Italia ku jeton prej vitesh me familjen e tij, për të vijuar më pas me emra të tjerë po aq të nderuar, si Mjeshtrja e Merituar Zyliha Miloti, Zef Deda, Gëzim Kruja,, si dhe aktorët Besnik Qinari, Drande Xhaj, Edmond Halili, Anton Krosaj, etj, të cilët me pjesët e shumta humoristike i dhanë një gjallëri të veçantë spektatorëve të pranishëm.

(marrë nga BalkanWeb)

Commenti