I madhi Tano Banushi, një relike e artë në gjerdanin e kulturës shqiptare

Tano Banushi

I madhi Tano Banushi, një relike e artë në gjerdanin e kulturës shqiptare

U kthye përsëri Tano Banushi në skenë. I madhi, plot dritë, i papërsëritshëm. Pas kaq vitesh heshtjeje absurde dhe hileqare, teatri “Migjeni” e rihapi siparin për të. Pas kaq vitesh, salla u mbush me duartrokitje të zjarrta, me qeshje të çiltra, me emocione dhe lot. Këtë radhë, Tano Banushi na solli krijimtarinë e tij letrare humoristike, në një libër të bukur, botuar nën kujdesin e gruas dhe bijve të tij, sistemuar dhe redaktuar nga Isa Alibali dhe Petrit Kovaçi. Dhe tani Tano është më i plotë. E njihnim si aktor të madh, këngëtar, kitarrist, prestixhator, numizmat i rrallë në Shqipëri dhe grumbullues dhe ruajtës unikal në llojin e vet të pllakave, afisheve, fletushkave, fletë-programeve të shfaqjeve letrare, teatrore, muzikore dhe të çdo lloj veprimtarie artistike të zhvilluar në Shkodër që nga fillimi i vitit 1945 e deri sa vdiq. Dhe shumë prej këtyre relikeve mbajnë firmat e autorëve, interpretuesve, regjisorëve. Një thesar të tillë nuk besoj se e ka dikush tjetër në Shqipëri... Tani Tano Banushin, me këtë libër e kemi edhe shkrimtar. Ky libër është një gur i çmuar që i shtohet visarit të humorit shqiptar në përgjithësi dhe atij shkodran në veçanti. Dhjetra dhe qindra skeçe, dialogje dhe intermezzo, skeçe muzikore dhe poezi lirike, tekste këngësh dhe poezi satirike sai dhe anekdota të krijuara prej tij dhe që ende sot, të bëra anonime, qarkullojnë gojë më gojë dhe na bëjnë të qeshim dhe të mendojmë.
Ka aktorë të mëdhenj që kujtohen dhe respektohen për interpretimet e tyre në skenë. Ka të tjerë, e mes tyre është edhe Tano Banushi, fama e të cilëve del nga skena dhe futet në mjediset shoqërore, hyn në familjet tona, në gëzimet dhe festat tona. Ata bëhen proverbiale, personazhe tipikë dhe të dashur për të gjithë, sepse të gjithë kujtojnë, përsërisin, bile dhe stërhollojnë thëniet, gazmoret dhe postulatet e këtyre artistëve të mëdhenj që kanë privilegjin të bëhen të pavdekshëm, duke u bërë popullorë. Në arsenalin e anekdotave të këtij libri, gjen edhe të tilla që janë të hershme, krijimtari e popullit, por të mbledhura, përpunuara e sidomos të thëna e përhapura prej Tanos, kanë marrë autorësinë e Tanos dhe kur tregohen, edhe sot e kësaj dite njerëzit thonë atë frazën aq të njohur në Shkodër: -Ka thanë Tano Banushi. Si thonë për të tjerat: -Ka thanë Tefa... ka thanë Kol Tivari, ka thanë Gjakova e deri tek i riu: -Ka thanë Nexho.

Është kjo një lloj patente për bukurinë dhe humorin e anekdotës. Sepse, figura të tilla në Shkodër, mes tyre edhe Tano, kanë qenë dhe mbesin sinonim i humorit të çiltër, i mjeshtërisë edhe në tregimin e një anekdote a barcelete. Aq e vërtetë është kjo, sa njëherë kompozitori i madh Prenk Jakova, Nder i Kombit, e takoi Tanon në rrugë, e ndali dhe i tha: -Tano. Mbrëmë më kanë treguar një anekdotë. Po ta tregoj unë ty e pastaj ma trego ti mua që të qeshi. Këto fjalë të Prenkës kanë një domethënie të madhe. Jo gjithkush di të bëjë humor. Duhet talent, mjeshtëri... Dhe këta i kishte Tano Banushi.

Në libër janë të përmbledhura skeçet, paroditë, intermezzot etj. që Tano ka shkruar ndër vite, për vete dhe për aktorët e tjerë kolegë, me të cilët dhe i interpretoi mjeshtërisht. Në këtë krijimtari shihet qartë galeria e pasur e roleve të Tanos, një galeri e papërsëritëshme, një galeri që e shoqëruar edhe me fotografitë e shumta të këtyre roleve (një pjesë shumë e vogël janë në libër), duhet të vihen në ish studion e tij të punës në teatër dhe kjo studio të kthehet në muze të vyer, në një vend pelegrinazhi për të gjithë ata që e kanë dashur dhe duartrokitur këtë aktor të madh. Mbi të gjitha kjo studio muze mund të bëhet edhe një altar ku aktorë të rinj që i vijnë skenës së humorit të marrin përvojë, të mësojnë e të frymëzohen. E jo të kthehet nga keqdashës mjeranë kjo studio në WC, siç edhe e kthyen. Sepse, këto vitet e fundit, vetëm për WC nuk ka patur nevojë teatri.

Siç e theksova, galeria e krijimtarisë letrare të Tano Banushit është galeria e roleve të tij. Sa tipa e karaktere ka personifikuar ai në rolet e tij? Janë aq shumë... një arsenal i tërë. Diku në libër Tano e thotë edhe vetë, duke krijuar edhe këtu humor: -Gjatë jetës sime si aktor i estradës kam luajtur këpucarë e bojaxhi, zdrukthëtar e dugajxhi, dentistë e doktorë, elektriçistë e hallvaxhi, mësues fshati e profesorë, hidraulikë e muratorë, karrocierë dhe shoferë, berberë e infermierë, burra grashë shamataxhesha, gagarelë pa mëntesha, beqarë të mbetur nervozë, matrapazë e karagjozë, fanatikë e kulakë, me mustakë e pa mustakë. E demek, me ba me qeshë, edhe femër kam qenë veshë...

Megjithëse brenda kornizës së hekurt të një ideologjie imponuese, të arrish të ironizosh, të tallesh, t’u bësh karikaturën shefave, brigadierëve, drejtorëve... pra kalbësimin e një shoqërie, a nuk është kjo t’i bësh radioskopinë një sistemi drejtues dhe politikës që e krijoi atë? A nuk është ky qëndrim kritik dhe disident? Dhe Tano Banushi, i dalluar sidomos për rolet e naivit, apo një lloj Shvejku shqiptar, mund të themi se vuri në lojë, talli dhe akuzoi shoqërinë e kohës. Ndaj edhe mbetet i madh.

Është dhe lirik i ëmbël Tano Banushi, siç dëshmojnë shumë poezi të librit. Ka dashuri të pastër dhe të sinqertë në këto lirika. Por, mbi të gjitha të bie në sy dashuria e madhe për qytetin e tij të lindjes, për Shkodrën. Janë shumë poezi që i kushtohen Shkodrës, ku është përzier edhe malli, kujdesi, shpresa optimiste për këtë qytet:

Tek ti më fluturon gjithmonë mendimi

qytet i imi...

...Ti je për mua

puna, gëzimi...

Gëzim i dha Shkodrës puna e Tano Banushit, zemra e tij e madhe, talenti i tij i madh. I dha gëzim dhe gaz gjithë atdheut. Ndaj dhe aq bukur dhe aq përjetësisht ndrisin dhe vezullojnë bri emrit të tij ato dy fjalët e arta: Artist i Popullit.

Fadil Kraja
Batutat më të famshme të Tano Banushit


Eshtë e njohur thënia se njeriu do të çmendej po të mos ekzistonte e qeshura, me të gjitha rrjedhojat e këndshme që vinë prej saj. Por më të njohura se kaq janë batutat dhe anekdotat e Tano Banushit, "Artistit të Popullit" e "Mjeshtrit të Madh" të humorit shqiptar. Nuk ka ndonjë përvjetor, as ndonjë rast përkujtimi, por Isa Alibali ka nxjerrë në treg një libër për të. E ka titulluar "Me Tano Banushin dhe humorin e tij", një libër që për autorin nuk ka lindur rastësisht. "Gjithnjë kam pas mendimin se duhet të shkruhet për Tanon të meqenëse është një figurë e ndritur e artit tonë skenik.
Kam punuar me Tanon gati 15 vjet. Isha në dijeni të arkivit të tij, të cilin më pas ma dhuroi familja për të punuar mbi të", tregon Alibali, i cili në këtë botim, që do ta promovojë nesër, ka përfshirë jo vetëm jetën e artistit, krijimtarinë, veprën e tij, por edhe fotografi të shumta, kujtime, ditare dhe anekdotat më të famshme të Banushit. Disa pjesë të shkurtra të shkëputura nga libri i lexoni më poshtë.

Të lindësh mes humorit

Në një shtëpi të gëzueshme e plot humor, ku pothuajse të gjithë ishin artistë në mënyrën e tyre dhe në aftësitë për të krijuar dhe për të thithur vlerat më të mira të artit, të këngës e humorit të asaj kohe, më 4 shkurt 1927, lindi Athanas Banushi, njeriu që do të bëhej aktori më në zë i humorit shqiptar, mjeshtër i vërtetë i interpretimit në gjininë e estradës.
Tregojnë se atë ditë që ka lindur Tano Banushi, edhe pse dimri ka qenë në kulmin e ashpërsisë së vet, natyra ka qenë e qeshur, qielli i kthjelltë dhe dielli i shndritshëm, sikur të paralajmërohej se doli në jetë ai që do t'u jepte njerëzve më shumë gaz e hare, që do t'ua bënte më të bukur jetën. Lluko Banushi ishte bërë me djalë dhe kjo ishte një ngjarje tepër e këndshme dhe ngazëlluese për të dhe të shoqen e tij, Marien. Gjithmonë Llukoja thoshte: "Kam dëshirë që fëmija i parë të jetë djalë, pastaj le të lindin një duzinë vajzash, nuk prish punë, por ama të filloj me djalë".

Kur nisi humorin...


Rrugët e Shkodrës mbanin ende erën e barutit, kur dolën edhe afishet e para teatrale e koncertale. Më 18 janar 1945, pak ditë pas çlirimit, u krijua Shtëpia e Artit dhe e Kulturës, të cilën e formuan ajka e inteligjencës shkodrane. Më 18 shkurt u shfaq drama e M.Gorkit "Bujtina e të vorfënve", përgatitur nga intelektualët e njohur Filip Ndocaj e Qemal Draçini. Në qershor të vitit 1945, në përfundim të vitit shkollor, kur sapo Tano Banushi kishte mbaruar klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit, u zhvilluan disa veprimtari kulturore e artistike. Në këtë dramë Tano Banushi interpretoi rolin e Gjinit, shërbëtorit simpatik të një familjeje shkodrane. Shfaqja u dha në sallonin e shoqërisë "Vllaznia" afër "Dugajve të Reja". Po në këtë shfaqje u dhanë edhe paroditë "Klasa e shtatë" dhe "Jak, o Jak", ku Tanoja u prezantua si humorist. Në vitin 1946, nga grupi i teatrit pranë Shtëpisë së Artit e të Kulturës u shfaq drama "Armiku i Popullit" e Ibsenit. Tano Banushi interpretoi me sukses rolin e një të dehuri. Pastaj u përgatit komedia "Pashuku", ku interpretoi rolin e shërbëtorit gazmor, që e bëri atë një aktor që shpresonte shumë për të ardhmen. Kështu filloi për Tanon rruga e artit skenik.

Takimi me Migjenin


Ishte ditë vere, kur Maria (e ëma) e mori Tanon për të bërë një fotografi te Marubi (ishte nëntë vjeç e gjysmë). Përpara Kafes së Madhe pa Migjenin, që po pinte kafe me një shok të vetin. Nuk e pati të vështirë të dallonte Teofik Gjylin, me të cilin Migjeni rrinte gjithnjë aty, gjithmonë në të njëjtën tavolinë për të pirë kafen e ditës. Për një çast nguroi, por duke pas parasysh dëshirën e Tanos për ta takuar, i tha:
- Tano, shih, ai atje është Milloshi… Migjeni yt, - shtoi pas pak. Tanoja u shtang. U shkëput nga dora e së ëmës dhe u ndal përballë tij, në trotuarin përpara Kafes së Madhe. Milloshi e vuri re këtë veprim, njohu Marijen, shoqen e dikurshme të shkollës dhe u ngrit nga tavolina. Sytë e Tanos morën një shkëlqim të veçantë. Millosh Gjergj Nikolla u përkul përpara vogëlushit, bëri sikur i lëmoi flokët, pa ia prekur në të vërtetë. Duke e ditur sëmundjen që kishte, ai nuk prekte të tjerët as me dorë, aq më pak fëmijët. Tundi pak kokën drejt Marijes dhe i foli me përzemërsi: - Qenka shumë i kandshëm ky djali yt, Marije, si quhet?, - i tha duke buzëqeshur.
- Athanas, por e thërrasim Tano. Kishte dëshirë të madhe të të takonte, sepse ka lexuar disa nga shkrimet tuaja.
- Ooo, po më kënaq, - dhe iu drejtua Tanos: - Në ç'klasë je?
- Hyj në klasën e tretë, - i tha shpejt e shpejt Tanoja i vogël.
- Shumë mirë, Athanas, jam i bindun se mëson mirë, apo jo?
- Po, vetëm 1-sha kam marrë.

Titulli: Me Tano Banushi dhe humorin e tij
Autori: Isa Alibali
Gjinia: Monografi
Botimet: Pegi
Faqe: 207
Çmimi: 500 lekë


Disa nga anekdotat e Tano Banushit

- Në sa gradë vlon uji?
- Në 90 gradë, z.profesor.
- Jo, në 100 gradë.
- Ah, më falni, në 90 gradë vlon këndi
i drejtë.
***
Berberi po rruante një klient shumë të dobët. I fut në gojë një top ping-pongu, për t'i fryrë faqen. Kur i rruan njërën anë, i thotë: - Kaloje në anën tjetër.
Ky, duke e kaluar, e kapërdin. Shqetësohet.
- Mos u bëj merak, nuk të mbyt, - i thotë berberi - se edhe njeri e ka kapërdirë dje dhe ma ka sjellë sot në mëngjes!
***
Banditi: - O paret, o shpirtin.
Burri: - Grua, çohu shpirt, se të kërkojnë.
***
Te mjeku shkon për vizitë një grua.
- Hyr e zhvishu.
Pas pak mjeku pyet:
- He, a u zhveshe?
- Unë po, po ti…? - thotë gruaja.
***
- Pse i more erë peshkut, ai është i freskët!
- E pyeta: - "Ç'të reja kemi nga deti?".
- E ç'të tha?
- Nuk di gjë se kam dhjetë ditë që kam dalë nga uji e…
***
Një shitës kishte vënë në banak, anës peshores, dy pasqyra:
- Pse i ke vënë, Selim?!
- Që gratë mos të shikojnë peshoren, por të habiten në pasqyrë…
***
- A shkove mbramë vonë në shtëpi?
- Në orën 11 e gjysmë.
- Po a të foli gruaja?
- Jo, sepse ajo erdhi në orën 12
e gjysmë.
***
Për tre papagalët:
- Sa kushtojnë?
I pari 500 lekë, sepse di një gjuhë
të huaj
- Po ky i dyti?
- 700 lekë sepse di dy gjuhë të huaja.
- Po ky i treti?
- I treti kushton 1000 lekë por s'di
asnjë gjuhë.
- Po pse kaq shtrenjtë ky?
- Sepse është përgjegjësi i dy
të tjerëve.
***
Mjekut të fëmijëve:
- Ah, more doktor, si s'ke shkollë më
shumë të shërosh edhe të mëdhenjtë?!
***
Dy shokë të dehur. I pari e merr me zor
për në shtëpi shokun e vet.
- Kjo është rrugica ime, kjo…është dera e shtëpisë…kjo është shtëpia…(hyjnë në shtëpi ) kjo është dhoma e gjumit (e hap dhe sheh në shtrat të shoqen me një tjetër) kjo këtu është gruaja ime…kurse ky burri këtu, jam unë…
***
- Si shkon me gruan?
- E dua shumë dhe ajo më do shumë. Llogarite, po të hidhen gratë në lotari, mua do të më binte gjithmonë gruaja ime!…
***
Një i dehur i bie ziles:
- Kush është? - pyet e zonja e shtëpisë.
- A ju mungon kush, a?
- Më mungon burri.
- Hape, se unë qenkam…
Në koncertin e Tefta Tashkos

Tano ishte 11 vjeç, kur në Shkodër erdhën për koncert këngëtarja e shquar Tefta Tashko (Koço) dhe pianistja e mirënjohur Lola Aleksi (Gjoka). Lluko Banushi, që e merrte djalin me vete në të gjitha shfaqjet tjera, nuk kishte si të mos e merrte edhe në këtë koncert të madh. Shfaqja u dha në kinemanë "Rozafat", në rrugicën e Kafes së Madhe. Tefta këndoi pjesë operistike me një nivel shumë të lartë, saqë fitoi duartrokitjet e papërmbajtshme të artdashësve shkodranë. Tanos, edhe pse i vogël, i pëlqyen shumë ariet e veprave më të shquara të muzikës operistike evropiane, saqë mbeti i befasuar. Në vizionin e tij, Tefta Tashko mbeti një idhull i paharrueshëm.

Isa Alibali sjell në një libër jetën e artistit të madh të humorit, Tano Banushi



Në dhjetor do të vendos dhe drandofille…

Ditari:
Jemi në vitin 1995. Do të shkruaj përsëri. Tano, sa kujtime më lidhin me ty. Është një jetë e tërë. A të kujtohen ato ditët e shumta të shtive tona para se të martoheshim? A të kujtohen... Po çfarë po shkruaj?! Kemi kaq kujtime së bashku, saqë, kur të vij edhe unë aty, kemi se çfarë të kujtojmë, kemi shumë e shumë gjëra të bukura nga jeta jonë. Dushi

DUSHI:
Të kam mbjellë te varri lule marshallojën që ke pasë në ballkon dhe barin që çel lule të bardha. Në dhjetor do të vendos dhe drandofille
Jetët e të tjerëve gjithnjë na mësojnë diçka, diçka të cilën nuk mund ta kapim dot ndërsa jetojmë tonën. Por ç’mund të fshihet përtej portretit të një artisti që gjithnjë na ka zgjuar buzëqeshjen, edhe atëherë kur kemi qenë të trishtuar, dhe kur gjërat në jetën tonë kolektive nuk ishin ashtu siç duhet? Ç’sekrete mund të ruhen në jetën e një burri, portreti i të cilit është aq i njohur për ne? Dhe… çfarë ndryshon në mënyrën sesi ne e kemi parë imazhin e tij, udhëtimi në jetën e tij? Ndoshta kjo ndjenjë në formën e një frike të lehtë mund të zaptojë ndërsa vendos të shfletosh librin me autor Isa Alibalin “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”.


Frika që na ndodh të gjithëve në momentin kur duam të njohim ndryshe njerëzit që kemi adhuruar… Por pasi ke udhëtuar në jetën e Tano Banushit ti nuk ke si të mos e duash më tepër këtë personazh. Ndoshta se jeta e tij është po aq e vërtetë dhe e mbushur me dashuri sa humori që ai fali. Ndoshta se gjërat ku besoi në jetë ky burrë janë gjërat ku duhet të besojë çdo artist që e do profesionin. Alibali ka dashur ta japë Tanon me të gjithë dimensionin e tij. Si artist dhe njeri, duke rrëmuar jo vetëm në kontributin që dha në humorin e teatrin shqiptar, por dhe në gjërat intime si lidhja me bashkëshorten dhe fëmijët. “Jeta artistike e Tanos, zë vendin kryesor në libër, janë dhënë edhe disa mendime lidhur me procesin krijues dhe përgatitjen e shfaqjen e pjesëve të shumta humoristike, si edhe disa anekdota të krijuara dhe të interpretuara prej tij, me qëllim që libri të bëhet sa më tërheqës në lexim”, shkruan Alibali. Sigurisht që një libër nuk mjafton për të thënë gjithçka për një personazh siç ishte Tano Banushi, ku kontributi i tij në historinë e humorit shqiptar do të ketë gjithnjë vend për t’u vlerësuar. Por Alibali ka sjellë në mënyrën e tij një këndvështrim për të bërë një takim tjetër mes adhuruesve të humorit me Tano Banushin. Ky artist zë një vend nderi në korpusin e madh të traditës shqiptare të humorit. Kjo pasi ai jo vetëm e vazhdoi këtë traditë, por edhe e zhvilloi atë dhe e ngriti në majat më të larta, e zgjeroi dhe e pasuroi atë më shumë dhe i dha vlera të reja interpretimit dhe krijimit në fushën e humorit. Dhe Alibali e nis rrëfimin për jetën e Tanos, nga historia e fisit të Banushëve në qytetin e Shkodrës. Për Llano dhe Marie Banushin, lindja e Tanos do të ishte një moment tepër i bukur. Kjo, pasi Llano gjithnjë shprehej se “kam dëshirë që fëmija i parë të jetë djalë, pastaj le të lindin një duzinë vajzash nuk prish punë, ama të fillojë me djalë”. Dhe ai djalë që mbushi gëzimin e Banushëve, do të kthehej më pas në një nga figurat më të njohura jo vetëm të qytetit të Shkodrës. Llano do ta merrte djalin me vete në të gjitha gëzimet e miqve, ku shtroheshin tavolinat plot dhe nuk mungonte humori, duke e bërë djalin të rritej nën frymën e humorit. Alibali rrëfen çdo detaj nga jeta e tij.



Interesant është takimi i parë i Tanos me Migjenin. E ëma i recitonte shpesh poezi të Migjenit, aq shpesh sa Tano kishte nisur të shkruante vjersha vetë të cilat i ruante fshehurazi. “Ishte ditë vere kur Maria e mori Tanon për të bërë fotografi te Marubi (ishte nëntë vjeç e gjysmë). Përpara Kafes së Madhe pa Migjenin që po pinte kafe me një shok të vetin... - Tano, shih, ai atje është Milloshi…Migjeni yt...Tanoja u shtang. U shkëput nga dora e të ëmës dhe u ndal përballë tij në trotuarin përpara Kafes së Madhe. Milloshi e vuri re këtë veprim, njohu Marijen, shoqen e dikurshme të shkollës dhe u ngrit nga tavolina. Sytë e Tanos morën një shkëlqim të veçantë. Millosh Gjergj Nikolla u përkul përpara vogëlushit bëri sikur i lëmoi flokët pa i prekur në të vërtetë. Duke e ditur sëmundjen që kishte ai nuk i prekte të tjerët e aq më tepër fëmijët. -Qanka shumë i kandshëm ky djali yt Marije, si quhet?, i tha duke buzëqeshur - Athanas, por i thërrasin Tano, Kishte shumë dëshirë të të takonte, sepse ka lexuar disa nga shkrimet tuaja… “Migjeni do të ishte i pari që do t’i shpjegonte Tanos kuptimin e emrit të tij Athanas. “I pavdekshëm” do t’i thoshte poeti i njohur, duke bërë kështu një lloj profecie mbi fatin e tij në ketë jetë. Pasi ajo çfarë ka lënë pas Tano Banushi është vërtet e pavdekshme në historinë e artit shqiptar.

Interesante janë dhe fillimet e tij artistike. Mënyra sesi një njeri që e kishte humorin në gjuhë, dinte të ishte aq serioz gjatë orëve të mësimit. “E qeshura dhe humori janë cilësi e njerëzve seriozë”, thoshte shpesh Tanoja, duke vazhduar se “E keni vënë re një njeri që qesh, gjithnjë qesh që në çdo rast kërkon të bëjë humor, e që në të vërtetë bëhet i mërzitshëm? Ai nuk ka asgjë të përbashkët me humorin dhe të qenurit humorist”.

Alibali thotë se ka pak ngjarje të cilat tregojnë se Tanoja mund të bënte humor në orët e mësimit. Në këtë libër ne mësojmë dhe një nga pasionet e Tano Banushit, atë të poetit. Krijimi i parë poetik i tij shënon datën 5 maj 1945, kur ishte 18 vjeç. Kur lexon këtë libër kupton se e shkruara ka qenë gjithnjë pjesë e jetës së këtij artisti që në ekran na shfaqej vetëm me një anë të tij humorin. Ashtu si në jetën e secilit prej nesh dhe në jetën e këtij artisti nuk mund të mos kujtohet koha kur ra në dashuri. Lajdja, gruaja që na shfaqet si një tjetër personazh interesant në jetën e tij ka qenë njeriu më i afërt në jetën e tij si artist dhe burrë. Ai e njohu gruan që do të qëndronte gjithë jetën pranë tij në një familje shkodrane kur festohej dita e emrit të Madalenës, vajzës së shtëpisë. Lajdja ishte ende një gjimnaziste e bukur, që e kishte tërhequr vëmendjen e Tanos atëherë student. Atij i pëlqente pamja e saj mjaft tërheqëse, trupi i derdhur prej sportisteje dhe mbi të gjitha sjellja e saj mjaft korrekte. Në atë shtëpi nën tingujt e muzikës ai do të ulej për herë të parë përkrah saj, duke nisur kështu udhën e një dashurie që nuk do të mbaronte kurrë. Një vend të veçantë në këtë libër zë dhe ditari aq i ndjerë i Lajdes, të cilin ajo nisi ta mbante pas ndarjes së Tanos nga jeta. Ky ditar është një formë komunikimi që ajo ka zgjedhur për të vazhduar jetën në një formë tjetër me njeriun që dashuroi. Alibali është munduar të rrëfejë gjithçka nga jeta e këtij njeriu që na magjeps dhe tashmë kur nuk është më mes nesh. Ne u ndalëm për të treguar vetëm disa detaje nga jeta e tij si njeri, duke besuar se kontributi i tij në skenën e humorit shqiptar është jo vetëm i njohur, por dhe i pakrahasueshëm…
Buzëqesh gjithmonë, edhe nëse buzëqeshja jote është e trishtuar, sepse më i trishtuar se një buzëqeshje e trishtuar, është trishtimi që nuk buzëqesh”. Tano Banushi i besonte kësaj shprehjeje, ashtu siç besonte në gjërat që i bënte me aq dashuri.
ÇELESAT E TANOS -- nga FATOS BAXHAKU

Ç’a ka ky nipi jot qi qesh more Vehbi?” Kjo është fjalia e parë që kam dëgjuar nga i madhi Tano Banushi. Duhet të kem qenë andej nga klasa e katërt apo e pestë e shkollës. Daja im, Vehbi Çanga, drejtor i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, ishte shoku më i ngushtë i Tano Banushit. Ishin thuajse të pandarë. Asokohe unë mezi prisja të vinin pushimet e të shkoja turravrap në Shkodër. Atje ndihesha mirë edhe kur këpucët më fusnin ujë, edhe kur murlani frynte fort, edhe kur dridhesha nën veshjen time të hollë. Ndihesha ngrohtë edhe kur shikoja hejet e akullit që vareshin nga çatia e lartë e shtëpisë së gjyshes sime. Akoma e kam në zemër atë ngrohtësi pa fund. Por ndodh kështu me të gjithë e me të gjitha kujtimet e fëmijërisë.

Tanon e shikoja në televizor shpesh, shumë shpesh. Pastaj e kam takuar shumë herë në shtëpinë time. Im atë, daja i pandashëm dhe Tano, rrinin do kohë të urtë e të butë pa bërë zë, aq kohë sa duhej, që ne të vegjlit të shkonim e të flinim. Pastaj unë dëgjoja zhurmën e derës që mbyllej si fshehurazi dhe pikërisht atëherë e përmbaja gjumin që më rëndonte qepallat. Kishte ardhur koha të ngrihesha në majë të gishtave dhe të përgjoja pas derës muhabetin e të mëdhenjve. E kam parasysh si tani kokën mënjanë të Tanos dhe të qeshurën e përmbajtur.
Unë, në atë kohë, nuk e kuptoja se si një njeri që bën të qeshë të tjerët të ishte aq i përmbajtur e serioz me shokët. Heraherës më dukej edhe i lodhur. Pastaj dëgjoja emra, gjysmëfjali dhe pëshpërima. Unë nuk e dija se asokohe sapo kishte ndodhur fshesa “antiliberale” që përlau shumë vetë. Dhe prisja që të dëgjoja Tanon të thoshte ndonjë gjë nga ato batutat që nxirrte në skenë. Por tre burrat vazhdonin të pëshpëritnin gjatë, aq gjatë sa që kur më mpiheshin këmbët e linja portën nga ku i kisha përgjuar dhe shkoja i pakënaqur në shtrat. Nuk më kishte bërë asgjë për të qeshur.
Vonë, kur u rrita, i kuptova shumë mirë ata burra dhe meraqet e tyre. Madje nisa të shijoj edhe një herë nga fillimi humorin e mençur të Tano Banushit.


Ishte një lloj humori që vinte nga një shtresë e vjetër, diku nga arkapiat dhe çardaqet e Shkodrës së lashtë. Ishte humor që nuk ofendonte njeri. Nuk kishte lidhje me banalitetin, përkundrazi ishte një e qeshur aq e madhe saqë mezi e zinin portat e mëdha të Shkodrës me mure të lartë.
Më vonë akoma, pas vdekjes së parakohshme të Tanos, kam mësuar për një hobby të tij të vjetër. Tanoja paska qenë një nga koleksionistët më të mëdhenj të çelësave në krejt Shqipërinë.
Askush nuk do të dijë ta shpjegojë se përse një nga aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare harxhonte orë e orë duke mbledhur çelësa (çilca në shkodrançe), porse ma do mendja se ka qenë një dëshirë e vjetër edhe për të hapur gjëra, sikurse bëri ai në skenë, edhe për të mbyllur gjëra, sikurse u detyrua të bëjë shumë herë në jetë.
Pak ditë më parë më ra në dorë libri i zotit Isa Alibali. E lexova brenda një nate. M’u kujtuan të gjitha, edhe koka mënjanë e Tanos, edhe ajo zhurma e derës gjysmë të mbyllur, edhe pëshpërimat e burrave me gotën e vogël të rakisë përpara, edhe reja e tymit të duhanit me të dredhur, edhe humori që më vinte si era ftua nga ato sirtarët e gjyshes sime. Në këto kohë harrese Alibali na ka sjellë pranë një mik të vyer. Mikun e të gjithëve, atë që donte të kishte sa më shumë çelësa për të hapur sa më shumë të vërteta. A nuk është rasti për t’i thënë faleminderit?
...mikun e të gjithëve, atë që donte të kishte sa më shumë çelësa për të hapur sa më shumë të vërteta. A nuk është rasti për t’i thënë faleminderit?

Pak humor nga Tano Banushi

U promovua dje libri i Isa Alibalit, "Me Tano Banushin dhe humorin e tij - Jeta dhe veprimtaria artistike". Një takim mes miqsh, të ardhur në Tiranë nga Shkodra, me kujtime dhe humor

"Kam dëgjuar një barsaletë. Po ta them ty e ti pastaj ma trego mua, që të qesh". Kështu do t'i thoshte dikur kompozitori Prenkë Jakova, humoristit Tano Banushi. Një thënie që vetë do të kthehej në barsaletë. Por mjafton kaq për të kuptuar se sa e fuqishme ishte ndjenja e humorit tek Tano Banushi. Dhjetëra shkodranë kishin zbritur dje në Tiranë. Pikërisht tek piramida. Nuk bëhej fjalë për ndonjë tubim. Kishin ardhur të gjithë për të takuar edhe një herë Tano Banushin. Dje në sallën e kinemasë së QNK "Arbnori" u paraqit libri i Isa Alibalit, "Me Tano Banushin dhe humorin e tij - Jeta dhe veprimtaria artistike". I pari i këtij lloji kushtuar humoristit. Figura e Tano Banushit vjen e plotë. Autori shfrytëzon një material të gjerë, vetë arkivën e Tanos, vënë në dispozicion nga familja Banushi, mes të cilave ditari i aktorit dhe i bashkëshortes, Lajdes. Por aty janë edhe dëshmitë e miqve dhe kolegëve, me të cilët Tano ndau shumë vite të jetës së tij. Nuk mungojnë anekdodat, skeçet e thëniet e Tanos, që sot janë pjesë e së përditshmes në shprehjen "Siç ka thënë Tano Banushi…". Libri shoqërohet edheme një mori dokumentesh fotografike, ku aktori paraqitet në role të ndryshme. "Kam luajtur këpucarë e bojaxhij / zdrukthëtarë e dugajxhi / mekanikë dhe terzi / elektricistë e hallvaxhi…/ Burra grash shamataxhesha / gagarelë pa mentesha / beqar t'mbetur e nervozë / matrapazë e karagjozë / fanatikë e kulakë / me mustak e pa mustakë / e demek me ju ba me qeshë, edhe femër kam qenë veshë…". Thoshte vetë Tano Banushi. La pas jo vetëm qindra role, por edhe një shkollë të madhe të artit të humorit, në gjurmët e të cilit kanë ecur breza të tërë humoristësh nga i gjithë vendi. Kontributi i tij artistik e kishte kaluar skenën e Shkodrës, artin e tij kanë patur fatin ta ndjekin të gjithë, breza të tërë janë rritur me rolet dhe humorin e tij. Por Tano Banushi nuk mund ta rikujtosh pa skenën dhe estradën e tij të dashur dhe për këtë arsye autori në të gjithë librin e ka përshkruar figurën e tij të lidhur me Shkodrën dhe artin e tij, me skenën e estradës të cilën e donte me një përkushtim sublim.

Në libër Isa Alibali zbulon pjesë të panjohura edhe nga jeta e tij familjare, shoqërore. Na njeh me karakterin e tij të fortë, me vullnetin dhe dashurinë e tij për humorin, me dashurinë e tij të madhe për familjen, për Shkodrën, na zbulon talentin e tij për të shkruar dhe krijuar jo vetëm figura artistike, por edhe këngë, tregime humoristikë e anekdota. Krijimtaria e tij artistike në çdo kapitull shoqërohet edhe me shumë anekdota duke na dhënë sërish mundësinë të përjetojmë emocionet e humorit që na la Tano Banushi me madhështinë e tij. Autori e nis librin me traditën e humorit shkodran, kugjeti terren edhe talenti i Banushit. Lindi në vitin 1927. Athanas (Tano) Banushi, pati fatin të jetonte në një kohë, kur Migjeni pinte kafe tek "Kafja e madhe", kur Tefta Tashko Koço jepte koncerte bashkë me Lola Gjokën dhe Asdreni, Lasgush Poradeci e Ernest Koliqi zhvillonin takime letrare në Shkodër. Takimi me këta emra të mëdhenj i la mbresa Tanos, atëherë fëmijë dhe do ta shtynte të bëhej dikush. Të mbetej i pavdekshëm, siç shqipërohet edhe emri i tij Athanas (një shpjegim që Tanos ia ka thënë vetë Migjeni, i cili kishte kryer shkollën me nënën e Tanos, Marien. Alibali ndjek hap pas hapi jetën e Tanos, shkollimin, angazhimin në estradë, gjithnjë të shoqëruar me grimca humori. Një kapitull të veçantë autori i kushton edhe kujtimeve që bashkëshortja e Tanos i ka mbajtur prej vitesh në një ditar shumë të veçantë. Ditari ka nisur të shkruhet prej saj pak kohë pasi Tano ishte ndarë nga jeta (1993), por për Lajden ai vazhdon të jetë i gjallë përderisa ajo shkruan dhe bisedon me të, ndan kujtime dhe ngjarje të përditshme. Ajo i rrëfen Tanos gjithçka ndodh, për çdo ditë, i ka rrëfyer edhe për këtë libër, e paskëtaj ka hequr dorë nga ditari. Sepse sot ka një libër për të, ka kujtime dhe shumë dashuri.

Çmimi

Ardhje në artin bashkëkohor

Çmimi për Artin Bashkëkohor "ARDHJE" është veprimtaria më e re në skenën e artit shqiptar. Kjo ngjarje është konceptuar për të ndihmuar dokumentimin, vlerësimin dhe mbështetjen për artistët bashkëkohorë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Çmimi funksionon mbi bazën e një kërkimi të shtrirë në skenën artistike shqiptare, në mënyrë që pjesëmarrësit të jenë fryt i një përzgjedhjeje të gjerë por cilësore. Në këtë frymë, Çmimi për artin bashkëkohor "ARDHJE" do të shërbejë si një hartë që do të ndjekë zhvillimet e situatës artistike shqiptare, duke ofruar të vetmen metodë arkivizimi të zhvillimeve artistike në Shqipëri, si dhe duke luajtur rolin e një ure komunikimi mes artistëve dhe publikut permes nxitjes së diskutimit mbi zhvillimet e reja në artin bashkëkohor shqiptar. Artistët e ftuar në çdo edicion të këtij çmimi do të përfaqësojnë një shumëllojshmëri gjuhësh të artit bashkëkohor, si video, fotografi, pikturë, instalacione, skulpturë, performancë, tekst, etj. Procesi për realizimin e Çmimit për Artin Bashkëkohor "ARDHJE" do të kalojë përmes një periudhe të ngjeshur kërkimi, gjatë së cilës stafi organizator i TICA-s do të zhvillojë vizita në studio, takime dhe pranime prezantimesh të dokumentimit të punës nga një numër sa më imadh artistësh që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Në mbarim të këtij kërkimi, stafi i TICA-s do të përzgjedhë një numër prej jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 7 artistësh, me të cilët do të organizohet ekspozita e Çmimit "ARDHJE", pranë galerisë së Akademisë së Arteve të Bukura. Një juri e pavarur do të shqyrtojë punët e artistëve pjesëmarrës në këtë ekspozitë, dhe do të përzgjedhë artistin fitues. Artisti fitues fiton të drejtën e një rezidence artistike për 6 javë në Neë York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I vetmi kufizim në procesin e kërkimit dhe përzgjedhjes paraprake është kufiri i moshës. Të gjithë artistët e vëzhguar apo përzgjedhur duhet të jenë nën moshën 35 vjeç. Çmimi për Artin Bashkëkohor "ARDHJE" realizohet në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile dhe me mbështetjen e Akademisë së Arteve të Bukura dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë. Gjatë vitit 2007 programet e Institutit të Artit Bashkëkohor, Tiranë kanë pasur partneritetin e European Cultural Foundation dhe mbështetjen e Institutit të Bienales së Tiranës dhe OJF "Kultura në Lëvizje".

Commenti