Kur te sfidon Marjana Kondi

Kur te sfidon Marjana Kondi

Shkruar nga Arta Çano - Jeta


Thyerja e madhe e aktores komike. Një rol dramatik në filmin e Dhimitër Anagnostit i ka dhënë një tjetër dimension karrierës së saj. Aktorja rrëfen që nuk është kaq e lehtë: ka dhe luftë dhe bërryla. Dhe xhelozi. Dhe...

E kishim parë gjithmonë në role komike. Është aq mirë brenda atyre petkave, sa askush nuk ka dashur të qeshë më pak, për ta menduar Marjanën në një rol ndryshe. Ajo është një nga ato që të shkrin gazit, që njehsohet me emrat e personazheve e që i shndërron në ikona portrete të mjeruar, ashtu siç vështirë se ia ka arritur një aktore femër e këtyre viteve në Shqipëri.

Por ja që, megjithëse me një sukses 100 karatësh, ajo tregoi se kufijtë e saj nuk janë aty ku duken, të paktën nga vështrimet jo të mprehta.

Drama e Marjanës

Ishin sytë e një mjeshtri si ato të Dhimitër Anagnostit, që arritën të shohin në këto karaktere komike pjesën tragjike që mbajnë brenda, dhe ajo u bë e besuara e filmit më të fundit të tij "Gjoleka, djali i Abazit". Nafija, Bakushja, gabelja, Pasionare Llapa, të bëjnë të gjitha për të qeshur po me ato veçori, për të cilat duhen mëshiruar. "Anagnosti ka meritën e veçantë që një aktore komike e kalon në dramë, por rolet e mi e kanë pasur këtë element. U bënë 23 vjet që luaj humor dhe brenda meje ka qenë drama. Jam me fat që këtë e zbuloi i madhi Anagnosti", -thotë Marjana, e cila një rol si ky e kishte dashur, por jo më shumë se veten, sa për t'u shtrirë dorën regjisorëve të tjerë. Kur Anagnosti e kishte ftuar, ajo as që dinte gjë për filmin. Edhe kur Alemen, gruan e nënshtruar dhe nënën e pafuqishme të një familjeje patriarkale, ende në letër, regjisori ia la në duar Marjanës për t'i dhënë jetë, zonja e humorit nuk e priti si diçka të bujshme. Gjeti me-njëherë vetveten në atë personazh. "Unë kam në të vërtetë një Aleme brenda meje. Të parat vë detyrimet e familjes dhe pastaj bëj art". Ajo tregon se ishte një tërheqje e menjëhershme afërsie dhe njohjeje. Nuk i mbetej tjetër, vetëm ta niste këtë përvojë të re, që do ta largonte nga shtëpia e do ta çonte drejt e në Vuno, aty ku për xhirimet do sakrifikoheshin ditët e dimrit të kaluara pranë familjes. Por ama, për të mbushur disi këtë boshllëk ishte deti, një pasion i saj i përhershëm. Edhe pse filmi xhirohej në nëntor- dhjetor, ajo nuk humbiste rastin të lahej në det dhe pastaj të hipte në pemë për të mbledhur mandarina e portokaj. E nuk ishte e vetme në aventurat e saj. Shpesh Artur Gorishti dhe Bobi, një qen që i kujtonte të sajin, e shoqëronin. Përveç rolit në këtë film gjeti dhe djalin e munguar, Enxhin, aktorin e vogël. Një fëmijë i zgjuar, me të cilin u lidh tepër. Por ishin vetëm çaste çlodhjeje, sepse gjithë ç'mbetej përmblidhej vetëm në punë dhe xhirime. "Gjatë xhirimeve të filmit kishte një lloj "diktati". Dëgjoheshin vetëm zogjtë, dallgët e detit dhe blegërima e deleve. Xhirohej me Dhimitër Anganostin". Regjisori, i cili, siç thotë ajo, fliste vetëm një herë, brenda kishte plot nënkuptime, njëkohësisht dashuri, profesionalizëm, mirësi, punë. Në atë shesh xhirimesh Marjana e vërtetoi edhe vetë atë që kishte dëgjuar të thoshin për regjisorin: ai në kamera arrin të ndjejë edhe rrahjen e zemrës së aktorit. "Nga do ta nxjerrësh batutën?- më pyeti njëherë. -Nga goja,- i thashë. Çfarë goje?! Nga barku!!!- bërtiti". Gjithsesi, edhe pse i kursyer në fjalë Marjana, mori prej tij mbështetjen dhe sigurinë e një babai.

Lufta në sheshin e xhirimeve


Por jo gjithçka ka qenë kaq idilike gjatë xhirimeve të filmit. Sepse, ndërsa njohu më të mirën, punën me atë që njihet si mjeshtri i kinemasë shqiptare, Mariana mundi të përjetonte edhe anën tjetër të medaljes, atë më të keqen, xhelozinë dhe sulmin e dy kolegëve, njëri prej të cilëve ishte dhe një nga producentët e filmit. "Çifti Ferri u bë ferri im i vërtetë i atyre ditëve. Në çdo çak më vinin në vesh ofendimet e tyre të thëna nën zë, se unë isha e paaftë për ta luajtur këtë rol. Nuk mund të bëja skandal, duke reaguar për ato që i dëgjoja vetëm unë, kështu që më duhej të përtypja gjithë inatin dhe të vazhdoja. Por s'ishte e lehtë që me një vesh të dëgjoja këto fjalë dhe në të njëjtën kohë të realizoja dublin, i cili para një regjisori si Anagnosti, nuk përsëritej shumë herë".

Xhelozinë e shfaqur kaq haptas ajo sheh me shqetësim, si pjesë e një dukurie që po mbështjell gjithë botën e filmit shqiptar, ku rolet janë shndërruar në monopol të disa aktorëve dhe shtigjet për të rinjtë shfaqen të mbyllur. "Regjisorët bëjnë gjithmonë të njëjtat zgjedhje për një numër të vogël aktorësh dhe janë përherë po ata që luajnë në filmat e rinj. Kështu, të rinjtë e kanë të pamundur për të çarë dhe për t'u afirmuar".

Ka kaluar sigurisht një periudhë të vështirë, një betejë psikologjike që Marjana nuk preferoi ta bluante në heshtje, siç bëjnë rëndom shumë njerëz kur gjenden përballë sulmeve. Por, ajo ka një karakter të fortë: preferon të përballet direkt, të thotë pa rezerva gjithçka që ndjen dhe pastaj të tregojë me punën e vet që ka pasur të drejtë. Dhe në fakt roli ishte i saji dhe jo i Rozeta Ferrit. Në premierë u pa që Anagnosti nuk kishte gabuar edhe kësaj radhe, duke parë tek Marjana dramën, atë që ajo e kishte pasur të pranishme edhe në humorin e saj.

Nëse ajo tregohet e patrembur nga xhelozitë që mund të shfaqin kolegët, apo moskokëçarëse nga indiferenca e regjisorëve që angazhojnë vetëm një grup aktorësh, ndihet e shqetësuar për ata aktorë të rinj, të cilët të vetmin shans për t'u afirmuar kanë pikërisht ftesat për role. "Unë nuk i jam bërë urë dikujt dhe nuk do t'u shtrij dorën ndonjëherë regjisorëve. Asnjëherë nuk kam pasur krahë të ngrohta si disa aktore të tjera, por vetëm për faktin se i kam ngjitur shkallët me rend, kam arritur të krijoj personalitetin tim dhe kam mbërritur këtu ku jam sot". Këtë parim, të marrë me vete nga familja e saj, ia kanë ushqyer edhe në familjen e bashkëshortit, Anamali, një familje shkodrane me taban, të arsimuar prej disa brezash, ku edhe pse nga më të kulturuarit, njerëzit ishin të thjeshtë. "Unë e kam pasur mundësinë për të siguruar një pozitë më të mirë që shumë vite më parë në Teatrin Popullor. Vjehrri im ka qenë arkeologu i parë shqiptar dhe kishte shumë njohje, por ai asnjëherë nuk ka dashur të ndërhyjë. “Nuk mund të bëhesh aktore e madhe menjëherë, por shkallë-shkallë. Ti mund të bësh humor duke u dhënë dashuri njerëzve”, më thoshte ai. Dhe duket se Mariana e ka respektuar këtë porosi. Ajo e nis dhënien e dashurisë te vajza dhe bashkëshorti, te familja e saj që është para çdo gjëje dhe pastaj dhe te publiku që e respekton.

Dashuri me shijen e detit

Nëse nuk do të ishte bërë aktore, do të ishte bërë padyshim mjeke. Por ishte gjyshja ajo që këmbënguli për t'i kthyer mendjen. "Ajo pëlqente aktoret e mëdha si Margarita Xhepa, Roza Anagnosti dhe kur më shihte tek recitoja në shtëpi më thoshte se do të bëhesha si ato". Gati nuk ka një shpjegim më të fortë pse Marjana vazhdoi studimet e larta për aktrim. Rëndësi ka që ajo ishte e suksesshme që në fillim. Menjëherë pas diplomimit ka luajtur rolin e saj të parë të rëndësishëm, atë të Fluturës në komedinë "Tre dhëndurët" e vënë në skenë nga Pirro Mani. Një ogur i mirë për të gjitha rolet e mëvonshme, sepse nuk është pak që rolin e parë të ta japë një regjisor si Pirro Mani, i cili thoshte: "Të ngjitet Marjana në skenë, se vetëm ajo më frymëzon". Ky rol erdhi në të njëjtën kohë me një ngjarje shumë të rëndësishme të jetës së saj, lindjen e vajzës, që plotësoi familjen e re të Marjanës. Me bashkëshortin ishin njohur në plazh, një mjedis shumë i dashur, ku familja kalon stinën e nxehtë. Ata të dy janë "qejflinj noti" dhe nuk zgjedhin kurrë malin për pushime, ndërsa bregdetin e shëtisin nga pak, duke u ndalur te i preferuari i tyre, në Durrës. "Ne nuk zgjedhim plazhe mondanësh, por Durrësin, aty është deti, aty ka rërë dhe pisha dhe kujtimet janë po aty. Kemi qenë dy herë në Antalia, por jemi kthyer në Durrës dhe na është dukur më i bukur",- tregon ajo për vendin ku kalon pushimet, që i përgjigjet stilit të saj aspak pompoz, por me këmbë në tokë. Marjana rrëfen se nuk preferojnë restorantet dhe jetën luksoze, por zgjedhin gjithmonë mjedise familjare ku kalojnë çaste të bukura, pa folur për ushqime të shtrenjta, udhëtime, veshje e pushime luksoze, por për çka të bën të lumtur, që në rastin e Marjanës është familja dhe dashuria për njerëzit. Shoqëria e familjes së saj është e njëjtë prej 20 vjetësh, në të ka pak artistë dhe më tepër nga fusha e biznesit dhe agjencive turistike, së cilës i përket i shoqi. Kurse dimrin e kalon thuajse plotësisht në shtëpinë e saj rreth 60 metër katrore, ku në drekë dhe në darkë, si ka qenë gjithmonë traditë, familja mblidhet rreth tavolinës. "Përherë hamë diçka të sapogatuar, unë asnjëherë nuk e lë pas dore gatimin dhe shtëpinë, është diçka që e ndjej dhe me të cilën tashmë ata janë mësuar", thotë Marjana, sipas së cilës, nëse në skenë ajo bën të qeshë publikun, në shtëpi janë bashkëshorti dhe vajza që "tallen" me të, sepse i ka "të përkëdhelurit" e saj, jo vetëm ata të dy, por edhe qenin Tërri, i cili jeton me ta prej tre vjetësh. "Ai është i vetmi në shtëpi që më vjen pas edhe kur i bërtas, se burri dhe vajza nuk të vijnë nga pas",- thotë ajo duke qeshur dhe kuptohet se kjo zgjedhje, fillimisht e vajzës, është shndërruar në një dashuri të madhe për të. Por edhe pse amvisë e përkryer dhe shumë e dhënë pas familjes, për Marjanën bashkëshorti ka vlerë të padiskutueshme në familje. "Në një çast të vështirë fjala e tij është afër me atë të Zotit". Edhe pse me një karrierë si e saj duket se janë lënë shumë gjëra pas dore, ajo të tregon se asnjëherë nuk ka qenë kështu. "Për mua arti ka qenë në plan të dytë dhe jam me fat. Edhe pse i kam kushtuar rëndësinë që meriton familjes, ajo dhe arti kanë ecur paralelisht". E me gjithë këtë, ajo tashmë në moshën 45-vjeçare, është një nga aktoret më të kërkuara. Kapitullin e filmit me Anagnostin tashmë e ka mbyllur, ka marrë komplimentet dhe kënaqësinë e një pune të bërë mirë dhe të një roli që e kishte ëndërruar. Tashmë po bëhet gati për projektet e reja. Një film tjetër i tillë? Sigurisht që do t'i pëlqente një tjetër rol dramatik. Më i fundit është një provë e qartë se ajo di t'ia dalë mbanë shumë bukur dhe në atë gjini. "Megjithatë nuk do t'i lutem askujt. Në rast se do kem ofertë për ndonjë rol, më duhet ta ndiej për ta luajtur, në të kundërt do t'i kthehem humorit". Ide shumë të qarta, por sa u përket planeve për të ardhmen, thotë se ka disa, por nuk dëshiron të flasë para kohe. Çfarëdo që të jenë, publiku s'është veçse duke i pritur.
Marjana Kondi "Pengu im, një fëmijë i dytë"

Kondi pret letrat, FSHF mban shpresa

Eshtë një ndër aktoret më të njohura dhe më të dashura të humorit në Shqipëri. Marjana Kondi, me një per sonalitet energjik dhe interpretim të spikatur, i ka dhënë jetë shumë person azheve të njohura, të cilat janë të skalitura në kujtesën e publikut. Në një intervistë ekskluzive për Gazetën, aktorja tregon për jetën e saj, për fillimet e karrierës në Estradën e Tiranës, realizimin e ëndrrës për t'u bërë aktore e Teatrit Kombëtar, dashurinë me bashkëshortin dhe marrëdhëniet me vajzën, si dhe pengun e saj për një fëmijë të dytë.

Fillimet tuaja si aktore?

Në fillimet e mia në Estradën e shtetit ka pasur shumë lot. E them këtë, sepse në atë kohë kur mbaroje shkollën, të dërgonin në qytete të ndryshme si, në Kukës, Krujë etj. Unë pata fatin që atëherë, në krye të saj u vendos Sulejman Dibra, i cili përzgjodhi për të interpretuar në estradë pesë këngëtaret më të mira të asaj kohe, si dhe u hapi dyert aktorëve të rinj. Një ndër to isha edhe unë. Me Estradën e shtetit kam zhvilluar shumë pjesë, role, karaktere, monologje, të cilat kanë mbetur ende në zemrat e njerëzve. Me kolegët kemi pasur një lidhje të jashtëzakonshme, të cilën vazhdojmë ta mbajmë ende sot. Ndër to, jam shumë e lumtur që kam punuar me Met Begën, sepse është vërtet një aktor i madh. Pas vitit 1997, vumë në Estradën e shtetit komedinë "Një burrë me dy gra", me regjisor Kiço London. Një shfaqje shumë e suksesshme, e cila është shfaqur rreth 120 herë. Në atë kohë, ne vinim premiera njëra pas tjetrës, u bëmë shumë të dashur për publikun dhe ishim në konkurrencë me Teatrin Kombëtar, ndërkohë që unë nuk kam reshtur së trokituri në derën e Teatrit. Në një pjesë të Ilir Bezhanit, "Pesha e Fajit", ku unë isha në rolin e një gruaje serbe, një rol dramatik në situatë komike, një regjisor shumë i madh shqiptar më tha se duhet të ndryshoja strategjinë dhe që unë duhet të bëja patjetër përpjekje për t'u bërë aktore e Teatrit Kombëtar. Sot mund të them që pas vitesh përpjekje për të hyrë në teatër, ia kam arritur. Prandaj, mendoj se çdo njeri duhet të jetë optimist, sepse unë pas shumë përpjekjesh ia dola mbanë. Gjithashtu, dua të them se jam një aktore që e ruaj veten time. Nuk përpiqem që të marr sa më shumë role, por të mbaj një masë pushimi për veten time, e të mos konsumohem. Sepse bota e teatrit nuk ka nevojë vetëm për të njëjtat aktore, por ka nevojë dhe për ato më të rejat.

Keni pasur ndonjë rol të cilin e keni ndjerë më shumë?

Ka qenë një pjesë "Komedi Venecia", me regjisor Spiro Dumin, në Teatrin Kombëtar, ku kisha një kryerol, të cilin e dashurova. Pronarja e një bordelloje, një femër e përdalë, që kthehet tek dashuria e parë, një farë realizmi magjik që më ka mrekulluar. Mbaj mend që ky rol, jo vetëm që më ka goditur shumë mua por edhe publikun, i cili vazhdimisht më pyeste se si kisha mundur të arrija. Dhe unë që nuk mund t'i përgjigjesha, sepse nuk e kuptoja as vetë. E kam ndjerë vërtet shumë atë rol. Pas tij, unë nuk kam pasur më role në teatër dhe për mua, kjo është një fatkeqësi shumë e madhe. Unë si natyrë jam shumë optimiste dhe jam e bindur që regjisorët do të kthehen tek unë. Nëse kjo nuk ndodh, unë do të realizoj një diçka timen patjetër.

Po tek pjesa "Trojanët" e regjisorit grek Vangjelis Theodhoropulos, pse nuk morët pjesë?

Ai kishte zgjedhur tashmë role me aktore që mendoj se janë vërtet shumë të mira. Një ndër to është dhe Margarita Xhepa, e cila ka një rol shumë të vështirë, por që besoj do të rinohet me anë të tij. Unë mund të merrja pjesë në kor, por bëra një zgjidhje humane. Nuk mora pjesë, sepse mendoj se janë shumë vajza të reja, të cilat sapo kanë mbaruar shkollën e që duhet t'i marrin këto role. Unë mbaj mend që kur kam qenë e re, më janë hapur dyert në Estradën e Tiranës dhe ashtu siç më ndodhi mua, dua që t'u ndodhë dhe atyre. Unë mendoj se artisti është shumë human dhe kjo cilësi është thellë nëpër qelizat e mia.

Eksperiencë në varietenë "Portokalli"?

Me "Portokallinë", në një kohë të gjatë punuam me monologje. Ishte një punë e madhe dhe e gjatë, sepse duhet të punoje me një monolog, ta interpretoje atë, të konsultoheshe me regjisorin dhe e gjitha për katër ditë.

A keni pasur ndonjë rol, i cili ka shkaktuar ndonjë reagim?

Mbaj mend, në "Portokalli" ka qenë një pjesë ku Pasionare Llapa ka pasur disa batuta në lidhje me Enverin. Diçka e tillë, "që 28.000 km² sipërfaqe ka Shqipëria, 28.000 yje dhe 28.000 dëshmorë dhe që veprat e Enverit, këta njerëz maskarenj i përdorin për të mbështjellë qoftet". Më kanë marrë në telefon në shtëpi në darkë dhe më kanë kërcënuar, unë i kam mbyllur telefonin, ndërsa ai më rimori përsëri ditën tjetër në mëngjes.

Ndonjë histori që mbani mend kur keni qenë në skenë?

Më ka rastisur dy herë kur më ka kapur e qeshura në mes të rolit. Një herë me Agim Bajkon dhe një herë me Argon Llakën. Me Gonin nuk arrita ta përfundoj deri në fund pjesën, ndërsa me Gimin, e kam mbaruar me një vështirësi shumë të madhe.

Flasim pak për rolet në kinematografi?

Kam luajtur në "Fejesa e Blertës", "Këmishat me dyll", "Fushë e kuqe, fushë e blertë", etj. Pastaj, për shkak se mbeta shtatzënë edhe pse mund t'i luaja sepse isha vetëm në muajt e parë, shikoja më me shumë dashuri dhe përkushtim familjen e fëmijën tim. Kjo bëri që unë të largohesha pak nga filmi, por nuk ndjej asnjë pendesë, sepse në moshën 45-vjeçare arrita të bëj një film me Anagnostin. Ishte vërtet një surprizë. Filluan xhirimet e filmit. Në ato xhirime kam mësuar shumë gjëra, si xhirohet një film, si punohet me regjisorin, sa korrekte duhet të jesh, etj. Normalisht momentet më të bukura që kujtoj, janë ato me të madhin Anagnosti. Ajo që kuptova, është se unë kam luajtur 22 vjet humor dhe brenda meje ishte drama.

Mund të na tregoni pak për familjen: për dashurinë, si ishte njohja me bashkëshortin?

Me Tanin jemi njohur në plazh, dhe të dy jemi shumë të dashuruar pas detit. Mbaj mend një moment shumë të veçantë. Ne ishim të dashuruar, por familja ime nuk e dinte. Unë në atë kohë kisha bërë një aksident, por ai nuk e dinte që goditja ime të ishte e madhe, mendonte ndonjë gërvishtje, ndërkohë që unë isha në koma. Ai erdhi në spital dhe familja ime i njihte të gjithë miqtë e mi, kështu që ata janë njohur në atë situatë. Im shoq më ka kërkuar vetëm preokupimin maksimal në familje, asgjë tjetër. Me të kam pasur shumë fat, sepse asnjëherë nuk më ka penguar në asgjë. Vetë natyra ime por dhe profesioni, ka bërë që unë të shoqërohem më tepër me shokë. Kështu në lagje, unë shoqërohem me Dashnor Dikon, ku batuta dhe humori janë të pafundme. Tek "Portokallia" shoqërohesha më shumë me Agron Llakën, Erand Solis dhe Salsano Rrapin, ndërsa në Teatrin Kombëtar unë shoqërohem me Besim Kurtin. Pra, thuajse tërë kohës jam e shoqëruar me meshkujt.

Po marrëdhëniet me vajzën?


Marrëdhëniet me të janë të mira, por ndonjëherë dhe grindemi me jastëk (qesh). Ajo është më tepër natyra e tim shoqi, kanë interesa të tjera që janë larg artit. Të them të vërtetën dhe shumë pjesë të mia ata të dy nuk vijnë t'i shikojnë, pavarësisht se dashuria jonë është e pamasë. Me bashkëshortin kanë të dy dhe një zakon, sa herë shikojnë një film ose diçka për të qeshur edhe pse mund të jenë në dhoma të ndryshme, qeshin të dy njëkohësisht.

A e ndjen mungesën e një fëmije të dytë?

Po, jashtë mase. Është një ndër mungesat e mia më të mëdha. Por atëherë ishin kohë pak të vështira. Im shoq ishte në Gjermani kur vajza ime ishte 5 vjeç, pas kthimit të tij filluan dhe ndryshimet e sistemit, etj. Gjithsesi mund të them që dashurinë për një fëmijë të dytë ma ka shuar paksa qeni im, Terri.

Commenti