Met Selimi: Cirku shqiptar nuk shpëton me “akrobaci” burokratike

Met Selimi: Cirku shqiptar nuk shpëton me “akrobaci” burokratike

Në kujtesën e të rriturve por edhe të fëmijëve është fiksuar buzëqeshja e madhe, hunda e kuqe, rrobat vija-vija të klounit dhe lëvizjet e shkathëta. Një pasion i madh për një art të rrallë në Shqipëri. U bënë mbi 40 vjet që nga dalja e parë në skenë e Met Selimit. Fillimisht si akrobat e më pas ishte pasioni për humorin që e futi në rrugën e kllounadës. Numrat që realizonte si kloun bënin të qeshnin jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit. Por ndryshe nga ç’mund të mendohet, puna e tij nuk është edhe aq e lehtë. Një kloun duhet të njohë shumë mirë muzikën, të jetë zhongler dhe akrobat.Të ketë aftësinë të bëjë njerëzit të qeshin edhe kur ata janë të mërzitur. Ka ditë që në çadrën e Cirkut të Tiranës po bëhen provat e fundit për shfaqjen “Parada e Mjeshtrave”, e cila do të jetë premierë ditën e diel. Met Selimi si regjisor i shfaqjes zbulon disa nga detajet e saj. Në një intervistë dhënë për gazetën “SOT” njeriu i cirkut nderuar me titullin “Artist i Merituar” flet për gjendjen e vështirë të aktorëve, ndalet duke folur për mundësitë e cirkut sot dhe nuk harron që të tregojë edhe për momentet e lumtura që i ka falur çadra e cirkut.

-Shfaqja “Parada e Mjeshtrave” do të jetë premierë për publikun në datën 16 mars. Mund të na zbuloni disa detaje?

Shfaqja do të jetë ndër më të bukurat këto vitet e fundit, pasi cirku në vitin 1997 përjetoi eksode dhe shumë artistë u larguan nga Cirku i Tiranës. Por tani, me ardhjen e shumë talenteve të reja dhe thirrjen e shumë partnerëve të vjetër si: Fatos Roshi, Fatos Alla, Fitnete Ruçi, Sokrat Buzo, Nevruz Hyseni etj, do të ketë një sërë numrash që do të sjellin një larmi në programin e shfaqjes. Përveç numrave komikë të një niveli të lartë, do të ketë numra shpejtësie, do të ketë numra me kafshë, do të ketë vertikale me stola, do të ketë numra ajri, do të ketë zhonglerë të mrekullueshëm etj. Duke pasur praninë e gjithë këtyre elementëve mendoj se do të jetë një shfaqje brilante që cirkun e kthen në vitet e lavdishme.

-Thatë që kjo shfaqje do ta kthejë cirkun në vitet e lavdishme. Çfarë i ka munguar cirkut që këto vitet e fundit e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm?

Është e vërtetë që cirku e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, por vitet e fundit qeveria na ka lënë pas, megjithëse ne varemi nga bashkia. Por duke ditur se jemi i vetmi cirk në vend, unë mendoj se duhet të varemi nga MTKRS dhe të jemi Cirk Kombëtar Shqiptar. Rrogat tona sot janë shumë të ulëta. Unë si artist i kategorisë së parë e kam rrogën 300 mijë lekë të vjetra dhe mendoje se sa e ka rrogën një artist i kategorisë së tretë. Nga kjo rrodhi një lloj eksodi që rinia nuk u afrua në cirk dhe filloi të largohej për shkak të këtyre kushteve. Tani drejtori Kiço Londo po afron mundësinë me projekte, duke paguar artistët me honorar dhe ka filluar një gjallërim i jetës artistike në Cirkut të Tiranës.

-Keni mbi 40 vjet që jeni pjesëtar i Cirkut të Tiranës, por cili është problemi më parësor që duhet zgjidhur?


Po të flasim për periudhën kohore para viteve ’90 një artist cirku merrte dietë ditore 350 lekë të vjetra, gjithashtu merrte edhe një rrogë shumë të kënaqshme, por përveç kësaj ne kishim dhe shumë shfaqje lëvizëse që i jepnim me cirkun. Në ditët e sotme ne kemi ngelur cirk stacionar që jemi vetëm për qytetin e Tiranës. Mendoj se cirku është i gjithë Shqipërisë dhe duhet të shkojë në të gjithë rrethet e vendit, por kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së fondeve. Çadra e cirkut nuk lëviz sepse duhen lekë që ajo të lëvizë dhe të shkojë me numrat e saj edhe nëpër qytete të ndryshme të vendit. Ne e kemi ngritur zërin tonë për këtë gjë, por ai ka rënë në vesh të shurdhër.

-Pse kërkoni që të jeni nën varësinë e MTKRS?

Kjo është një dëshirë e trupës artistike të cirkut sepse duke kaluar me MTKRS paga që është kryesorja do të ndryshojë. Arti i cirkut është një art i fortë, është një art që do ushqimin pasi është sportiv. Ne me këto rroga dhe këto kushte nuk mund ti kërkojmë shumë të rinjve. Pra cirku si arti i forcës që është duhet të ketë një trajtim ushqimor dhe paga. Këtu unë dua të bëj një krahasim megjithëse mund të duket pak banal dhe kërkoj falje, por arti në Teatrin e Kukullave është një art që nuk kërkon forcë por ai është teatër kombëtar dhe ata i kanë rrogat me sa di unë nga 500 mijë lekë të vjetra, po kështu edhe për Teatrin Kombëtar. Ndërkaq që Cirku i Tiranës, i vetmi në vendin tonë dhe në Ballkan sepse shumë shtete të tij nuk kanë cirk, mua më vjen keq që ai nuk ka vëmendjen nga shteti. Unë them se cirku duhet të jetë kombëtar dhe të varet nga MTKRS.

-Çfarë keni parasysh kur thoni që nuk keni vëmendjen nga shteti?

Unë e quaj si harresë nga qeveria, pasi e them përsëri që është i vetmi cirk në Ballkan. Është nder për kombin shqiptar që ka këtë cirk me këtë nivel dhe meriton një vëmendje nga qeveria. E them këtë sepse është i vetmi art në Tiranë që po shkon gati 1 milion banorë dhe duhet të ketë një argëtim shumë të gjerë për fëmijët.

-Le të kthehemi sërish tek premiera. Fëmijët do të kënaqen, por publiku më i rritur?

Cirku me premierën “Parada e Mjeshtrave” do të marri përmasa të një niveli botëror, pasi marrin pjesë yjet e cirkut shqiptar që janë mjeshtër dhe i kanë kushtuar jetën cirkut. Në këtë shfaqje do të kënaqen të gjithë.

-Keni mbi 40 vjet që jeni pjesëtar i cirkut. Mund të bëni një krahasim se si ka qenë para viteve ’90 dhe si është tani?

Po të flasim për kohën para viteve ’90 cirku nga vitet ’77 dhe ’89 ka qenë i përgjithshëm. Në ato vite ne bënim 4-5 muaj turne në të gjithë rrethet e vendit nga Konispoli deri në Vermosh. Në këto kohë çadra e cirkut lëvizte sepse investonte shteti, për dietat, transportin etj. Tani ne nuk kemi mundësi që të shkojmë deri në Durrës sepse nuk ka dieta, nuk fonde, nuk ka asgjë. Them që sot gjendja është shumë e keqe sepse këtë cirk duhet të shijojnë edhe fëmijët në qytete të tjera të vendit sepse nuk ka fëmijë vetëm Tirana. Për këtë gjë mua si artis i vjetër që jam më vjen keq që xhaxhi Metin ose numrat të tjerë të cirkut fëmijët ti shikojnë vetëm nëpërmjet televizionit. Mendoj se fëmijët duhet ta prekin gjallë këtë cirk të bukur. Unë them se edhe bashkia ka bërë diçka sepse na ka sjellë çadrën bashkë me ministrinë, por unë uroj që ky bashkëpunim midis tyre ta ndihmojë cirkun që të lëvizë. Këtë e them nga eksperienca ime, pasi unë kam punuar në cirkun më të madh italian “Nando Orfei”, i cili lëvizte në të gjithë Italinë dhe këtu duhet të mbërrijë edhe cirku jonë. Ne këtë eksperiencë nuk është se nuk e dimë, por e kemi zbatuar që në vitin 1977 kur çadra e cirkut u montua edhe në qytete të tjera të vendit.

-Cili ka qenë momenti juaj më i bukur gjatë këtyre 40 viteve në cirk?

Jeta ime në cirkun e Tiranës ka qenë shumë e bukur. Unë kam qenë kloun i cirkut dhe kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me publikun tim që janë fëmijët, janë kënaqësia ime. Unë mundohem që me humorin tim duke sjellë gaz tek ata, dua që ti bëj këta fëmijë ta largojnë edhe atë pak stres që i mbulon sot shqiptarët.

-Shfaqja që ju ka lënë më shumë mbresa?

Unë së bashku me partnerin tim në cirk Nevruz Hysenin kemi qenë në një festival botëror në Salermo të Italisë. Aty ne hymë ndër klounët më të mirë të botës. Për ne ishte një nder i madh sepse aty merrnin pjesë klounë që interpretonin në cirqe të mëdhenj të botës. Për herë të parë në vitin 1992 u vlerësuan dy shqiptarë, të cilët u vlerësuan si klounët më të mirë të botës. Në punën time ishte fat që unë punova në cirqet më të mëdhenj të Evropës, pasi aty mora një eksperiencë shumë të madhe të cilën unë tani kam filluar që ta hedh në shfaqet e cirkut sepse kam lënë jetën për të, pasi kam mbi 40 vjet që merrem me këtë art të bukur duke qenë afër fëmijëve të cilët unë i quaj engjëjt e mi. Xhaxhi Meti do të jetë afër tyre deri në fund të jetës.

-Momenti më i vështirë në shfaqje?

Në vitin 1980 kur u organizonin shfaqjet në Pallatin e Sportit ka qenë regjisor Pirro Mani dhe në atë vit mua më vdiq babai. Në atë kohë duhet të vinte udhëheqja që të shikonte shfaqjen dhe unë nuk mund të mungoja dot. Pasi varrosa babain unë kam qenë në shfaqje ku fëmijët qeshnin dhe unë qaja. Unë kam pasur shumë oferta për të ikur në cirqe të tjera të Evropës, por unë dua të qëndroj këtu sepse ndihem shumë mirë në Shqipëri me publikun tim.

-Jeni shumë i njohur edhe për interpretimin e rolit të Çarli Çaplinit?

Çarli Çaplinin unë e kam parë në ato vitet kur unë kam qenë fëmijë. Në atë kohë e shikonim tek kinema “Brigada”. Dëshira ime që në fëmijëri ka qenë që unë të interpretoja si Çarli Çaplini, i cili është aq i madh sa nuk mund të krahasohet. Unë u mundova që ti ruaj makijazhin këtij aktori të madh që edhe sot e kësaj dite unë jam me grimin e këtij aktori të madh.

Commenti