Muharrem Hoxha: - "Në skenë bëj humor por në familje jam serioz"

Muharrem Hoxha: - "Në skenë bëj humor por në familje jam serioz"



Aktori i mirënjohur i humorit, Muharrem Hoxha një nga profesionisistët më veteranë të këtij zhanëri, tregon për gazetën “SOT” fillesat e tij, si edhe kalimin nga një aktor amator në një aktor profesionist. Muharrem Hoxha me origjinë nga Dibra, ka lindur në Tiranë dhe që prej 50 vitesh banon në Durrës, ndaj shumica e fansave dhe dashamirësve të tij e njohin si aktorin durrsak. Talenti i tj, të dhënat në zhanrin humoristik u spikatën tek ai që fëmijë. Biografia jo e mirë që kishte, nuk e ka penguar të nxjerrë në pah talentin e tij, duke u shkrirë me rolet dhe duke fituar në këtë mënyrë simpatinë e të gjithë shqiptarëve.Kështu që në kohën e diktaturës, e pikërisht në vitin 1986 në qytetin e Lushnjës dhe në vitin 1989 në Fushë – Arrëz, Rrema ka fituar dy çmime laureat, duke u cilësuar si aktori më i mirë. Për aktorin e humorit këto aktivitete kanë shërbyer si trampolinë për futjen në skenën profesioniste. Kështu erdhi koha që ai të mos luante më me trupat amatore, por të integrohej tek ish- pallati i vjetër i kulturës në Durrës dhe të bashkëpunonte me të mëdhenjtë e skenës si Adem Gjipali, Fadil Hasa dhe Ramazan Njala. Ndërsa pas viteve ’90, ai ka kaluar si aktor profesionist në estradën e Durrësit. Muharrem Hoxha ka prekur skenat në të gjithë qytetet e vendit, nga ku ruan shumë kujtime të bukura, ndërkohë që ka njohur sukses edhe në skenat jashtë vendit. Ditët e fundit aktori i madh i skenës dhe i humorit është paraqitur në publik me shfaqjen e regjisorit durrsak Haxhi Rama, e titulluar “DVD 06”. Gjatë stinës së verës siç thotë ai, ka shumë projekte në lidhje me shfaqje të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit. Për suksesin e tij flet më së miri publiku durrsak, i cili e respekton dhe krenohet me të.

-Kur dhe kush e pikasi talentin tuaj ?
-Shkëndijat e para u dalluan tek unë që në fëmijëri. Në fëmijëri kam qenë pak trazovaç, por i këndshëm me shoqërinë, saqë dhe sot që jemi familjarë kur takohemi më kujtojnë ato çapkënllëqet e viteve të fëmijërisë. Megjithatë, edhe pse e kam tepruar nganjëherë me shakatë, kjo e ka ndihnuar talentin tim në rrugën e vështirë të artit dhe të humorit. Ndërsa nga ana e mësimeve kam qenë nxënës mesatar, nuk ishte se mësoja shumë. Nga prapësirat e këndshme që bëja një herë në dy javë më thërrisnin prindërit në shkollë, saqë babai, kur më qortonte më thoshte, lëre se po shkoj unë në vendin tënd. Një shtytje talentit tim i ka dhënë drejtoresha e shkollës, e cila ka luftuar anën e biografisë në emër të këtij talenti. Ajo më ka mbështetur gjithnjë dhe më ka stimuluar në punën time, kështu që në shtëpinë e pionierit drejtoja grupin teatral. Humori ishte brenda meje në çdo moment të jetës time dhe vazhdon të jetë akoma.

-Spektatori kënaqet me humorin tuaj. Por sa e vështirë është të bësh humor ?
-Njeriun e bën puna dhe vetë zotësia e tij. Si çdo punë, edhe të bësh të tjerët për të qeshur ka vështirësitë e veta dhe jo të pakta, pasi jeta nuk ka qenë shumë zemërgjërë me mua. Sidomos po të kujtoj fëmijërinë dhe realitetin e ditëve të sotme. Gjithsesi nuk ankohem, pasi, mund të quaj të vështirë përgatitjen dhe mbrëmjen e vitit të ri para Byrosë Politike, duke pasur parasysh dhe kusuret e mia biografike. Por, vështirësisë së të bërit humor i ka ardhur në ndihmë bashkëpunimi me shumë regjisorë nga më të spikaturit, si Fadil Hasa dhe Haxhi Rama. Me regjisorin Rama njihem që në vitin 1983, vit kur edhe mora çmimin laureat në Lushnjë. Vazhdoj të kem miqësi e të bashkëpunoj me të edhe sot e kësaj dite. Nga viti 1986 deri në vitin 1990 kam punuar si amator në estradën profesioniste, ku nuk më ka munguar suksesi, ndërsa nga viti 1990 e deri më sot punoj si profesionist krahas aktorëve të mëdhenj si Fadil Hasa, Aishe Stari, Adem Gjipali, Elibeti Tirana, Sandër Pepa me të ndjerin Artistin e Merituar Spiro Strati, Ramazan Njalën si dhe me Robi Xhoin.

-Ju keni qenë në një turne në Itali e pikësht në Bari. Ç’ mbresa sillni me vete nga shfaqjet aty?
-Isha në një turne në Bari së bashku me Fadil Hasën, ku patëm shumë sukses, pasi pritja qe shumë e ngrohtë nga publiku. Edhe pse gjithë këto vite në skenë emocionet ishin të mëdha, pasi të dhurosh buzëqeshje është një gjë që jo gjithkush e ka dhunti. Së bashku me Fadilin, u paraqitëm me disa nga pjesët tona më të bukura humoristike, gjë që e treguan dhe duartrokitjet që morëm nga spektatorët e shumtë që ndodheshin në skenë. Lidhur me turnetë jashtë vendit, dua të veçoj dy herët që kam qenë në Kanada. Herën e parë kur kam qenë me Fadil Hasën, Manjola Nallbanin dhe Kastriot Tushën dhe herën e dytë ku shoqërohesha nga gruaja, e cila vinte për qejf dhe unë që shkoja për punë. Shoqërimi i gruas u ka bërë të gjithëve përshtypje dhe të gjithë kujtonin se unë po bëja humor, kur thoja që ajo ka ardhur për qejf, ndërsa unë për punë.

-Meqë dolëm tek gruaja, sa ju ka ndihmuar familja në punën tuaj?
-Puna ime ka qenë gjithnjë e mirëkuptuar nga familja ime. Ndoshta nga kjo kam patur dhe shumë sukses. Mund të them se mbështetja nuk më ka munguar asnjëherë, por as unë nuk e kam lënë pas dore familjen. Ajo është gjëja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë për mua. Gruan e kam marrë me shkes, pasi në atë kohë s’bëhej dot ndryshe. Kisha njohur shumë vajza me estradën, por s’dilja jashtë kontureve të kohës. Kështu që mora atë që më gjetën dhe nuk jam penduar për këtë gjë. Kam një djalë, i cili ka mbaruar studimet në Itali për laborant dentist dhe aktualisht punon në profesionin e tij. Në familje jam shumë serioz, gjë të cilën pak njerëz e besojnë dhe shpesherë pyesin gruan time për tu siguruar për këtë gjë.

-Nga gruaja tek martesa. Si vijnë në konceptin e humoristit Hoxha në ditët e sotme martesat me shkes?
-Tani ka ndryshuar koha se përpara ta mblidhnin, ndërsa sot martesa me shkes do të ishte një marrëzi, edhe pse aktualisht në vendin tonë bëhen ende nga këto lloj martesash. Është koha të zgjedhësh vetë, të vendosësh vetë duke lënë mënjanë interesin dhe pasurinë, që para dashurisë vlejnë zero. Por nuk më pëlqen as bashkëjetesa. Këtij fakti i mungon toleranca nga ana ime. Nuk do t’ia lejoja as djalit tim të bashkëjetonte me një femër. Të respektosh dashurinë nuk do të thotë lësh mënjanë respektin për rregullat e jetës. Jam qind për qind kundra bashkëjetesës dhe kjo praktikë më duket ekzagjerim, gjasme se kemi arritur në modernizim, por jam dhe kundër martesave me shkes. Mendoj se njerëzit duhet të martohen, por vetëm me dashuri.

-Projekti i fundit që keni në dorë dhe kur do të ketë kënaqësinë publiku ta shikojë Muharremin në skenë?
-Aktualisht sapo ka përfunduar komedia e regjisorit Haxi Rama “DVD 06”, e cila u ngjit në skenë dhe mund t’ju them se ka patur një sukses shumë të madh, për një javë rresht. Pallati i kulturës është në fazën e rikonstrukturimit dhe ndërtuesit e punimeve na kanë mirëkuptuar për realizimin e projekteve tona. Por mund t’ ju them se nuk ka munguar edhe përkrahja e Bashkisë, si për këtë projekt që sapo u realizua, ashtu edhe për të gjitha projektet dhe aktivitetet e tjera që kemi në dorë. Nuk dua ta bëj publik projektin e fundit me të cilin po merremi si grup, pasi dua ta lë suprizë. Por ju garantoj që ajo shfaqje do të dhurojë shumë të qeshura.

Sot

Commenti