Shaqira e Portokallisë ndahet nga Çavo tani është një miss

Që në fillim hyri në zemrat e të gjithëve duke i bërë të buzëqeshin çdo fundjavë me rolin që iu besua të interpretojë. Pa u sikletosur aspak, duke iu përkushtuar tërësisht karakterit, ajo solli para publikut imazhin e një vajze rome që jetën e merrte ashtu si ti vinte, pa u preokupuar për asnjë problem dhe duke shijuar momentin në maksimum. Kërcimi, veprimet, dhe gjuha ndryshe e përdorur bëri që të mbledhë pas vetes shikues të shumtë.
Albana Perhati, pas ndarjes nga partneri Elvis Pupa, këtë sezon në “Portokalli” vjen ndryshe, me një tjetër personazh, me një tjetër rol. 25 vjeçarja rrëfen trishtimin pas largimit të kolegut dhe mikut të saj Elvisi, përgatitjet për interpretimin e një tjetër karakteri duke mos lënë pa përmendur dhe jetën e përditshme jashtë pune, kryesisht atë private.


Këtë sezon të Portokallisë do të jeni vetëm, pasi partneri juaj Elvis Pupa tashmë është larguar nga kjo variete humori. Çfarë do të na ofrojë Albana këtë sezon?
Po, këtë tre mujorsh të “Portokallisë” do të jem vetëm. Kam rolin e një vajze që është një miss shumë i njohur dhe që nuk ka asgjë tjetër veç bukurisë. Një personazh që flet shumë por në të vërtetë nuk thotë asgjë, nuk di se çfarë flet. Është një rol shumë interesant dhe shumë pranë realitetit shqiptar. Me këtë personazh lihet të kuptohet se ka shumë gjëra më të rëndësishme sesa të jesh një miss.
Ndiheni e vetmuar në rol? E ndjeni mungesën e kolegut Pupa?
Unë e dija që Elvisi do ikte. E dija që do të ishte vetëm për tremujorin e kaluar. Me të isha shumë rehat, ndihesha shumë mirë. Gjenim gjuhën e përbashkët edhe në skenë, në personazhet që interpretonim, edhe si miq dhe shokë. Më mungon shumë, por gjithsesi kjo ishte një zgjedhje e tij për t’iu përkushtuar më shumë punëve të tij private.
Të pëlqente roli i Shakirës?
Shakira ishte një personazh që më erdhi shumë rastësisht dhe me kalimin e kohës fillova ta dua shumë. Ishte një karakter që i thonte gjerat ashtu si i mendonte, pa e vrarë mendjen se si do të dukej apo çfarë do të thonin të tjerët. Është vetë natyra rome e tillë. Interpretoja një person që është shumë energjik që nuk e kishte mendjen tek hallet dhe problemet, por vetëm tek qejfi. E kisha shumë përzemër, madje edhe zëri për këtë personazh më shkonte shumë për shtat.
Më parë Shakira, tashmë një vajzë bukuroshe miss, sa i afrohen Albanës këto personazhe. Çfarë natyre je në të vërtetë?
Miss-i nuk më ngjit fare në tipin tim. Unë jam natyrë shumë energjike, e drejtpërdrejtë. Pjesa më e madhe e bukurosheve të konkurseve janë fallco, kanë diçka që nuk shkon tek to. U ndryshon mimika brenda minutit, këtu qeshin e këtu vrenjten në fytyrë. Të pakta janë ato që veç bukurisë të kenë brenda edhe inteligjencën. Merren aq shumë me paraqitjen e jashtme sa e gjithë vëmendja e tyre është përqendruar tek kjo gjë. Nuk kanë kohë për asgjë tjetër. Ndërsa Shakira ishte shumë ndryshe, shumë rehat me veten. Mendonte se ishte shumë mirë ashtu siç ishte, kishte një partner shumë të zotë në biznes. Mendoj se më afron më shumë personazhi i saj. Janë dy role shumë të ndryshëm. Mua më pëlqen të bëj kapërcime të tilla karakteresh. Albana është një natyrë shumë e dashur, madje më tepër seç duhet në disa raste. Ndihem herë mirë e herë keq për këtë. Është karakteristikë e shenjës së dashit, që në pesë minuta nerva mos të më dalësh përpara por më pas bie shpejt. Fal dhe më vjen mirë që e kam këtë natyrë. Kam shumë shoqe por shumë pak mike të ngushta.
Le të prekim pak jetën private. E ke gjetur njeriun e zemrës?
Jam e dashuruar. Natyra ime është që bie në dashuri shpejt. Në të njëjtën kohë jam dhe shumë xheloze. Thonë se artistët janë të lirë por tek mua nuk ndodh kjo.
Njerëzit më të afërt?
Gjyshja ime, të cilën e kam debulesë, vëllai i vogël dhe dy shoqet e mia Denalda dhe Silva.
Si të pëlqen të vishesh?
Më pëlqen të vishem sport. Kam shumë pak rroba për mbrëmje, e gjej më mirë veten tek rrobat sportive. Mbaj shumë shpesh shall në kokë, e përdor edhe më shumë tani që kam flokët bionde të shkurtra.
Cila është batuta që të pëlqen më shumë nga personazhi në “Portokalli”?
Në fakt ka shumë. Dhe shkaktojnë mjaft të qeshura. Si për shembull: U habisa… Qafsha për zotin ky osht Çavo im… Kopshti llollogjik. O Çavo a do bojm spektakla…? Do dublojm filma re..A ta mort dreqi kaptinën ty ishalla. Di italionçe note unë rre Çavo…
Cilat janë reagimet që merr nga njerëzit në rrugë?
Njerëzit rrallë herë më njohin. Sapo filloj e flas më thonë: ku të kemi parë ne ty? Dhe unë që i përgjigjem: Nuk e di, ndoshta jemi në një lagje.
Ke menduar për ndonjë projekt tjetër teatral apo film?
Tani për tani jo. Jam shumë e zënë me punën në “Portokalli”, duhet të bëhet një spektakël në javë dhe prova të të marrin pjesën më të madhe të ditës. Në Janar pres një projekt filmi.

Commenti