Si vdiq legjenda Sandër Prosi

Çfarë ka ndodhur në ato ditë të ngrysura prilli në hotel "Vollga" teksa xhirohej filmi "Pranverë e hidhur". Intimitetet e një aktori të madh, përmes një gruaje.

Sandër Prosi, mjeku me shikim magjepsës, u bë artisti që, me origjinalitetin e vet, i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë, butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm në mendjen e njerëzve

Në një nga vilat e pakta të mbetura në zonën e bllokut, në galerinë e një piktori, ruhet ende me fanatizëm që prej prillit të vitit 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë fshehur pas syzeve aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë prilli, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel " Vollga". Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje. Tashmë kanë kaluar vite e ai portret sikur është harruar. Të vetmit që e kujtojnë ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto, tani pak kush i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur prilli…
Ishte mesditë. Përballë kishte vetëm muret e dhomës së hotelit, ku po kalonte ato ditë të ngarkuara me plot ndiesi e shqetësime prej artisti. Filmi ende nuk kishte marrë rrugë. Personazhi i tij ende nuk ishte afruar tek porta për të trokitur në vëmendjen e shikuesve. Ndoshta ishte gati për ta nxjerrë nga vetja edhe këtë rol. Por ndoshta edhe jo. Kur pa që të gjithë ishin larguar…
Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekulibri ka humbur shtratin e përhershëm e ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në këto momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër, në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty mori vesh lajmin e kobshëm. Të gjithë ngrinë në vend. Vrapin nga ajo lagje e vjetër deri tek hotel Vollga asnjëri nuk e ndieu. Qe një vrap i çmendur, që nuk mundi të arrijë dot vdekjen që ishte larguar duke lënë pas gjurmë të kuqe gjaku.

Ç'farë u fiksua në kamera ato ditë?

Dy operatorët e filmit, Gavrosh Haxhihyseni dhe Mihal Rama ende i sjellin ndërmend ato ditë xhirimesh. Ai kishte kohë që nuk luante në një film dhe dëshirohej për një rol. Kur i ofruan rolin e një fotografi ai nuk nguroi. Vetëm se shqetësimin nuk e largonte dot nga vetja. Do mund të arrinte të krijonte një personazh që do të mbetej në mendjen e njerëzve? "Konsultohej çdo ditë për rolin e tij, megjithëse personazhi ende nuk kishte nisur të fokusohej si duhet në kamera. Ishin xhiruar vetëm planet e para të filmit. Madje në atë pjesëz filmi që ruhet ende në arkivin e Kinostudios, janë ato pamjet e pakta ku ai ecën buzë detit e monologon. Më tej kamera nuk fiksoi asgjë tjetër nga Sandër Prosi"- kujton operatori Gavrosh Haxhihyseni.

Sandër Prosi, në kujtimet e një gruaje
Pak kush e di, se në shtëpinë e tij, ku shkruhet me shkronja të mëdha "Këtu ka banuar aktori Sandër Prosi", në katin e dytë, brenda një dollapi paksa të vjetëruar, gjendet ende një violinë. Bashkë me të jeton një grua. Ato shpesh herë kuvendojnë me njëra-tjetrën për njeriun e zemrës, atë që prej kaq kohësh u mungon shumë, Sandrin. Tani ajo rri e heshtur dhe nuk preket nga askush.
Me të kanë jetuar shumë vite, ndoshta vitet më të bukura të jetës. Për 20 vite kanë jetuar në një dhomë të vetme. Aty Sandër Prosi, bashkë me gruan e tij Fila ( kështu e thërriste), dhe dy djemtë Aristidhin dhe Adrianin, kanë ndarë lumturinë dhe dhimbjen. Por Fila ndiehej e lumtur me Sandër Prosin. "Edhe pse mungesat nuk reshtnin kurrë ne gjithmonë do të gjenim kohë për të qetësuar njëri-tjetrin. Për t'u falur dashuri prindërore dhe sigurisht, për të dalë bashkë mbrëmjeve",- kujton Filomena, gruaja 72- vjeçare që jeton me hijen dhe kujtimet e bashkëshortit. Vërtitja tij nëpër kokën e lodhur të gruas, shpërthen dhe zbrazet në trajtë lotësh faqeve të rrudhura nga mosha. "Ai po punonte me "Otellon" dhe monologjet e shumtë, recituar gjithë ton nga Sandri, kishin zënë të nguliteshin edhe në kokën e Aristidhit që ishte gjashtë vjeç. Një dhomëz dhe katër njerëz brenda saj.... E si mund të punohej ashtu! Por Sandri nuk donte të kërkonte asgjë, as edhe një strehë ku të punonte i qetë "-tregon Filomena.
"Dilnim shpesh jashtë,- kujton ajo- përballë shtëpisë, aty pranë një shtylle elektrike, ku poshtë llambushkës, dukeshin qartë shkronjat e tekstit. Unë mbaja tekstin dhe ai recitonte... përsëriste e përsëriste shumë herë ato çka ishin shkruar në atë grumbull fletushkash, derisa ai të mendonte se puna kishte mbaruar".
Kështu nxinte rolet e tij, gjersa morën një hyrje për të qenë. Harresa e shtetarëve la mjaft vraga të pahijshme në jetën e tij. Madje edhe tani, pas vdekjes, e shoqja jeton vetëm me pensionin e saj shumë të ulët ... dhe me ato... kujtimet e bukura.

Njohja me Sandër Prosin
Ai atëherë ishte një aktor mjaft i njohur. Ajo 26 vjeçe, koriste në pallatin e Kulturës, Elbasan. Vajza kryeneçe dhe plot naze, nuk e dinte se kishte zënë vend në ëndrrat dhe jetën e tij. Në atë kohë Sandri do të jepte një shfaqje në Elbasan, e cila nuk i la ndonjë mbresë të madhe vajzës që ai kishte "piketuar".
Pas vëzhgimit nëpërmjet të çarës së një gazete, pas shumë e shumë troke hapash nga pas, shumë rrahje zemrash, në familjen e Filomenës, së bashku me një propozim martese, kishin mbërritur edhe ca ftesa për në teatër. Nuk dinte ç'të bënte. Por fati kishte dashur që këto naze të kurorëzoheshin me martesë dhe Filomena pak nga pak do të ndihej e dashuruar. "Kemi kaluar një jetë me shumë, shumë dashuri...."- kujton gruaja që jeton e vetmuar në shtëpinë madhe.


Viktor Gjika: "E nxora Sandrin nga spitali dhe e nisa për në xhirime"

Ai e dinte se Sandër Prosin e shëronte vetëm puna. E dinte se nuk duhej lënë asnjëherë brenda mureve të spitalit, në ato korridore ku shpesh të zihej fryma vetëm duke parë përreth. Aktori kishte nevojë të jetonte ndryshe, të merrte e të jepte me personazhet e tij. Regjisori Viktor Gjika e dinte këtë. I kishte ndodhur edhe dy herë të tjerë ta merrte Sandrin nga shtrati i spitalit dhe drejt.. e në punë. "Ai e ndiente veten mirë vetëm në sheshin e xhirimit",- thotë regjisori teksa rrëfen tentativën e fundit për ta kthyer Sandrin në botën e filmit.- Herën e parë mjekët ishin pataksur. "Nuk mund ta merrni, ai është sëmurë, nuk është në gjendje të dalë e të bredhë nëpër sheshet e xhirimit"-i kishin thënë ata. Regjisori nuk i dëgjoi. Sandrit i shkrepëtiu një dritëz gëzimi në sy. "Atëherë po xhironim filmin "Përballimi" dhe ai e përballoi jo vetëm filmin, por edhe sëmundjen. Pastaj e njëjta gjë ndodhi edhe me filmin "Nëntori i dytë", e këtu ai ishte shumë më lart",- thotë Gjika. Regjisori kujton se kështu e mori Sandrin edhe për flmin "Pranverë e hidhur". Sërish ishte në spital, e kishte kohë që nuk angazhohej në një film. Mendova se një rol do t'i bënte mirë- tregon regjisori.
Muharrem Fejzo. I rekomandoi pikërisht Sandër Prosin. "Atij filmi i duhej vërtet pasioni dhe puna e Sandrit"- thotë Gjika teksa mundohet të kujtojë edhe momentin kur ka marrë lajmin e hidhur. "Njoftimin për vdekjen e tij e kam marrë teksa ndiqja premierën e një filmi. Nga ajo ditë mbaj mend vetëm tronditjen e thellë që kam përjetuar. Sandrin pastaj e kam parë vetëm në morg. Ishte një humbje fatale",- thotë regjisori.


Kush ishte Sandër Prosi

Sandër Prosi mbaroi studimet për stomatologji, duke qenë profesionalisht larg artit dramatik, por brenda dhimbjes artistike të njeriut. Kjo do ta shtynte drejt skenës për të depërtuar në karaktere dhe figura historike dhe artistike, të cilat do të nxirrnin në pah aftësinë e tij për t'i tejkaluar ata dhe për t'i bërë pjesë të karakterit të vet. Burri me pamje fisnike, do të thirrej herë pas here me emra të ndryshëm dhe do të linte mbresa të veçanta për spektatorët, duke sjellë para syve të tyre Abdyl Sharren, kapitenin e Bigës, dr. Kristo Borovën, peshkatarin Vranen, Jaho Labin, profesorin, Miti Vozarin, Sefedinin, Dhaskal Todrin, Ismail Qemalin, prof. Mirushin, kolonelin Xhon, Brunon, Markun, gjeneralin, Pilo Mullixhiun etj.
Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film . Ishte personazhi i drejtorit të shkollës në filmin "Debatik". Ky do të ishte fillimi, ndërkohë që ai do të spikaste dukshëm duke reflektuar impulset e magjishme të artit dramatik. Me shikimin e thellë, me të folurën e prerë, me zërin e ëmbël, ai nuk mund të mos të shfaqte Sandrin e vërtetë, njeriun e natyrshëm, që u bë artist i madh. Në filmin "Vitet e para" ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Më vonë, ai luajti në mjaft filma të suksesshëm, si: "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Mëngjese lufte" , "Yjet e netëve të gjata", "Në fillim të verës", "Fijet që priten" , "Përballimi", "Gjeneral Gramafoni" , "Udha e shkronjave", "Plaku dhe hasmi", "Kush vdes në këmbë", "Detyrë e posaçme", "Oshëtimë në bregdet", "Guximtarët", "Shtigje lufte", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Njeriu me top", "Vajzat me kordele të kuqe", "Plumba perandorit" etj.
Sander Prosi , si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare, është nderuar me disa çmime, kupa, medalje si dhe me çmime të Republikës. Kështu, në vitin 1975, ai u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë, për rolin e Jaho Labit në filmin "Në fillim të verës".
Realizimi i figurës së Ismail Qemalit, ishte imponuese, kështu që ai u nderua me Medalien e Festivalit të Pestë dhe me Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.
Për mëse tre dekada krijoi mbi 80 role në 75 vepra të autorëve të huaj dhe tanët. Por klasi i lartë i tij bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit: trupi i drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, nëpërmjet zërit të veçantë, i dhanë këtij aktori përmasat e një artisti të madh të skenës.


Thonë për të…
Vangjel Gjikondi: Mbetet i pavdekshem
Ishte artist i gjithanshëm. Me origjinalitetin e vet, ai i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë, butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm në mendjen e njerëzve.
Me të mund të flisje për gjithçka, për të gjithë artet, e për të gjithë gjërat që shqetësojnë një njeri. Ai njihte autorët e ndaluar dhe veprat e ndaluara me përsosmëri. Diskutonte me pasion për filozofët e mëdhenj dhe e donte shumë Niçen. Ndërsa nga muzika klasike pëlqente më shumë Vagnerin. E të mendosh se në atë kohë të dëgjojë muzikën e tij, ishte si të dënoje vetveten.

Ilia Terpini: Sandri, një artist i madh që vdiq i varfër
Është një nga figurat më të talentuara të artit teatral dhe kinematografik shqiptar. Karakteristikë kryesore e Sandrit ishte se ai punonte me shumë pasion. Përveç se ai ishte një kollos i artit, dinte të ishte jashtëzakonisht i thjeshtë. Kam patur fatin të punoj me të në disa filma. Mbresat i kam ende të gjalla. Mjaft të kujtoj "I teti në bronx" ku Sandri kishte rolin e doktorit, një rol shumë i vështirë e kompleks. I duhej të kuronte ushtarë gjermanë, kur në familje strehonte një partizan. Kishte një dhëndër që i përkiste forcave regresiste. Imagjino se në ç'rreth duhej të vërtitej ai për të nxjerrë figurën e tij komplekse. Do të doja ta krahasoja me aktorin francez Zhan Gaben tek "Të mjerët". Ai dallohej në interpretimet e tij por edhe jetën e jetonte si t'i vinte. Ndaj edhe ishte shumë i vërtetë në rolet e tij. Më vjen keq vetëm për një gjë, që një artist kaq i madh sa ai vdiq, dhe vdiq i varfër"


Disa nga filmat ku ka luajtur

"Vitet e para"
"Horizonte të hapura"
"I teti në bronz"
"Mëngjese lufte"
"Yjet e netëve të gjata"
"Në fillim të verës"
"Fijet që priten"
"Përballimi"
"Gjeneral Gramafoni"
"Udha e shkronjave"
"Plaku dhe hasmi"
"Kush vdes në këmbë"
"Detyrë e posaçme"
"Oshëtimë në bregdet"
"Guximtarët"
"Shtigje lufte"
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur"
"Njeriu me top"
"Vajzat me kordele të kuqe"
"Plumba perandorit" etj.

Commenti