TAKIM ME AKTORIN, NDREK LUCA


Në verë të vitit 1980, në Kosovë erdh trupa e Teatrit Kombëtar të Tiranës për të shfaqur dy drama shqiptare: “Baca i Gjetajve” të dramaturgut, Fadil Kraja, dhe ”Zonja nga qyteti” të skenaristit, Ruzhdi Pulaha. Aktorët e Teatrit Kombëtar të Tiranës pasi shfaqën dramat e tyre me sukses në Prizrenin legjendar, zbritën në Therandën tonë. Ata u vendosën në hotelin “Ballkani” dhe pas pak hynë për të vizituar bibliotekën bashkëkohore, e cila u pëlqeu. Sot, biblioteka nuk ekziston, gjatë luftës në Kosovë barbaria serbe e dogji me themel. Shumicën e këtyre artistëve i kisha parë në filmat dhe dramat e shfaqura në programin e Televizionit Shqiptar. Por i kisha parë edhe në filmat e shfaqur për herë të parë në kinemanë e Prishtinës në vitet e shtatëdhjeta, siç ishin: “Komisari i dritës”, “I teti në bronz”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Malet me blerim mbuluar”, “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Debatik”. Atë vit e tërë Kosova kishte vërshuar në drejtim të Prishtinës heroike për të shikuar filmat e kinematografisë “Shqiperia e Re”. Në mesin e aktorëve ishte edhe aktori i mirënjohur, Sulejman Pitarka, përndryshe autor i epopesë heroike të dramës “Trimi i mirë me shokë shumë” dhe i dramës ”Familja e Peshkatarit”. Në mesin e shikuesve, ky aktori dhe dramaturg është i njohur në rolin e Sulejman Vokshit tek “Besa e Madhe”.

Interesimi për shfaqjen e dramës shqipe ishte jashtëzakonisht i madh, prandaj ishte e pamundur të sigurohet bileta, qoftë edhe në këmbë të qëndroje. Kështu ndodhte sa herë që shfaqeshin filmat, dramat dhe koncertet e bukura nga Shqiperia mëmë. Ka ndodhur që biletat e filmit më të shikuar nga ndonjë matrapaz të shitet dyfish, mirëpo kësaj radhe të gjithë shkuesit ishin bërë të etur për artin skenik, dhe me padurim pritnin të hynin. Megjithatë dashuria e shikuesve therandasë, por edhe e mbarë Kosovës, nuk ishte vetëm në koncertin dhe dramat e bukura të shfaqura nga grupet artistike të Tiranës, por i tërhiqte dashuria e vëllazërisë kombëtare, me anën e së cilës shprehnin vullnetin për bashkim të shpejtë të Kosovës me Shqiperinë mëmë. Këtë dashuri të zjarrtë për bashkimin kombëtar po e shihnin edhe serbomëdhenjtë, prandaj udba jugosllave kishte angazhuar spiunë të paguar shqiptarë për të përgjuar çdo lëvizje dhe bisedim në mes të qytetarëve therandasë dhe artistëve të Shqiperisë. Para një viti ansambli i këngëve dhe valleve nga Brazili shafqi koncertin tradicional në Therandë, ndaj shikuesit ishin aq të lirë saqë vallëzuan krahas solisteve braziliane gjysmë të zhveshura, mirëpo asnjë udbash nuk u duk në mesin e spektatorëve.


Të nesërmen, në orët e pasdites në bibliotekë hyri aktori i madh dhe autori i dramës historike “Shtatë Shaljanët”, Ndrek Luca. Unë u përshëndeta me Ndrek Lucën, aktorin e roleve negative që shikuesit i tronditë, por i dashur me të gjithë njerëzit. Biseduam rreth bibliotekarisë si dhe kulturës kombëtare shqiptare. Ashtu siç shprehen të gjithë intelektualët ndaj librit dhe bibliotekës, aktori dhe dramaturgu e nderoi bukur punën time duke thëne se biblioteka është pasqyrë e punës intelektuale të popullit shqiptar. Ndrek Luca, ishte me temperament të fuqishëm, fisnik dhe i shoqërueshëm, ndaj pa humbur kohë më pyeti se a e kam shikuar premierën ”Baca Gjetajve” në teatër. I tregova që e kam shikuar, ishte një dramë jashtëzakonisht e vrullshme për Bacën, një malësor trim që flijohej për atdhe. Pastaj Luca tregoi se pikërisht në prill të vitit 1979, kur tërmeti e goditi Shkodrën, në sallën e teatrit "Migjeni" kishin shfaqur dramën “Baca i Gjetajve”, edhe pse gjatë shfaqjes ndodhi një lëkundje e vogël tërmeti, shikuesit dhe aktorët nuk u shqetësuan, përkundrazi shfaqja vazhdoi. Pastaj më pyeti se a dëshiroj të shikoj premierën e dytë ”Zonja nga qyteti”. Unë i thash se nuk kam biletë dhe se është vështirë të sigurohet, megjithatë dramën e kam shikuar në Televizionin Shqiptar. “Për këtë mos u brengos, merre karrigen me vete dhe shkojmë së bashku në sallën e teatrit,” më tha Luca. “Nëse ju më siguroni hyrjen në shfaqje, unë nuk çaj kokën për karrige, me ëndje do të qëndroj në këmbë gjatë shfaqjes,” thash unë, meqë e dija se në sallë nuk ke se ku të vësh këmbët, jo më karrigen. Në shenjë vëllazërore, aktori i madh më përqafoi duke më thënë se do të më vendoste përballë tribunës së teatrit.

Ishin orët e pasdites, ndaj e mbylla bibliotekën dhe së bashku me aktorin Luca shkuam në sallë, ku shfaqej drama. Spektatorët ishin ngjeshur dëng, jashtë dhe brenda, rrëmujë e madhe. Në derë më ndaluan rojtarët, isha pa biletë, ndërkohë Ndrek Luca ndërmjetësoi se jam nën kujdesin e tij dhe se po më nderonte. Rojtarët ishin të pabindur ndaj lutjes së aktorit. Mendova mbase këta nuk duan të marrin parasysh edhe pengun e tij, për të cilin ai do të sakrifikohej. Me këtë interesim kaq të madh të aktorit kuptova atdhedashurinë e tij ndaj meje. Rojtarëve iu bashkëngjit edhe një polic që provoi të më ndante prej aktorit Luca. Mbeta në vijën e demarkacionit: ai brenda, unë jashtë derës. Për fat të mirë, sekretari i BVI-së për kulturë, Vesel Berisha, pa që Ndrek Luca po mundohej të më tërhiqte me dorë, mirëpo në mes të derës kisha dy këmbët iks të rojtarëve, të cilët shkëputnin biletat e shikuesve. Sekretari u afrua te dera dhe u tha të më lejonin të hyj.



Kaluam nëpërmes shikuesve skaj karrigeve të sallës dhe sakaq u gjendëm afër tribunës. Në rreshtin e parë ishin ulur kryesisht udhëheqësit e organeve komunale dhe të organizatave punuese, kurse në rreshtin e dytë pranë aktorit Reshat Arbana, ishte një vend i rezervuar për Lucën. U ula dhe u përshëndeta me aktorin Arbana, ai luante rolin e luftëtarit në çetën e Çerçiz Topullit në filmin artistik “Liri a vdekje” (1979), kurse më vonë do të luante rolin e Isa Boletinit në filmin artistik “Nëntori i Dytë” (1982). Reshat Arbana do të bëhej një ndër aktorët më të popullarizuar meqë në Vlorën Heroike, në prani të Ismail Qemalit, puth Flamurin Kombëtar. Është një fragment i shkurtër në film, por i madh në zemrat shqiptare. Para se të fillonte shfaqja, të gjithë shikuesit në sallë e shikonin me kureshtje aktorin, Reshat Arbana. Pas pak u shuan dritat dhe papritmas, si një kopsht me lule po hapej skena teatrale e “Zonjës nga qyteti”.

Ashtu siç i shkruajnë shkrimtarët përjetimet e tyre, e përjetova edhe unë ngjarjen, më dukej sikur të isha në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Kuptohet që Tirana nuk është vetëm kryeqytet administrativ i Shqiperisë, por edhe kryeqytet i artit, kulturës dhe letërsisë. Kështu shkruan edhe poeti i njohur kilian dhe miku i Shqiperisë, Pablo Neruda, i cili në vjershën e tij “Shqiperia” Shqiperinë e përshkruan të fortë dhe zëmjaltë i kitarës me ujë e çelik të gjallë. Para disa muajsh Ansambli popullor i këngëve dhe valleve nga Shqiperia shfaqi koncertin madhështor në sallën e madhe të restorantit “Ballkani”. Në mesin e valltarëve dhe solistëve të shumtë doli edhe këngëtari dhe kompozitori i mirënjohur, Avni Mula, me zërin e tij alpik, që ushton nga bjeshka në bjeshkë. Ai këndoi “Nënë moj do pres gërshetin”, për të cilën ishte vetë krijues, vet këngëtar, me një fjalë; vetë shkruaj dhe vetë këndo. Shikuesit u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje përcillnin këngën e artistit të madh shqiptar. Avni Mula i falënderonte nga zemra shikuesit therandasë, të cilët nuk e ndalnin dot duartrokitjen. Ai i hapte krahët dhe dy duart i mbështeste në gjoks; këtë e përsëriti disa herë me radhë. Mirëpo gratë kanë një imagjinatë të çuditshme, prandaj bashkëshortja ime Zylfia, e komentonte se këngëtari Mula me krahët që herë pas here i hapte, shprehte dashurinë e zjarrtë për bashkimin e Kosovës me Shqiperinë.

Të nesërmen, Ndrek Luca erdhi në bibliotekë dhe unë e falënderova për premierën që më nderoi. “Rrëmujë e madhe… pashë se si ai polici donte të largonte prej derës, mirëpo unë nuk të lëshoja dot. Mbase, ai ishte ndonjë polic serb”, tha zoti Luca. Unë qesha dhe i thash se as policët shqiptarë nuk janë më të mirë se policët serbë. Goditja e policit shqiptar dhemb më shumë se e policit serb. Aktori i madh luhati kokën nga keqardhja.

Nuk i shqitja dot sytë nga balli me rrudha i Ndrek Lucës, të krijuara si rrjedhim i aktrimit të gjatë dhe shpirtëror. Ishte dita e fundit, edhe pak do të niseshin me autobus në drejtim të Prishtinës dhe Preshevës. Më vonë nga shtypi mësova se për skenën e dramës së Bacës në Teatrin e Preshevës, një plak i kishte dhuruar qeleshen e bardhë aktorit të madh. Ndrek Luca e mbajti qeleshen dhe atë ditë tha: "Dua të varrosem me këtë qeleshe". Qeleshja për Aktorin e Madh, ishte një kujtim sa i dashur, aq edhe melankolik, sepse Lugina e Preshevës ishte ndarë padrejtësisht dy herë nga Shqiperia Etnike.

Më vonë erdhën aktoret Violeta Manushi dhe Roza Anagnosti; ato më pyetën mbi përshtypjen time të shfaqjes “Zonja nga qyteti”. Gjithashtu u thashë se gjatë shfaqjes më dukej se gjindem në Tiranën tuaj. Sponzori i trupës i thirri, tha se po niseshin me autobusin që i priste në oborrin e hotelit. Në përfundim, të gjithë aktorët u shkëputën nga Theranda, ashtu siç e thyen shtrëngata degën e një lisi të trashë.

Commenti