lunedì 4 maggio 2009

Interviste me aktoren Yllka Mujo

Me aktoren Yllka Mujo



Intervistoi: Irhan Jubica


Yllka Mujo, me nje pervoje skenike e kinematografike prej
rreth 75 rolesh, eshte lindur ne Tirane, me 15 tetor 1953.
Megjithese arsimin e mesem e kryen per kanto, ne Liceun
Artistik, studimet e larta i perfundon ne vitin 1975 per
dramaturgji ne Akademine e Arteve, pasi karriera e saj
aktoreske, kishte filluar me rolin e Almes ne "I teti ne
bronx".
Gjate viteve te angazhimit te saj ne teater e me pak ne film,
Yllka Mujo eshte nderuar me çmime te ndryshme nderkohe, qe
vleresimi me i fundmit ka qene Çmimi Aktorja me e Mire e
Festivalit Kombetar te Teatrove, (Vlore, 1995), per
interpretimin e saj ne dramen "Fernando Krafti me ka shkruar
kete leter".
Publiku kryeqytetas e ka ende te fresket shkelqimin e Yllka
Mujos ne premieren e "Zonjushes Zhuli", te dhene para pak
ditesh ne sallen e Teatrit Kombetar.
Megjithese nje aktore shume e suksesshme, per Yllka Mujon ende
nuk po kujtohen per ta vleresuar ashtu si duhet. Dhe ketu nuk
eshte fjala, thjesht per nje "Artiste e Meritur" apo "Artiste
e Popullit".
I.Jubica


Interpretime
ne drama:
Luiza Miler
Nata e dymbedhjete
Nje jete
Vizita e inspektorit
Prometeu
Shtepia e Bernarda Albes
Permbytja e madhe
Fernando Kraf me ka shkruar kete leter
Nate me hene
Sherbetoret
Zonjusha Zhuli
Muzeu
Kopeshti me dallendyshe
Kujdes, kafshon
etj.

ne filma:
I teti ne bronx
Malet me blerim mbuluar
Taulanti kerkon nje moter
Rrugicat qe kerkonin diell
Zonja nga qyteti
etj.


55: Sa zgjat nje rol?
Yllka Mujo: Mendoj se kjo varet nga individualiteti i aktorit.
Per mua, roli fillon kur marr tekstin dhe ai rol nuk merr fund
kurre. Dua te them, se edhe pas shfaqjes, une vazhdoj ta
perjetoj personazhin.
55: Ndikon ne rolin pasardhes ky perjetim kaq i gjate?
- Kohet e fundit nuk me ka ndodhur qe t'i marr rolet njeri pas
tjetrit. Vazhdimisht kam pasur nje periudhe qetesie nga roli
ne rol dhe e kam lene rolin deri ne fund te penetroje ne
damaret e mij. Keshtu, e kam pasur ate fat, qe roli pasardhes
te futet plotesisht ne shtratin e vet. Roli paraardhes ka lene
gjurme aq sa duhet te lere. Ka lene molekulat e domosdoshme
per mua dhe per te.
55: A ndikon personazhi ne formimin e personalitetit te
aktorit? Konkretisht, ju, kujt personazh ia dedikoni
personalitetin tuaj?
- Kjo eshte nje pyetje jashtezakonisht interesante, qe s'ma ka
bere asnje gazetar. Per mua, teatri eshte nje humnere ne te
cilen une zhytem per t'u gremisur e per t'u ringritur. Eshte
nje bote me vete, e shkeputur edhe ne konceptin fizik nga jeta
e perditshme. Pavaresisht se ai hyn brenda meje dhe une zhytem
ne te, ne kohen qe kjo e fundit ndodh, une harroj gjithe çka
ndodh rreth e qark. Personazhet, ne teresi, ndikojne ne
formimin e personalitetit te aktorit njeri. Pa dyshim.
Vazhdimisht kam punuar me role relativisht te veshtire, aty
ku, jo drama eshte e madhe, por ku psiqika eshte shume e
renduar dhe ku, dashje pa dashje, kur roli eshte psiqikisht i
renduar, flitet per nje personalitet, sepse kjo eshte prova me
e madhe e njeriut: deri ku shkon personaliteti i tij,
fillimisht ne raport me veten, pastaj dhe me te tjeret. Ne
kete kuader mendoj, se roli i pare ne drejtim te ketij
personaliteti te fuqishem, ka qene Luiza ne dramen e Shiler -
it, "Luiza Miler". Sepse ai ishte rol i plote, teper dramatik,
qe ne fund te fundit flet per pastertine e nje shpirti, i cili
nuk pranon te perdhoset, nuk pranon te nxihet. Pa dashje,
aktori, konkretisht une, gjej te vertetat e mia, duke
perplasur veten me kete rol. Ekziston nje veti e magjishme e
rolit. roli eshte magjik. Nese une kam disa te verteta te
perbashketa me rolin, atehere ai rol fillon e me thith aq
shume, saqe mua me ben teresisht te vertete te vlerat e veta.
Dhe kur punoj, kur shkoj rruges, kur takoj njerez, kur bej
pune shtepie, jam e tera e pushtuar nga kjo figure, - e cila
ka hyre tashme tek une, ose une kam hyre tek ajo, sepse kjo
marredhenie eshte gjithmone e ndersjellte - e ndiej veten
plotesisht nen ndikimin tim ndaj rolit, ose te rolit ndaj
meje. Ndiej se kam vetite qe ka ky personazh. Fillimisht, kete
e kam ndjere shume fuqishem te Luiza Miler. Kur ecja rruges
pas provave, ndieja qe ecja krejt ndryshe, qe mendoja krejt
ndryshe, shume here me teper se zakonisht, ngreja syte nga
qielli, shume here me teper se zakonisht flisja me yjet, ...
55: Sepse keshtu bente Luiza Miler...
- ... sepse keshtu bente ajo, por nderkohe keshtu beja une.
Perfundimisht, per mendimin tim, roli ka te beje shume ne
formimin e personalitetit njeri aktor ose aktor njeri.
55: Pas Luiza Miler -it, ç'role tjera kane pasur kete ndikim?
- Sidomos tre rolet e fundit qe kam interpretuar. Do
inkuadroja ketu edhe "Nate me hene", ku kam luajtur nje rol qe
nuk ka qene absolutisht per karakterin tim te brendshem, por
ka qene per fuqine time aktoreske. Ne ate rol, une kam
pershfaqur ate çfare njeriu nuk duhet te jete. Edhe nese
brenda meje ka ekzistuar ndonje pike e vogel e ketij
monstruoziteti, - qe nuk ka gjasa ta kem ne qenien time, por
them, se edhe sikur ne subkoshiencen time te kete ekzistuar
nje gje e tille - gjithmone kam pasur idene ta zmadhoj sa me
teper ate qe eshte bere kundrejt meje. Sepse edhe une kam
patur sulmet e mia ne jete. Jeta asnjehere nuk mund te shkoje
vaj. Nese dje ankohesha per kete gje, sot jam e lumtur qe ka
ndodhur keshtu. Ndryshe s'do kishte kuptim, qe ne nje rruge te
veshtire te ecej pa veshtiresi.
55: Me shume u keni marre personazheve, apo u keni dhene
atyre?
- Kjo varet nga periudha te caktuara. Normalisht i bie te
marresh e te japesh me personazhet, por fazat ndryshojne. Nese
ne fillim merr nga personazhi, duke u perpjekur ta vjelesh
ate, vjen nje moment qe kjo gje bie ne gjendje te barabarte.
Pastaj vjen momenti qe i jep personazhit. Dhe i jep kaq shume
nga vetja jote, fillon ta pasurosh e ta pasurosh, derisa ai
behet brenda teje dhe unifikohet me ty.
55: Kujt i firgohet nje aktore?
- Nese do da nis pergjigjen ne aspektin praktik te çeshtjes e
te flas per kete periudhe qe po perjetojme e qe po vazhdon
prej disa vitesh, te kuptohemi, pa dashur te fyej askend, dua
te them, se çdo spektakel duhet te kete spektatorin e vet. E
sidomos teatri duhet te kete publikun e vet. Jo çdokush mund
te vije te shohe teater, sepse jo çdokush e kupton teatrin dhe
aq me teper, nje drame te percaktuar me dimensione shume te
medha psiqike, me mesazhe shume te medha mendimi. Me duket se
niveli i publikut tone, - kam 23 vjet ne teater dhe e pranoj
se publiku ka pasur tjera probleme e mangesi, njerezit nuk
kane qene kaq te çliruar sa jane tashi, nuk kane qene kaq pa
komplekse sa jane tashi, - e bashke me te edhe shija e ketij
publiku, ka rene. Ketu, faji i bie pak edhe skenes. Skena nuk
ka ditur ndoshta, ose nuk ka mundur, nuk ka patur shanset per
te paraqitur drama dhe komedi teper serioze. Nderkohe, qe kjo
krize e pergjithshme, - s'dua te politizoj absolutisht asgje,
sepse jam fare larg ne koncept me keto gjera - ka bere qe te
shfaqet nje spektakel pak i rendomte, duke ftuar nje publik
pak te rendomte. Mendoj, se edhe ai publik i mirefillte i
teatrit, eshte larguar. Keshtu, e vetmja frike qe une kam
eshte pikerisht kjo: si do te perballohen pjeset e veshtira e
te rendesishme me nje publik te tille. Nuk kam frike per vete
as per koleget e mij. Nuk kam frike as per teatrin ne
pergjithesi, sepse teatri duhet te beje gjithçka, por
gjithmone eshte rreziku i publikut, çfare vjen te marre. Dhe
me duket se publiku, me teper hedh vulgaritet, se sa merr
kulture.
55: Mos ka ardhur koha te praktikohet teatri i mbyllur, i
kufizuar edhe ne numer vendesh, per nje shtrese te caktuar?
- Ne as per kete nuk i kemi ende kushtet. Ende nuk jemi ne
gjendje te mbajme nje Teater Kombetar, e jo me te bejme fjale
per teatro tjere te permasave me te vogla. Sepse normalisht,
shteti ka veshtiresi per te subvencionuar kete, ekzistuesin.
Ai qe eshte artist, e ka te pamundur te fitoje per t'u bere i
pasur me ane te teatrit. Ndersa ai qe ka para, nuk i investon
per kulturen e mirefillte, investon gjithmone per ca anekse te
kultures, te cilat kenaqin nje publik te rendomte.
55: Festivali i fundit Kombetar i Teatrove u kritikua mjaft
per nivelin diletant, qe vete ishte nje pasoje e direktivave,
e qe solli pasojen tjeter: deshtimin e direktives
dramaturgjike. Opinioni juaj eshte i njejte me kete?
- Une e kam thene opinionin tim me ze te larte ne radio,
pikerisht naten e fundit te festivalit. Per mua ky festival
ishte jashtezakonisht i dobet. Kam kerkuar te gjej vlera dhe
nuk i kam gjetur, me ndonje perjashtim, kuptohet. Nuk mund te
them dot, p.sh., se Serafin Fanku nuk eshte prezantuar si nje
regjisor , me te vertete i mirefillte, me ate venie ne skene,
teper interesante. Ai, si regjisor, krijon nje imazh artistik
skenik. Kjo eshte vlera e vetme per mua ne kete festival.
Ndersa aspektet tjera te ketij festivali, kane qwne shume te
dobeta, jashtezakonisht te dobeta. Ketu te ne ka paradokse te
çuditshme. Nderkohe, qe kemi qene tmerresisht te mbyllur,
sepse ashtu ishte periudha e kaluar, shkruheshin drama. Tani,
mbasi kaloi kjo periudhe kaq e rende, me sa duket, terrori
vazhdon ende te ekzistoje ne kokat e njerezve. Te atyre qe
duhet te shkruajne. Ato jane akoma nen trysnine e nje
demagogjie te llahtarshme. Sepse eshte e pamundur te
konceptohet, qe ne nje kohe lirie absolute, ti te mos kesh
mundesi te japesh. Kjo kohe duhej te ishte mbushur me drama te
jashtezakonshme, shume te fuqishme. Nese keto drama jane te
pamundura te krijohen, atehere, le te mos behet festival. Nuk
ke pse ia mbush mendjen vetes, se do besh nje festival me nje
nenvlere. Sepse festivali ishte nenvlere, normalisht. Cilesia
intelektuale doli e zhgenjyer nga ky festival.
Festivali i Teatrit, gjithmone eshte bere nje here ne dy vjet,
me drama te huaja, bashkekohore, klasike, edhe me drama
shqiptare, kur ka drame shqiptare qe ia vlen te futet ne
festival. Mendoj, se do te ishte shume mire sikur te
ekzistonte nje festival i teatrit shqiptar, por ky festival
nuk mund te behet pa patur materialin dramatik. Ndryshe, eshte
e kote te investosh per kete gje.
55: Po per teatrin shqiptar, ne pergjithesi, cili eshte
vleresimi juaj?
- Teatri shqiptar ka talente. Por ne jemi mesuar, qe vleren
tone, gjithmone ta mohojme. Sinqerisht, qe eshte keshtu, sepse
sa here jemi perballur me boten, ne kemi qene me te vertete ne
majat. Na kane quajtur brilante. Me dramen "Sherbetoret" dhame
tre shfaqje ne Ondenburg te Gjermanise, ne nje salle fare te
vogel, rreth 100 vende. Nese naten e pare, salla nuk u mbush
plot, naten e dyte ajo u mbush dhe naten e trete nuk kishe ku
te hidhje nje kokerr miser, - nuk po them nje kokerr molle -
duartrokitjet, jo vetem mua, por dhe kolegeve te mi, na jane
dukur me te gjata se shfaqja. Dhe gazeta e se nesermes, ka
bere nje prezantim te jashtezakonshem, gjithe superlativa, per
shfaqjen tone. E pra, ky artikull ishte shkruar nga nje
kritike teatri, qe atje njihej, si kritikja me e rrezikshme,
jo se ishte nihiliste, por se vertet kuptonte nga te gjithe
aksesoret e teatrit. Drejtori i Teatrit te Ondenburgut, kur
lexoi artikullin, tha: "Ju paskeni kapur tavanin e vleresimeve
te kesaj kritikeje, sepse ajo eshte jashtezakonisht e serte
dhe asnjehere nuk flet me kete gjuhe, siç ka folur per ju".
Shfaqjen e "Fernando Kraf me ka shkruar kete leter" e pa
vete autori, i cili u emocionua jashtezakonisht dhe mbasi
mbaroi shfaqja, ngase ishte i ngazellyer, e tha ketu, por dhe
ne Bon, - kur na ftoi dy aktoret, se bashku me regjisorin, ne
nje konference shtypi, ku ne interpretuam edhe disa vargje te
poeteve tane, - se "me kete regjisor dhe me keto dy aktore te
medhenj, nder 20 spektaklet e vena ne skena te ndryshme, une
kam pare spektaklin me te arritur. Kam pare spektaklin te
realizuar, ashtu siç e kam enderruar kur shkruaja pjesen". Dhe
kete vleresim e ben presidenti i bienales se Bonit, qe eshte
nje kapacitet artistik dhe dramaturgjik.
Kurse ketu tek ne, natyrisht qe i behet jehone, por talentet
asnjehere nuk kane marre vleren e tyre te vertete. Inva Mula
vleren e vertete e mori kur kaperceu kufijte.
Ne jemi komb i vogel dhe kemi talente shume, por une pyes, sa
investojme per t'i ruajtur, per t'i mbajtur dhe per t'i patur
keto talente gjithmone te fresketa dhe ne efiçence. Nuk
investohet shume per kete.
55: Sa eshte prezent te nje aktor, rreziku i tjetersimit te
shpirtit?
- Per mendimin tim, ky lloj rreziku nuk ekziston. Sepse ai
njeri, qe nuk e ka shume te ngjizur shpirtin e vet, per te
arritur nje lloj persosmerie, - kuptohet, engjejt jane vetem
ne qiell, nuk behet fjale per persosmeri ketu ne toke - ai
njeri qe eshte i kultivuar nga vete Zoti, nuk mund te prishet.
Ne u ndreqte, do ndreqet nga vetvetja, kryesisht dhe ajo do ta
ndihmoje, per te bindur veten, se eshte ne rrugen e duhur.
Ndersa po te flasim per nje njeri, qe nuk ka perberje shume te
mire, po t'i jepet nje rol i mire, ky rol do ta ndreqe
perkohesisht, jo pergjithmone.

Nis festivali i Filmit Shqiptar

Mbremja e 23 gushtit ka shenuar edhe celjen e te parit Festival Nderkombetar te Filmit ne Shqiperi. I konceptuar si nje event veror i permasave nderkombetare, ky festival ka nisur mes fishekzjarreve dhe ka gjetur vecanerisht interesin e njerezve te artit. Ceremonia festivve, qe deklaroi te hapur kete event ka nisur rreth ores 20.00 te mbremjes e shoqeruar nga parakalimi i artisteve protagoniste, por edhe i te ftuarve, ne tapetin e kuq, i shtruar ne shkallet e hyrjes. Me tej kryebashkiaku i Durresit Vangjush Dako, i cili eshte njekohesisht edhe president i Festivalit, gjeti mundesine te falenderoje te gjithe organizatoret duke theksuar nder te tjera edhe vlerat, qe ky event i filmit sjell per promovimin e Turizmit ne Shqiperi. "Ju siguroj per interesimin, vemendjen e vazhdueshme dhe vleresimin maksimal, timin dhe te Bashkise se Durresit ndaj veshtiresive e perpjekjeve te medha per te mundesuar kete festival", tha Dako ne fjalen e tij. Ne kete atmosfere, nisi edhe gara e performancave filmike, qe startoi me filmin "Koha e Kometes", nje realizim shqiptaro-gjerman, me regji te Fatmir Kocit. Me tej, nje tjeter konkurrent u prezantua per te pranishmit. Behet fjale per "Black horses" (Kuajt e zinj) me regji te Ljubisa Samardzic. Dje paradite ne ambientet e pallatit te kultures eshte zhvilluar konferenca e pare per shtyp, e cila ka patur ne qender regjisorin e filmit "Koha e Kometes" Fatmir Koci, producentin dhe aktoret kryesore te tij. Regjisori Koci eshte shprehur ne fillim se: "Eshte mjaft i veshtire ekranizimi i Kadarese, duke qene se filmi mbeshtetet ne novelen "Prilli i thyer", shkruar nga shkrimtari i madh Ismail Kadare. Ai i ka parashikuar gjerat per shume vjet ndoshta, dihet uni i Kadarese, por nga ana tjeter ne kontaktet me te, ai ma ka lehtesuar mjaft punen. Kadareja nuk ka bere komente per filmin, ka pare nje pjese dhe i ka pelqyer, sidomos Shestani, qe eshte aktori kryesor. Une dua te theksoj, se Kadare eshte komod ne te punuar, pasi mua me ka dhene liri. Filmi i flet njeriut kudo qe te jete, jo vetem publikut vendas apo te huaj. Ai zhvillohet ne nje dimension historik qe ndodhte ne ate kohe ne Mesdhe, ne Ballkan, Izrael, Sicili etj". Aktori qe luan rolin kryesor ne kete film eshte Blerim Destani, ne rolin e muslimanit Shestan. Aktori, i pranishem ne Shqiperi, u ndje i vleresuar ne boten shqiptare te filmit. "Jam shume i kenaqur, qe jane futur ne boten shqiptare te viteve 1913-1914. Kam punuar gjashte muaj per kete rol dhe skenarin e lexova ne vitin 2003. Une kam bashkepunuar edhe me pare me Fatmir Kocin, por filmi i fundit me ka hapur dyert jashte". Filmi ne fjale eshte derguar edhe ne disa vende te tjera, ne Evrope, Azi dhe Amerike, nderkohe qe nuk u pranua ne festivalin e Venecias ne Itali. Nderkohe edhe producenti i filmit, Alan Ninxhic eshte ndjere i vleresuar per premieren. "Premiera e filmit, "Koha e kometes" ka qene nje premiere boterore", ka pohuar ai ne konferencen e djeshme per shtyp, duke shtuar se ne date 2 dhe 3 shtator filmi do te shfaqet ne Prishtine, me pas ne Maqedoni dhe Tirane. Festivali i filmit eshte konceptuar ne menyre te tille, qe filmat konkurues qe shfaqen ne Sallen e Pallatit te Kultures, te jepen diten tjeter paradite ne amfiteatrin e lashte te qytetit te Durersit. Gjate paradites se djeshme, ne sallen e teatrit "Aleksander Moisiu" jane shfaqur edhe dy filma shqiptare te perzgjedhur nder vite, "Ne fillim te veres" dhe "Lulekuqet mbi mure", te cilat rikthejne nostalgjine e kinemase shqiptare. Ndersa ne programin e mbremjes jane shfaqur per konkurrim filmat "Installation of love" dhe "Correction". I pari eshte nje prodhim slloveno-gjerman i vitit 1998, ndersa i dyti eshte prodhim grek i vitit 2007. Per keto premiera, jane parashikuar edhe konferencat e shtypit, kur artistet do te komunikojne me mediat.

Te ftuarit

Ne edicionin e tij te pare, qe do te mbahet nga 23-31 gusht, ne kete festival jane ftuar disa emra te njohur te kinematografise boterore. Bashke me Harlan, mberrin edhe aktori i njohur Mikele Placido, zv/presidentja e "Trieste Film Festival", Elena Giuffrida dhe regjisori cek Jiri Menzel. Listes se te ftuarve i eshte shtuar ne momentet e fundit, emri i aktorit te njohur serb Rade Sherbexhija, i cili eshte ne ekipin e filmit kroat "Mrekulli e vertete", si dhe aktori 63- vjecar Iri Menzell, fitues i cmimit "Oscar" ne moshen 28-vjecare. Ai vjen me filmin anglo-cek "I kam sherbyer mbretit te Anglise.

"Koha e Kometes" dhe Shqiperia e Princ Vidit

Filmi shqiptaro-gjerman "Koha e kometes" i regjisorit Fatmir Koci i vendos ngjarjet ne vitin 1914, kur ne Shqiperi ishte instaluar qeveria e Princit gjerman Vilhelm Vid. Protagonistit kryesor, Shestanit duke marre nje leter nga ekstremistet myslimane i kerkohet te behet synet, por ai kundershton. Myslymani Shestan dhe 4 miq te tij fanatike kerkojne te mbrojne vendin e tyre me lufte. Shestani takon nje katolike, qe eshte derguar ne Shqiperi per te percjelle misionin kunder vullnetit te saj. Dashurohen te dy. Shestani dhe luftetaret e tjere nuk luftojne dhe cdo gje ndryshon. Shestani gjeti dashurine dhe braktisi luften, duke marre Agnes ne shtepi. Skenari i shkruar nga Fatmir Koci eshte bazuar mbi novelen "Prilli i thyer" te shkrimtarit Ismail Kadare, fitues i "Man Booker International Prize 2005". Filmi zgjat 103 minuta dhe eshte produksion i L.A.R.A Enterprises.Com/Koci Productions/Cine-Sud Promotion. Ne rolet kryesore interpretojne Blerim Destani, Masiela Lusha, Thomas Heinze, Luan Jaha, Genti Zenelaj, Xhevdet Jashari, Adem Karaga.

Si vdiq legjenda Sandër Prosi

Çfarë ka ndodhur në ato ditë të ngrysura prilli në hotel "Vollga" teksa xhirohej filmi "Pranverë e hidhur". Intimitetet e një aktori të madh, përmes një gruaje.

Sandër Prosi, mjeku me shikim magjepsës, u bë artisti që, me origjinalitetin e vet, i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë, butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm në mendjen e njerëzve

Në një nga vilat e pakta të mbetura në zonën e bllokut, në galerinë e një piktori, ruhet ende me fanatizëm që prej prillit të vitit 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë fshehur pas syzeve aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë prilli, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel " Vollga". Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje. Tashmë kanë kaluar vite e ai portret sikur është harruar. Të vetmit që e kujtojnë ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto, tani pak kush i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur prilli…
Ishte mesditë. Përballë kishte vetëm muret e dhomës së hotelit, ku po kalonte ato ditë të ngarkuara me plot ndiesi e shqetësime prej artisti. Filmi ende nuk kishte marrë rrugë. Personazhi i tij ende nuk ishte afruar tek porta për të trokitur në vëmendjen e shikuesve. Ndoshta ishte gati për ta nxjerrë nga vetja edhe këtë rol. Por ndoshta edhe jo. Kur pa që të gjithë ishin larguar…
Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekulibri ka humbur shtratin e përhershëm e ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në këto momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër, në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty mori vesh lajmin e kobshëm. Të gjithë ngrinë në vend. Vrapin nga ajo lagje e vjetër deri tek hotel Vollga asnjëri nuk e ndieu. Qe një vrap i çmendur, që nuk mundi të arrijë dot vdekjen që ishte larguar duke lënë pas gjurmë të kuqe gjaku.

Ç'farë u fiksua në kamera ato ditë?

Dy operatorët e filmit, Gavrosh Haxhihyseni dhe Mihal Rama ende i sjellin ndërmend ato ditë xhirimesh. Ai kishte kohë që nuk luante në një film dhe dëshirohej për një rol. Kur i ofruan rolin e një fotografi ai nuk nguroi. Vetëm se shqetësimin nuk e largonte dot nga vetja. Do mund të arrinte të krijonte një personazh që do të mbetej në mendjen e njerëzve? "Konsultohej çdo ditë për rolin e tij, megjithëse personazhi ende nuk kishte nisur të fokusohej si duhet në kamera. Ishin xhiruar vetëm planet e para të filmit. Madje në atë pjesëz filmi që ruhet ende në arkivin e Kinostudios, janë ato pamjet e pakta ku ai ecën buzë detit e monologon. Më tej kamera nuk fiksoi asgjë tjetër nga Sandër Prosi"- kujton operatori Gavrosh Haxhihyseni.

Sandër Prosi, në kujtimet e një gruaje
Pak kush e di, se në shtëpinë e tij, ku shkruhet me shkronja të mëdha "Këtu ka banuar aktori Sandër Prosi", në katin e dytë, brenda një dollapi paksa të vjetëruar, gjendet ende një violinë. Bashkë me të jeton një grua. Ato shpesh herë kuvendojnë me njëra-tjetrën për njeriun e zemrës, atë që prej kaq kohësh u mungon shumë, Sandrin. Tani ajo rri e heshtur dhe nuk preket nga askush.
Me të kanë jetuar shumë vite, ndoshta vitet më të bukura të jetës. Për 20 vite kanë jetuar në një dhomë të vetme. Aty Sandër Prosi, bashkë me gruan e tij Fila ( kështu e thërriste), dhe dy djemtë Aristidhin dhe Adrianin, kanë ndarë lumturinë dhe dhimbjen. Por Fila ndiehej e lumtur me Sandër Prosin. "Edhe pse mungesat nuk reshtnin kurrë ne gjithmonë do të gjenim kohë për të qetësuar njëri-tjetrin. Për t'u falur dashuri prindërore dhe sigurisht, për të dalë bashkë mbrëmjeve",- kujton Filomena, gruaja 72- vjeçare që jeton me hijen dhe kujtimet e bashkëshortit. Vërtitja tij nëpër kokën e lodhur të gruas, shpërthen dhe zbrazet në trajtë lotësh faqeve të rrudhura nga mosha. "Ai po punonte me "Otellon" dhe monologjet e shumtë, recituar gjithë ton nga Sandri, kishin zënë të nguliteshin edhe në kokën e Aristidhit që ishte gjashtë vjeç. Një dhomëz dhe katër njerëz brenda saj.... E si mund të punohej ashtu! Por Sandri nuk donte të kërkonte asgjë, as edhe një strehë ku të punonte i qetë "-tregon Filomena.
"Dilnim shpesh jashtë,- kujton ajo- përballë shtëpisë, aty pranë një shtylle elektrike, ku poshtë llambushkës, dukeshin qartë shkronjat e tekstit. Unë mbaja tekstin dhe ai recitonte... përsëriste e përsëriste shumë herë ato çka ishin shkruar në atë grumbull fletushkash, derisa ai të mendonte se puna kishte mbaruar".
Kështu nxinte rolet e tij, gjersa morën një hyrje për të qenë. Harresa e shtetarëve la mjaft vraga të pahijshme në jetën e tij. Madje edhe tani, pas vdekjes, e shoqja jeton vetëm me pensionin e saj shumë të ulët ... dhe me ato... kujtimet e bukura.

Njohja me Sandër Prosin
Ai atëherë ishte një aktor mjaft i njohur. Ajo 26 vjeçe, koriste në pallatin e Kulturës, Elbasan. Vajza kryeneçe dhe plot naze, nuk e dinte se kishte zënë vend në ëndrrat dhe jetën e tij. Në atë kohë Sandri do të jepte një shfaqje në Elbasan, e cila nuk i la ndonjë mbresë të madhe vajzës që ai kishte "piketuar".
Pas vëzhgimit nëpërmjet të çarës së një gazete, pas shumë e shumë troke hapash nga pas, shumë rrahje zemrash, në familjen e Filomenës, së bashku me një propozim martese, kishin mbërritur edhe ca ftesa për në teatër. Nuk dinte ç'të bënte. Por fati kishte dashur që këto naze të kurorëzoheshin me martesë dhe Filomena pak nga pak do të ndihej e dashuruar. "Kemi kaluar një jetë me shumë, shumë dashuri...."- kujton gruaja që jeton e vetmuar në shtëpinë madhe.


Viktor Gjika: "E nxora Sandrin nga spitali dhe e nisa për në xhirime"

Ai e dinte se Sandër Prosin e shëronte vetëm puna. E dinte se nuk duhej lënë asnjëherë brenda mureve të spitalit, në ato korridore ku shpesh të zihej fryma vetëm duke parë përreth. Aktori kishte nevojë të jetonte ndryshe, të merrte e të jepte me personazhet e tij. Regjisori Viktor Gjika e dinte këtë. I kishte ndodhur edhe dy herë të tjerë ta merrte Sandrin nga shtrati i spitalit dhe drejt.. e në punë. "Ai e ndiente veten mirë vetëm në sheshin e xhirimit",- thotë regjisori teksa rrëfen tentativën e fundit për ta kthyer Sandrin në botën e filmit.- Herën e parë mjekët ishin pataksur. "Nuk mund ta merrni, ai është sëmurë, nuk është në gjendje të dalë e të bredhë nëpër sheshet e xhirimit"-i kishin thënë ata. Regjisori nuk i dëgjoi. Sandrit i shkrepëtiu një dritëz gëzimi në sy. "Atëherë po xhironim filmin "Përballimi" dhe ai e përballoi jo vetëm filmin, por edhe sëmundjen. Pastaj e njëjta gjë ndodhi edhe me filmin "Nëntori i dytë", e këtu ai ishte shumë më lart",- thotë Gjika. Regjisori kujton se kështu e mori Sandrin edhe për flmin "Pranverë e hidhur". Sërish ishte në spital, e kishte kohë që nuk angazhohej në një film. Mendova se një rol do t'i bënte mirë- tregon regjisori.
Muharrem Fejzo. I rekomandoi pikërisht Sandër Prosin. "Atij filmi i duhej vërtet pasioni dhe puna e Sandrit"- thotë Gjika teksa mundohet të kujtojë edhe momentin kur ka marrë lajmin e hidhur. "Njoftimin për vdekjen e tij e kam marrë teksa ndiqja premierën e një filmi. Nga ajo ditë mbaj mend vetëm tronditjen e thellë që kam përjetuar. Sandrin pastaj e kam parë vetëm në morg. Ishte një humbje fatale",- thotë regjisori.


Kush ishte Sandër Prosi

Sandër Prosi mbaroi studimet për stomatologji, duke qenë profesionalisht larg artit dramatik, por brenda dhimbjes artistike të njeriut. Kjo do ta shtynte drejt skenës për të depërtuar në karaktere dhe figura historike dhe artistike, të cilat do të nxirrnin në pah aftësinë e tij për t'i tejkaluar ata dhe për t'i bërë pjesë të karakterit të vet. Burri me pamje fisnike, do të thirrej herë pas here me emra të ndryshëm dhe do të linte mbresa të veçanta për spektatorët, duke sjellë para syve të tyre Abdyl Sharren, kapitenin e Bigës, dr. Kristo Borovën, peshkatarin Vranen, Jaho Labin, profesorin, Miti Vozarin, Sefedinin, Dhaskal Todrin, Ismail Qemalin, prof. Mirushin, kolonelin Xhon, Brunon, Markun, gjeneralin, Pilo Mullixhiun etj.
Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film . Ishte personazhi i drejtorit të shkollës në filmin "Debatik". Ky do të ishte fillimi, ndërkohë që ai do të spikaste dukshëm duke reflektuar impulset e magjishme të artit dramatik. Me shikimin e thellë, me të folurën e prerë, me zërin e ëmbël, ai nuk mund të mos të shfaqte Sandrin e vërtetë, njeriun e natyrshëm, që u bë artist i madh. Në filmin "Vitet e para" ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Më vonë, ai luajti në mjaft filma të suksesshëm, si: "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Mëngjese lufte" , "Yjet e netëve të gjata", "Në fillim të verës", "Fijet që priten" , "Përballimi", "Gjeneral Gramafoni" , "Udha e shkronjave", "Plaku dhe hasmi", "Kush vdes në këmbë", "Detyrë e posaçme", "Oshëtimë në bregdet", "Guximtarët", "Shtigje lufte", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Njeriu me top", "Vajzat me kordele të kuqe", "Plumba perandorit" etj.
Sander Prosi , si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare, është nderuar me disa çmime, kupa, medalje si dhe me çmime të Republikës. Kështu, në vitin 1975, ai u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë, për rolin e Jaho Labit në filmin "Në fillim të verës".
Realizimi i figurës së Ismail Qemalit, ishte imponuese, kështu që ai u nderua me Medalien e Festivalit të Pestë dhe me Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.
Për mëse tre dekada krijoi mbi 80 role në 75 vepra të autorëve të huaj dhe tanët. Por klasi i lartë i tij bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit: trupi i drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, nëpërmjet zërit të veçantë, i dhanë këtij aktori përmasat e një artisti të madh të skenës.


Thonë për të…
Vangjel Gjikondi: Mbetet i pavdekshem
Ishte artist i gjithanshëm. Me origjinalitetin e vet, ai i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë, butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm në mendjen e njerëzve.
Me të mund të flisje për gjithçka, për të gjithë artet, e për të gjithë gjërat që shqetësojnë një njeri. Ai njihte autorët e ndaluar dhe veprat e ndaluara me përsosmëri. Diskutonte me pasion për filozofët e mëdhenj dhe e donte shumë Niçen. Ndërsa nga muzika klasike pëlqente më shumë Vagnerin. E të mendosh se në atë kohë të dëgjojë muzikën e tij, ishte si të dënoje vetveten.

Ilia Terpini: Sandri, një artist i madh që vdiq i varfër
Është një nga figurat më të talentuara të artit teatral dhe kinematografik shqiptar. Karakteristikë kryesore e Sandrit ishte se ai punonte me shumë pasion. Përveç se ai ishte një kollos i artit, dinte të ishte jashtëzakonisht i thjeshtë. Kam patur fatin të punoj me të në disa filma. Mbresat i kam ende të gjalla. Mjaft të kujtoj "I teti në bronx" ku Sandri kishte rolin e doktorit, një rol shumë i vështirë e kompleks. I duhej të kuronte ushtarë gjermanë, kur në familje strehonte një partizan. Kishte një dhëndër që i përkiste forcave regresiste. Imagjino se në ç'rreth duhej të vërtitej ai për të nxjerrë figurën e tij komplekse. Do të doja ta krahasoja me aktorin francez Zhan Gaben tek "Të mjerët". Ai dallohej në interpretimet e tij por edhe jetën e jetonte si t'i vinte. Ndaj edhe ishte shumë i vërtetë në rolet e tij. Më vjen keq vetëm për një gjë, që një artist kaq i madh sa ai vdiq, dhe vdiq i varfër"


Disa nga filmat ku ka luajtur

"Vitet e para"
"Horizonte të hapura"
"I teti në bronz"
"Mëngjese lufte"
"Yjet e netëve të gjata"
"Në fillim të verës"
"Fijet që priten"
"Përballimi"
"Gjeneral Gramafoni"
"Udha e shkronjave"
"Plaku dhe hasmi"
"Kush vdes në këmbë"
"Detyrë e posaçme"
"Oshëtimë në bregdet"
"Guximtarët"
"Shtigje lufte"
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur"
"Njeriu me top"
"Vajzat me kordele të kuqe"
"Plumba perandorit" etj.

TAKIM ME AKTORIN, NDREK LUCA


Në verë të vitit 1980, në Kosovë erdh trupa e Teatrit Kombëtar të Tiranës për të shfaqur dy drama shqiptare: “Baca i Gjetajve” të dramaturgut, Fadil Kraja, dhe ”Zonja nga qyteti” të skenaristit, Ruzhdi Pulaha. Aktorët e Teatrit Kombëtar të Tiranës pasi shfaqën dramat e tyre me sukses në Prizrenin legjendar, zbritën në Therandën tonë. Ata u vendosën në hotelin “Ballkani” dhe pas pak hynë për të vizituar bibliotekën bashkëkohore, e cila u pëlqeu. Sot, biblioteka nuk ekziston, gjatë luftës në Kosovë barbaria serbe e dogji me themel. Shumicën e këtyre artistëve i kisha parë në filmat dhe dramat e shfaqura në programin e Televizionit Shqiptar. Por i kisha parë edhe në filmat e shfaqur për herë të parë në kinemanë e Prishtinës në vitet e shtatëdhjeta, siç ishin: “Komisari i dritës”, “I teti në bronz”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Malet me blerim mbuluar”, “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Debatik”. Atë vit e tërë Kosova kishte vërshuar në drejtim të Prishtinës heroike për të shikuar filmat e kinematografisë “Shqiperia e Re”. Në mesin e aktorëve ishte edhe aktori i mirënjohur, Sulejman Pitarka, përndryshe autor i epopesë heroike të dramës “Trimi i mirë me shokë shumë” dhe i dramës ”Familja e Peshkatarit”. Në mesin e shikuesve, ky aktori dhe dramaturg është i njohur në rolin e Sulejman Vokshit tek “Besa e Madhe”.

Interesimi për shfaqjen e dramës shqipe ishte jashtëzakonisht i madh, prandaj ishte e pamundur të sigurohet bileta, qoftë edhe në këmbë të qëndroje. Kështu ndodhte sa herë që shfaqeshin filmat, dramat dhe koncertet e bukura nga Shqiperia mëmë. Ka ndodhur që biletat e filmit më të shikuar nga ndonjë matrapaz të shitet dyfish, mirëpo kësaj radhe të gjithë shkuesit ishin bërë të etur për artin skenik, dhe me padurim pritnin të hynin. Megjithatë dashuria e shikuesve therandasë, por edhe e mbarë Kosovës, nuk ishte vetëm në koncertin dhe dramat e bukura të shfaqura nga grupet artistike të Tiranës, por i tërhiqte dashuria e vëllazërisë kombëtare, me anën e së cilës shprehnin vullnetin për bashkim të shpejtë të Kosovës me Shqiperinë mëmë. Këtë dashuri të zjarrtë për bashkimin kombëtar po e shihnin edhe serbomëdhenjtë, prandaj udba jugosllave kishte angazhuar spiunë të paguar shqiptarë për të përgjuar çdo lëvizje dhe bisedim në mes të qytetarëve therandasë dhe artistëve të Shqiperisë. Para një viti ansambli i këngëve dhe valleve nga Brazili shafqi koncertin tradicional në Therandë, ndaj shikuesit ishin aq të lirë saqë vallëzuan krahas solisteve braziliane gjysmë të zhveshura, mirëpo asnjë udbash nuk u duk në mesin e spektatorëve.


Të nesërmen, në orët e pasdites në bibliotekë hyri aktori i madh dhe autori i dramës historike “Shtatë Shaljanët”, Ndrek Luca. Unë u përshëndeta me Ndrek Lucën, aktorin e roleve negative që shikuesit i tronditë, por i dashur me të gjithë njerëzit. Biseduam rreth bibliotekarisë si dhe kulturës kombëtare shqiptare. Ashtu siç shprehen të gjithë intelektualët ndaj librit dhe bibliotekës, aktori dhe dramaturgu e nderoi bukur punën time duke thëne se biblioteka është pasqyrë e punës intelektuale të popullit shqiptar. Ndrek Luca, ishte me temperament të fuqishëm, fisnik dhe i shoqërueshëm, ndaj pa humbur kohë më pyeti se a e kam shikuar premierën ”Baca Gjetajve” në teatër. I tregova që e kam shikuar, ishte një dramë jashtëzakonisht e vrullshme për Bacën, një malësor trim që flijohej për atdhe. Pastaj Luca tregoi se pikërisht në prill të vitit 1979, kur tërmeti e goditi Shkodrën, në sallën e teatrit "Migjeni" kishin shfaqur dramën “Baca i Gjetajve”, edhe pse gjatë shfaqjes ndodhi një lëkundje e vogël tërmeti, shikuesit dhe aktorët nuk u shqetësuan, përkundrazi shfaqja vazhdoi. Pastaj më pyeti se a dëshiroj të shikoj premierën e dytë ”Zonja nga qyteti”. Unë i thash se nuk kam biletë dhe se është vështirë të sigurohet, megjithatë dramën e kam shikuar në Televizionin Shqiptar. “Për këtë mos u brengos, merre karrigen me vete dhe shkojmë së bashku në sallën e teatrit,” më tha Luca. “Nëse ju më siguroni hyrjen në shfaqje, unë nuk çaj kokën për karrige, me ëndje do të qëndroj në këmbë gjatë shfaqjes,” thash unë, meqë e dija se në sallë nuk ke se ku të vësh këmbët, jo më karrigen. Në shenjë vëllazërore, aktori i madh më përqafoi duke më thënë se do të më vendoste përballë tribunës së teatrit.

Ishin orët e pasdites, ndaj e mbylla bibliotekën dhe së bashku me aktorin Luca shkuam në sallë, ku shfaqej drama. Spektatorët ishin ngjeshur dëng, jashtë dhe brenda, rrëmujë e madhe. Në derë më ndaluan rojtarët, isha pa biletë, ndërkohë Ndrek Luca ndërmjetësoi se jam nën kujdesin e tij dhe se po më nderonte. Rojtarët ishin të pabindur ndaj lutjes së aktorit. Mendova mbase këta nuk duan të marrin parasysh edhe pengun e tij, për të cilin ai do të sakrifikohej. Me këtë interesim kaq të madh të aktorit kuptova atdhedashurinë e tij ndaj meje. Rojtarëve iu bashkëngjit edhe një polic që provoi të më ndante prej aktorit Luca. Mbeta në vijën e demarkacionit: ai brenda, unë jashtë derës. Për fat të mirë, sekretari i BVI-së për kulturë, Vesel Berisha, pa që Ndrek Luca po mundohej të më tërhiqte me dorë, mirëpo në mes të derës kisha dy këmbët iks të rojtarëve, të cilët shkëputnin biletat e shikuesve. Sekretari u afrua te dera dhe u tha të më lejonin të hyj.



Kaluam nëpërmes shikuesve skaj karrigeve të sallës dhe sakaq u gjendëm afër tribunës. Në rreshtin e parë ishin ulur kryesisht udhëheqësit e organeve komunale dhe të organizatave punuese, kurse në rreshtin e dytë pranë aktorit Reshat Arbana, ishte një vend i rezervuar për Lucën. U ula dhe u përshëndeta me aktorin Arbana, ai luante rolin e luftëtarit në çetën e Çerçiz Topullit në filmin artistik “Liri a vdekje” (1979), kurse më vonë do të luante rolin e Isa Boletinit në filmin artistik “Nëntori i Dytë” (1982). Reshat Arbana do të bëhej një ndër aktorët më të popullarizuar meqë në Vlorën Heroike, në prani të Ismail Qemalit, puth Flamurin Kombëtar. Është një fragment i shkurtër në film, por i madh në zemrat shqiptare. Para se të fillonte shfaqja, të gjithë shikuesit në sallë e shikonin me kureshtje aktorin, Reshat Arbana. Pas pak u shuan dritat dhe papritmas, si një kopsht me lule po hapej skena teatrale e “Zonjës nga qyteti”.

Ashtu siç i shkruajnë shkrimtarët përjetimet e tyre, e përjetova edhe unë ngjarjen, më dukej sikur të isha në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Kuptohet që Tirana nuk është vetëm kryeqytet administrativ i Shqiperisë, por edhe kryeqytet i artit, kulturës dhe letërsisë. Kështu shkruan edhe poeti i njohur kilian dhe miku i Shqiperisë, Pablo Neruda, i cili në vjershën e tij “Shqiperia” Shqiperinë e përshkruan të fortë dhe zëmjaltë i kitarës me ujë e çelik të gjallë. Para disa muajsh Ansambli popullor i këngëve dhe valleve nga Shqiperia shfaqi koncertin madhështor në sallën e madhe të restorantit “Ballkani”. Në mesin e valltarëve dhe solistëve të shumtë doli edhe këngëtari dhe kompozitori i mirënjohur, Avni Mula, me zërin e tij alpik, që ushton nga bjeshka në bjeshkë. Ai këndoi “Nënë moj do pres gërshetin”, për të cilën ishte vetë krijues, vet këngëtar, me një fjalë; vetë shkruaj dhe vetë këndo. Shikuesit u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje përcillnin këngën e artistit të madh shqiptar. Avni Mula i falënderonte nga zemra shikuesit therandasë, të cilët nuk e ndalnin dot duartrokitjen. Ai i hapte krahët dhe dy duart i mbështeste në gjoks; këtë e përsëriti disa herë me radhë. Mirëpo gratë kanë një imagjinatë të çuditshme, prandaj bashkëshortja ime Zylfia, e komentonte se këngëtari Mula me krahët që herë pas here i hapte, shprehte dashurinë e zjarrtë për bashkimin e Kosovës me Shqiperinë.

Të nesërmen, Ndrek Luca erdhi në bibliotekë dhe unë e falënderova për premierën që më nderoi. “Rrëmujë e madhe… pashë se si ai polici donte të largonte prej derës, mirëpo unë nuk të lëshoja dot. Mbase, ai ishte ndonjë polic serb”, tha zoti Luca. Unë qesha dhe i thash se as policët shqiptarë nuk janë më të mirë se policët serbë. Goditja e policit shqiptar dhemb më shumë se e policit serb. Aktori i madh luhati kokën nga keqardhja.

Nuk i shqitja dot sytë nga balli me rrudha i Ndrek Lucës, të krijuara si rrjedhim i aktrimit të gjatë dhe shpirtëror. Ishte dita e fundit, edhe pak do të niseshin me autobus në drejtim të Prishtinës dhe Preshevës. Më vonë nga shtypi mësova se për skenën e dramës së Bacës në Teatrin e Preshevës, një plak i kishte dhuruar qeleshen e bardhë aktorit të madh. Ndrek Luca e mbajti qeleshen dhe atë ditë tha: "Dua të varrosem me këtë qeleshe". Qeleshja për Aktorin e Madh, ishte një kujtim sa i dashur, aq edhe melankolik, sepse Lugina e Preshevës ishte ndarë padrejtësisht dy herë nga Shqiperia Etnike.

Më vonë erdhën aktoret Violeta Manushi dhe Roza Anagnosti; ato më pyetën mbi përshtypjen time të shfaqjes “Zonja nga qyteti”. Gjithashtu u thashë se gjatë shfaqjes më dukej se gjindem në Tiranën tuaj. Sponzori i trupës i thirri, tha se po niseshin me autobusin që i priste në oborrin e hotelit. Në përfundim, të gjithë aktorët u shkëputën nga Theranda, ashtu siç e thyen shtrëngata degën e një lisi të trashë.

Interviste me Timo Fllokon

Me Timo Fllokon




Timo Fllokon është e vështirë "ta kapësh". Merreni me mend, kjo intervistë është planifikuar rreth tre muaj më parë. Gjithsesi, për një aktor kaq publik ia vlen të presësh. Vetë Timo për këtë distancë nga mediat thotë: „Ka një numër të pafund gazetash dhe televizionesh.Shprehesh një herë në një apo dy të tilla dhe s'ke çfarë thua më, përsëritja s'më pëlqen...". Në këtë rrëfim për Fundjavën e Shekullit, Timo Flloko flet për veten, për filmin shqiptar, për pasionin e tij poezinë, për ndarjen mes Shqipërisë dhe SHBA-së... Me falënderimin për prezencën e tij në Faqet e Së Dielës, i urojmë atij dhe fansave të tij, lexim të këndshëm!
Përshëndetje nga Shekulli. Kjo është një nga intervistat tuaja të rralla në shtyp. Pse kjo distancë?

Nuk jam i distancuar, jam paksa i përmbajtur sepse sot në treg ka një numër të pafund gazetash dhe televizionesh.Shprehesh një herë në një apo dy të tilla dhe s'ke çfarë thua më, përsëritja s'më pëlqen. Arsyeja tjetër është se nuk ka shumë luajalitet, sepse jep një intervistë dhe e shikon të ndryshuar, duke filluar që nga titulli ndonjëherë.. Ti flet për artin dhe titulli të vihet nga boksi....Marrin një citim apo thënie për ta bërë median atraktive, por kjo humb kuptimin e intervistës dhe krijon një farë problemi.

Çfarë do të thotë të jesh aktor i famshëm në një vend të vogël si Shqipëria?

Të jesh aktor së pari është e rëndësishme, është profesion shumë i vështirë, nga më të vështirët. Për dimensionin publik që ka, është i bukur dhe i lakmueshëm. Nuk harroj që është profesion dhe si çdo profesion nuk duhet ndarë nga profesionet e tjerë. S'ka përse të fetishizohet për ato që thashë më lart. Kudo që të jesh si në Shqipëri, si në botë problemi është që të kesh mundësi ta ushtrosh si profesion. Ndryshimet në jetën shqiptare nga periudha e gjatë e tranzicionit kanë lodhur edhe aktorin. Duhet të kërkojë e gjejë shumë projekte që të ketë mundësi jo vetëm të ushtrojë artin, por dhe të sigurojë të ardhura normale. Mendoj se në këtë drejtim jo të gjithë aktorët janë fatlumë, sigurisht më të mirët gjejnë rrugën drejt skenës, ekranit dhe pjesa tjetër, që është dhe më e shumta, jo dhe aq. E rëndësishme është që ka përpjekje nga sferat profesionale. Krijuesit e moshuar dhe të rinj përpiqen të gjejnë rrugë për ta ushtruar profesionin dhe kjo është gjë pozitive. Kur kërkon, gjen. Dhe duhet medoemos të ndeshesh me pengesat dhe realitetin.

Është Shqipëria një vend i mirë për një aktor të mirë?

E mirë, e keqe, kjo është. Është vendi ynë.

Meqë jemi këtu, të pyesim për kuriozitet...Ka ndryshuar sjellja e publikut shqiptar, psh. ndaj një artisti të madh si ju?

Në thelb admirimi për artistin është një koeficient i pandryshuar. Format e admirimit ndryshojnë nga koha në kohë. Në fillim të ndryshimeve të para, kur njerëzit e politikës, veçanërisht ata të Lëvizjes për Demokraci shfaqeshin kudo në ekran a në rrugë. Ata ua merrnin në atë kohë artistave vëmendjen publike dhe u duk sikur këta të fundit mbetën në harresë (jo për xhelozi)- Mbaj mend një herë unë dhe një kolegu im ishim duke ecur nga ana tjetër e bulevardit, përballë Hotel Dajtit dhe nga ana tjetër po ecte një politikan i shquar. Njerëzit nuk e kthenin kokën nga ne, por nga ai. (qesh)

Si artisti, si politikani duhet të kursejnë të shfaqurit e tepërt në media me dhe pavend. Problemi është që të mos konsumohet artisti, kjo është e rëndësishme. Publiku përherë ka çmuar artistin dhe me kalimin e viteve shtohet vlerësimi për të. Ja për shembull, ti më quan artist të madh, kurse unë veten nuk e quaj të tillë.

Çfarë i duhet para së gjithash filmit shqiptar sot?

Është fakt që filmi shqiptar ka mbijetuar, kjo falë pasonit të kineastëve e natyrisht dhe një suporti modest të shtetit. Filmit më shumë se sa çdo arti individual, qoftë edhe teatrit i duhen paratë, buxheti i cili tek ne është i kufizuar në krahasim me botën është fare minimum, madje i pa konsiderueshëm mos flasim për Hollyëod- in që shifrat janë astronomike. Sigurisht Shqipëria nuk jeton me industrinë e filmit dhe s'ka sesi, prandaj ti shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Ka 2-3 shtëpi produksioni që rreken të bashkojnë buxhetin që marrin nga bordi i kinemasë me produksione të huaja dhe kur gjejnë shtegun për buxhet dhe mjete, prej tyre arrijnë të bëjnë filmin, ndryshe jo. Të gjithë filmat e viteve pas '95 e këtej kryesisht janë bërë në këtë mënyrë. Në çdo rast krijuesit, skenaristët, regjizorët, aktorët kurrë nuk kanë mundur të bëhen të begatë nga filmi. Artisti tek ne është i thjeshtë nga të gjitha drejtimet.

Artistët në Shqipëri individualisht ose në organizime artistike konceptin e mbijetesës apo shpërblimit e lidhin shpesh me prezencën e shtetit, pra presin buxhete shtetërore për të realizuar dhe krijuar. Këto mungojnë në fakt.. Në Perëndim, industria e filmit apo krijimtaritë në veçanti i "binden" rregullave të tregut. Ju jeni i kënaqur nga situata juaj, në kuptimin ndiheni mirë, po merrni atë që meritoni?

Padyshm që arti duhet të jetë nën kujdesin e shtetit në kuptimin që ta zhvillojë atë, ta inkurajojë. Veçanërisht teatrin, i cili kërkon për shumë arsye ndihmë nga shteti në kuptimin administrativ dhe atë financiar. Ne kemi vetëm teatër shtetëror dhe kemi një bordkinemaje, të cilët mbahen nga shteti. Sigurisht shteti ynë nuk është dhe aq i pasur, sa ti kapërcejë kufijtë e financimit, por nuk është dhe aq i varfër sa të mos ta mbështesë. Për artin mund të bëhet dhe më shumë nga shteti. Në teatër 1 biletë është shumë e lirë dhe të ardhurat në tërësi nuk mund të mbulohen nga fitimi nga biletat e shfaqjeve. Këtu çmimi është 20- 30 herë më i lirë se në perëndim dhe ky çmim shkon në raport me mundësinë financiare të publikut. Teatri jep vlera estetike, artistike, jo financiare. Shteti duhet ta mbajë kryesisht atë. Aktorëve u duhet që të kërkojnë projekte, të presin projekte dhe oferta nga regjisorët, të cilët gjithashtu duhet të gjejnë një buxhet konkret për të realizuar shfaqjet që mendojnë.

A mund të shitet "arti i mirë" në Shqipëri, apo tendenca drejt komercialitetit me çdo kusht është e vetmja alternativë?

Nuk besoj qe komercaliteti si tendencë në trajtimin e temave problematike në film do i sillte shumë të ardhura filmit. Unë jam i mendimit që filmi të shtrojë probleme që e shqetësojnë shoqërinë, të pasqyrojë këto probleme që janë më koherente, mos bëhet thjesht tendencioz në drejtim të fitimit. Komercializimifilmin do ta bënte të pavlefshëm.. Por ka një problem këtu.. Ne nuk kemi spektatorë filmi sepse mungojnë kinematë. Në televizion ato shfaqen rrallë dhe filmat e rinj nuk e shohin ekranin sepse për ti shfaqur duhet të paguash, por televizionet nuk paguajnë siç duhet. Madje filma që janë bërë 3-4 vjet më parë nuk janë parë ende. Publiku nuk ka ku ti shohë. Mungojnë sallat e kinemasë e jo vetëm.. Meqë jemi këtu, është nevoja edhe e një teatri tjetër.

Ju vetë keni pranuar të bëni diçka që ka lidhje me artin vetëm për hir të pagesës së mirë?

Këtu nuk bëhet fjalë të bësh diçka thjesht për para, sepse çmimi për një punë në raport me mundin për të është minimal. Çdo punë duhet të paguhet brenda logjikës të vendit ku jetojmë. Sa per ta ditur, 2- 3 ditë xhirimi në Hollivudjanë sa paga e një roli këtu në Shqipëri.. Nuk them që të bëhen krahasime nga sa paguhen artistët në Amerikë por edhe në vendet e tjera paguhet mirë.

Kam lexuar një poezi tuajën, vërtet të bukur.. Si ka lindur ky pasion i aktorit për poezinë?

Për aktor e pranoj se është profesioni im, në film, në teatër. Por poet s'mund të quhem sepse nuk e ushtroj si profesion dhe pse kam shkruar. Duhet ta kisha nisur shumë herët botimin e poezisë. Me siguri do kisha bërë shumë libra. Por kam vetëm një të tillë me poezi të titulluar "Rob i manive". Vlerësimi për të është befasues për mua, për vetë faktin që unë nuk shkruaja poezi, veç vargjeve për rrethe miqsh të ngushtë.. Por poezia për mua është e rëndësishme. Shkruaj në momentet e mia të mendimit. Poezia është si të thuash substrakti i artit.. Më tërheq. Në pak, shpreh shumë... Kam bërë shumë tekste këngësh, kjo është një zbavitje. Teksti i fundit është për këngën e Aurela Gaçes e titulluar "Hape veten". Tekstet janë hobi që kam nisur për lojë.. Tashmë kam hyrë në lojë, dhe po të dua nuk dal dot.

Besoj do na lejohet të bëjmë një pyetje disi më gjerë se thjesht arti. Sipas jush, gjërat në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave të fundit, jo thjesht për artistët, kanë ecur mirë apo keq?

Ka gjëra që kanë ecur. Koncepti për jetën, mentaliteti...sigurisht ka ndryshime. Ajo që është e rëndësishme është që njeriu të ndihet i lirë në kuptimin e të menduarit.. Por ka probleme ekonomike, ka njerëz që hasin vështirësi për të përballuar nevojat e jetesës. Ka konfliktualitet në tërësi. Këto nuk mund të shmangen lehtë dhe shpejt.. Mesa duket sepse jemi një vend që vijmë nga një e kaluar me shumë probleme..

"Kam pasaportë amerikane, por në Shqipëri ndihem i motivuar.."

Pse vendosët të iknit në SHBA dhe si e shihni Shqipërinë tani që jeni kthyer?

Në Amerikë shkova në ‚97 dhe kam qëndruar 6 vjet. Ika sepse atëherë, Linda, vajza kishte fituar një program shkëmbimistudentor dhe kjo ishte arsyeja kryesore, për të qenë me të. Por qëndrimi atje u kushtëzua nga fakti që unë doja të provoja si artist përvojën amerikane dhe bëra një sërë punësh, sigurisht role modeste që gjithsesi ishin një eksperiencë me interes. Amerika është një vend ku artisti veçanërisht gjen hapësira për t'u ridimensionuar. Ma merr mendja që Amerika ndikoi tek unë në një kuptim që më bëri të jem më i hapur në drejtim të profesionit dhe krijimtarisë në tërësi. Ndoshta nuk do të kisha shkruar dhe botuar, siç është libri apo poezitë, nëse Amerika nuk do ma thyente këtë tabu.. Mendoj se prirjet njeriu nuk duhet ti kufizojë por duhet ti eksperimentojë. E nëse ato nxjerrin në pah vlera atëherë ja vlen të provosh. Unë as nuk kam ikur, as nuk jam kthyer. Shkoj shpesh në SHBA pasi kam marrë pashaportë amerikane, por Shqipëria është vendi im. Ku më shumë se në vendin tënd mund të ndihesh i motivuar dhe vlerësuar?

PYETËSORI I PRUSTIT

Po të takoja Zotin? Do ti thoja „Më jep dorën.."

Çfarë është lumturia absolute për ju?

Kapërcimi i një drame, lumturi të pastër nuk ka

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjez?

Dita që lind

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Me miq

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Vullneti

Defekti juaj kryesor?

Shpërfillja

Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?

Ndaj atyre që janë të korigjueshme

Me cilat personalitete identifikoheni më shume?

Nuk identifikohem

Udhëtimi juaj i preferuar?

Udhëtimi për në Palm Spring nga Los Anxheles

Shkrimtari juaj më i dashur?

Kadare

Kompozitori juaj i preferuar?

Moxart

Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?

Besnkërinë

Tek një grua?

Feminilitetin

Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?

Kënga që më mbetet në mendje

Libri që ju la mbresë të pashlyshme?

" Shpirtra të vdekur"

Filmi që ju la mbresë të thellë?

"Eyes Wide Shut"

Piktori juaj i dashur?

Van Ghog

Ngjyra juaj e preferuar?

Varet sipas gjëndjes

Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

Atë që çmojnë të tjerët

Pija juaj e preferuar?

Vera

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?

Koha që kalon

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Mosmirënjohjen

Frika juaj më e madhe?

Fundi i oqeanit

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Kur ato janë të bardha

Cila është motoja juaj?

Ji vetja

Si do të dëshironit të vdisnit?

Pa kuptuar

Po të ndodhte të takonit Zotit, çfarë do ju pëlqente t'ju thoshte?

"Më jep dorën"

Në çfarë gjendjeje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?

Pasigurie

"Në TK aktualisht me një dramë mbi emigracionin"

Po punoj me një rol në dramën e dramaturgut amerikan Artur Miller, "Pamje nga ura", në Teatrin Kombëtar në rolin e Edi Karbones. Regjisori i shfaqjes është Albert Minga, ndërsa skenograf është mjeshtri i skenës Agim Zajmi. Vepra është varianti i punuar i autorit dhe trajton dramën e emigracionit

( të një komuniteti italian në SHBA në mes të shekullit të kaluar ). Vepra është dhe në ditët e sotme aktuale veçanërsiht për ne shqiptarëtdhe emigracionit tonë nëpër botë. Fatet e personazheve të dramës, problemet janë sa njerëzoreaq edhe tronditëse, deri në tragjizëm. Ndjehem mjaft mirë me kolegët e mi, aktorë si Yllka Mujo, Fatos Sela, Bujar Asqeriu dhe me të rinjtë Indrit Çobani dhe Olta Gixhari. Po punojmë me përkushtim për premierën, e cila do të jepet në 23 nëntor në Teatrin Kombëtar. Unë personalisht pas përvojës me "Stinë e mërzitshme në Olimp" ku luaja rolin e Prometeut dhe të shfaqjes"Për një fjalë goje" me kolegun Ndriçim Xhepa që u vlerësua si sukses nga shtypi dhe publiku kam përgjegjësi dhe një motiv më shumë par ta bërë rolin siç duhet. Është ndeshje e vështirë dhe si në çdo ndeshje është risku në mes dhe fitorja ose humbja shihen në fund.

Përkujtohet Marie Logoreci



Në Teatrin Kombëtar u përkujtua figura e saj e madhe me rastin e 20-vjetorit të vdekjes. Ish-kolegë e miq të artistes, e cila identifikohet me figurën e Lokes te drama "Toka jonë", kujtuan në përlotje personalitetin e saj të gjithanshëm artistik; karakterin prej zonje dhe sharmin e një artisteje të papërsëritshme. Marie Logoreci nuk ishte vetëm një aktore në karrierën e saj artistike. Ajo lëvroi dhe gjininë e këngës e interpretimit vokal. Si bijë Shkodre, ajo i përket plejadës më të shquar të artistëve shkodranë që vunë themelet e artit shqiptar para dhe pas lufte. Me figurën e Lokes, Marie Logoreci u memorizua përfundimisht në kujtesën kombëtare si figurë e madhe arti e gruaje njëkohësisht. Margarita Xhepa e ka cilësuar Marie Logorecin si aktoren më shqiptare të të gjitha kohërave.

Krijmtaria e Vladimir Priftit ne filmat shqiptare

Krijmtaria e Vladimir Priftit ne filmat shqiptare

Regjizor:

Dasma e Sakos (1998)
Flutura në kabinen time (1988)
Dhe vjen një ditë (1986)
Kush vdes në këmbë (1984)
Era e ngrohtë e thellësive (1982) (TV)
Kur hidheshin themelet (1978) (TV)
Udha e shkronjave (1978) (TV)

Skenarist:

Dhe vjen një ditë (1986)
Era e ngrohtë e thellësive (1982) (TV)
Udha e shkronjave (1978) (TV)

Ditëlindja e Rikardit


Me rastin e 65-vjetorit të lindjes së regjisorit dhe aktorit Rikard Ljarja (Artist i Merituar)

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizon një festë mes miqsh dhe kolegësh, nesër, në orën 11.00, në sallën e Kompanisë Filmike AA, në ish- Kinostudio. Arkivi ka përgatitur një kolazh me krijimtarinë dhe episodet e roleve të Ljarjes regjisor dhe aktor.

Rikard Ljarja u lind më 1 prill 1943 në Shkodër. Më 1960 mbaroi maturën në Shkodër kurse më 1965 u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në degën e Artit Dramatik, në Tiranë. Pas diplomimit, punoi për tetë vjet aktor i Teatri "Migjeni" në vendlidnje, Shkodër. Prej vitit 1973 deri 1996 interpretoi si aktor në filmat "Komisari i Dritës", "Dueli i heshtur", "Plagë të vjetra", "Ilegalët", "Radiostacioni", "Pranverë e hidhur", "Rrethi i kujtesës", "Fletë të bardha". Si regjisor ka realizuar "Pesha e kohës", "Kur hapen dyert e jetës", "Skëterrë 43", "Radiostacioni" etj. Në vitet 1996-2002, është drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.

Lista e aktoreve shqiptar

Lista e aktoreve shqiptar



A

* Admir Sorra
* Agim Coma
* Agim Qirjaqi
* Aleko Prodani
* Ajshe Stari
* Astrit Kabashi
* Avni Abazi
* Astrit Çerma
* Agim Shuke
* Arta Muçaj
* Albert Vërria
* Anila Bisha
* Anisa Markarian
* Albert Janku
* Artur Gorishti
* Agim Bajko
* Alfred Bualoti
* Agron Dizdari
* Anastas Kristofori
* Arben Shaka
* Adrian Morina
* Arzana Alaj

B

* Bekim Fehmiu
* Bep Shiroka
* Besa Imami
* Bexhet Nelku
* Birçe Hasko
* Bledar Mehmeti
* Blerta Syla
* Bujar Asqeriu
* Bujar Kapexhiu
* Bujar Lako
* Bruno Shllaku

D

* Demir Hyskja
* Drita Boshnjaku
* Donika Franja
* Donat Qosja
* Diana Panariti

DH

* Dhimitër Orgocka
* Dhorkë Orgocka
* Dhimitër Pecani

E

* Eva Alikaj
* Erjon Spiro
* Elida Topçiu
* Ervehe Veizi
* Eglantina Kume
* Esat Gjoci
* Esat Kola
* Esat Teliti
* Elvira Diamanti
* Esma Agolli

F

* Fadil Kujovska
* Fatmir Xhelili
* Fatos Kryeziu
* Fatos Sela
* Fitim Makashi
* Flora Mërtiri
* Ferdinand Radi

G

* Gëzim Kamja
* Gëzim Bucolli
* Guljelm Radoja
* Gaqo Spiro

GJ

* Gjergj Sollaku
* Gjon Kola
* Gjergj Luca
* Gjon Karma

H

* Hajdar Shtuni
* Hajrie Rondo

I

* Ilir Rexhepi
* Ilia Shyti
* Ilir Bezhani

K

* Kadri Roshi
* Kastriot Çaushi
* Katerina Biga
* Kristaq Rada
* Keti Trajani
* Karafil Shena
* Kol Prela

L

* Lazër Filipi
* Leze Qena
* Luan Jaha
* Loro Kovaçi
* Liza Laska
* Lec Bushati
* Luftar Pajo
* Liri Lushi
* Lumnie Sopi

LL

* Llazi Serbo

M

* Margarita Xhepa
* Marko Bitraku
* Marie Logoreci
* Melihate Ajeti
* Melpomeni Çobani
* Mirush Kabashi
* Muharrem Qena
* Mimika Luca
* Mihal Stefa
* Mario Ashiku
* Minella Borova
* Matilda Makoçi
* Marije Qyrsaqi
* Met Bega
* Manjola Begolli
* Marjeta Ljarja
* Mehdi Malkaj
* Mejreme Zeqiri-Berisha
* Merita Smaja
* Mevlan Shanaj
* Mevlan Shaqiri
* Mimoza Cika
* Manushaqe Qinami

N

* Naim Frashëri (aktor)
* Ndrek Luca
* Ndriçim Xhepa
* Nikolin Xhoja
* Niko Kanxheri
* Ndoc Cefa
* Ndrek Prela

P

* Pandi Raidhi
* Pavlina Mani
* Piro Mani
* Pjetër Gjoka
* Perika Gjezi
* Pandi Siku
* Petrit Vorpsi
* Pëllumb Dervishi
* Pëllumb Deçolli
* Petrit Llanaj
* Paskualina Gruda
* Prend Lekunda

R

* Raif Haziri
* Reshat Arbana
* Rikard Larja
* Robert Ndrenika
* Roland Trebicka
* Roza Anagnosti
* Rajmonda Bulku
* Rozeta Skëndaj

S

* Sabedin Shahiqi
* Sandër Prosi
* Serafin Fanko
* Spiro Duni
* Stavri Shkurti
* Sulejman Pitarka
* Suzana Zekthi
* Skënder Plasari
* Sokol Progri

SH

* Shpëtim Zani
* Sheri Mita
* Shpetim Kastrati

T

* Timo Flloko
* Tinka Kurti

TH

* Thimi Filipi


V

* Vangjel Heba
* Vangjel Toçe
* Violeta Manushi
* Vitore Nino
* Viktor Zhusti
* Viktor Bruçeti
* Vangjush Furxhiu
* vlora merovci
* Valdet Rama

XH

* Xhevat Qena
* Xhevdet Ferri
* Xhevdet Doda

Y

* Yllka Gashi
* Yllka Mujo
* Ymer Bala

Z

* Zef Deda
* Zef Mosi
* Zoica Haxho
* Zyliha Miloti
* Zana Turku

Ustallarët e gërnetës

Premiera e realizimit dokumentar "Magjia klarinetë" e Donika Mustafajt, prodhim i TVSH

"Magjia klarinetë" është një film i guximshëm do thoshte ndokush sepse autorja e tij të parin filmin dokumentar në jetën e vet e bëri në moshën 45-vjeçare, në vitin 2007. Arsye tjetër është tematika e dokumentarit, që ndryshe mund të quhej "profil instrumenti". Por se çfarë ka dashur të thotë Donika Mustafaj është më mirë të ndiqet filmi nesër në mbrëmje në orën 18.30 në Teatrin e Kukullave.

Për aq sa pamë dje në parapremierën për gazetarët, ky është një realizim më i pjekur se dokumentari paraardhës, por i takon asaj audience që do të dijë se si erdhi në Shqipëri klarineta, si u adaptua nga instrumentistët vendas se si ata e zhveshën nga kostumi i instrumentit klasik dhe e futën në këngët e gëzimit dhe të vajit. Krijuan prandaj brenda saj veglën imagjinare, "gërnetën", i njëjti instrument në pamje, por me tingull të ndryshëm, me muzikë isopolifonie. Këtë lloj informacioni mund ta gjesh në botime të veçanta, atë që nuk e gjejmë dot as në regjistrimet televizive janë fragmentet e intervistës me usta Laverin që thotë: "Kur luaj në klarinetë, çmendem". Ky personazh është vlera më e vërtetë e filmimeve. Laver Bariun, si asnjë artist tjetër shqiptar para tij nuk e kishim parë dhe as dëgjuar kurrë të thotë që kur është i nervozuar instrumenti i tij është më i ndjeshëm; që nuk ka hipur ndonjëherë në skenë pa pirë, që është injorant në nota dhe që mbesën e tij e përcolli në varreza me një vaj gërnete.

Pamë bashkë me ustain e Përmetit, Remzi Lelën (Çobanin) dhe Novruz Nuren (Lulushin), nga të cilët jeton vetëm i pari. Pa këto gjysma portrete dhe kabatë e tyre, ky dokumentar do ishte thjesht didaktik.

Një pjesë e mirë e pasardhësve e ustallarëve luajnë në dasma, instrumentin e gostisin me raki, ndërsa njerëzit me muzikë që nuk e nderon gërnetën. Ky është një nga shqetësimet e Donika Mustafajt: degjenerimi i instrumentit që ka zbritur nga skena dhenë sheshin e dasmave. Nëse ka qenë ky qëllimi, shfrytëzimi folklorik i instrumentit, duket gjysmë i përmbushur.

Të dy realizimet e Mustafajt, megjithëse quhen dokumentarë janë më afër emisionit televiziv. Materiali arkivor është i pakët, mungon raporti filmik i instrumentistëve me kohën. Duket i pajustifikueshëm montazhi që kapërcen kohët nga përshëndetja e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë nga tribuna tek Sali Berisha si lider i Partisë Demokratike menjëherë pas nëntëdhjetës.

Mungon detaji, gjuha filmike është nën influencën e fjalës, të tekstit të folur, komentues, që e dominon imazhin. Kjo vlen për pjesën kur Mustafaj prezantohet në ftesë si dokumentariste, ndërsa pozicioni i saj si skenariste dhe realizuese në titra duket më i sakti. Po ashtu, do të ishte më me vend që narratori të mos bëhej nga vetë Mustafaj, por nga një aktor profesionist për lexime të këtij lloji.

"Magjia klarinetë" është prodhim i Televizonit Publik Shqiptar, i Drejtorisë së Programeve Satelitore. Zgjat 30 minuta, i subtitruar në gjuhën angleze. Autorja thotë se mendohet të marrë pjesë në Festivalin e Montekarlos.

Pellumb Kulla - nje mjeshter i humorit

PELLUMB KULLA

Pellumb Kulla ka lindur me 10 janar 1940 ne fshatin Zemblak te Korces dhe eshte rritur ne Tirane. Atje ai ndoqi radhet e shkollave deri sa mbaroi fakultetin e artit dramatik ne vitin 1964. Me pas emerohet ne Vlore ku punoi per me shume se dy vjet. Per shkaqe politike e largojne nga puna dhe e denojne te punoj ne guroren e Kanines dhe ne ndermarjen e ndertimit. Pune e detyruar larg skenave. Miqte e tij e ndihmuan ta kapercente kete situat te rende dhe te vendosej ne Fier ku punoi afro 18 vjet. Me Fierin nis dhe krijimtaria me e pjekur dhe e suksesshme ne fushen e drames, humorit dhe letersise. Ne repertorin e atij teatri dhe te televizionit shteteror paten jete te mbare nje sere dramash dhe komedish si: - “Shoku Niqifor”, “Dy krisma ne Paris”, “E bukur shtepi e vjeter”, “Cobo Rrapushi me shoke”, dhe sidomos komedite e tij te shkrurtera vene ne estraden profesioniste te Fierit.

Pena e tij u shperblye me botimin e pese vellimeve me skica, komedi, tregime liriko-satirike, dhe realizimit filmik te dy skenare kinokomedish. Largimi nga Fieri perkon me ndryshimin politiko shoqeror ne jeten e vendit. Ne vitin 1992 ai u angazhua ne perfaqesite diplomatike te vendit, per pak kohe ne Bon, ne Shqiperi e me pas si ambasador i Shqiperise ne Organizaten e Kombeve te Bashkuara. Detyre qe e mbajti deri ne shtator te vitit 1997.

Muaj me vone, per afro nje vit ai punoi si kryeredaktori i gazetes Shqiptaro-Amerikane "ILIRIA" te New Yorkut. Penes se tij i perkasin shume artikuj dhe analiza mbi situatat brenda dhe jashte vendit. Aktualisht Pellumb Kulla jeton bashke me familjen ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes.

I pyetur nga intervistuesi yne se si e pershkruan ai mallin per Fierin ai pergjigje: - “Malli eshte nje lloj egersie e vogel qe eshte brenda gjoksit tend dhe te gervisht, te gris dhe te ledhaton. Une kam mall per Fierin, sepse ne te eshte djegur dhe flakeruar e gjithe rinia ime, jeta ime familjare, lindja e femijve dhe pjesa me e madhe e kujtimeve te mia eshte puna qe kam bere ne teatrin e Fierit. Te gjitha lavderimet qe vijne per mua dhe per punen time une jam i bindur se nuk do kishin ate vlere dhe ate ndricim pa bashkpunimin e mrekullueshem te artisteve qe ndodheshin dhe ndodhen ne teatrin e Fierit.

“Me pas duke perkufizuar moton e tij ai midis te tjerash shprehet: “Njeriu mund te beje shume pune ne jete, por njeri eshte kali i betejes ai qe kalon fushen e madhe. Te tjeret mund te kene kuaj dhe me te fuqishem beteje. Une kalin tim te betejes kam Teatrin dhe Estraden e Fierit. Kam nje kenaqesi te madhe. Eedhe pse nuk jam nga Fieri lumturohem kur me thone Pellumb Kulla, ai Fieraku. Megjithese nuk jam me origjine Fierake jam krenar shume dhe me nderoni kur me quani Fierak dhe Pjese e Tatrit Bylis te Fierit.”


Cfare teatri per te madhin Pellumb Kulla



Kjo eshte nje interviste e realizuar nga Ylli Demneri para disa kohesh me dramaturgun dhe komedianin e shquar shqiptar Pellumb Kulla i cili prej disa vitesh jeton ne Ny city, SHBA.

Bisedë mbi teatrin



Y. I dashur Pëllumb, mund të jemi këmbyer korridoreve, në Kinostudio apo në teatër, por nuk kemi patur asnjëherë rast që të takohemi e të bisedojmë së bashku, prandaj të kërkova këtë bashkëbisedim mbi teatrin. A nuk është më mirë që t'a bëjmë këtu?

P. Pse jo?!

Y. Edhe pse u bënë kaq vite qe përdor internetin, prape më ndodh që të mrekullohem nga kjo shpikje e kohës sonë. Ti atje në New York, unë këtu në Paris, arrijmë të bisedojmë "kokë më kokë".
P. Paris, New York… Emra qytetesh prestigjozë! A nuk të duket se na e rrit përgjegjësinë, mbi nivelin e atyre që do të themi.

Y. Nuk besoj që vetëm me emrat këta qytete të bëjnë të mençur. Ka kaq shumë debilë që kanë lindur e jetojnë në këto qytete, sa më mirë t'i harrojmë. Nëse do të donim që të flisnim sëbashku mbi teatrin në përgjithësi dhe për lidhjet e tua me të, nuk mund t'i shmagem pyetjes, se ç'qe ajo që të shtyu drejt teatrit?
P. Unë iu afrova teatrit siç i afrohen të gjithë fëmijët lojrave… Teatri është parë deri tani si kryeloja, loja më magjepse që ka arritur njerëzimi.. Është loja, ku kënaqesh edhe vetë, ku sheh edhe të tjerë që mblidhen të të shohin dhe bile në fund edhe të të duartrokasin.

Y. Ose edhe të të kthejnë krahët!
P. E drejtë, të kthejnë dhe krahët!. Në lojën e teatrit, teksa zbavitesh dhe zbavit, ti në të njëjtën kohë sheh një hapësirë të magjishme, ku mund të shfaqësh ide dhe duke u pjekur vetë, t'i shfaqësh më të pjekura edhe idetë. Në këtë lojë të pakrahasueshme, ty të jepet mundësia të jesh në mënyrë të përsosur dikush tjetër, të bëhesh përkohësisht ai që në të vërtetë në jetë nuk u bëre dot, t'i gëzosh si të realizuara ca ëndrra që në jetën reale nuk i gëzove dot. Ti aty je i bukur edhe të duan të gjitha vajzat, kur në të vërtetë, jashtë kësaj loje, në jetë, asnjëra nuk t'i hedh sytë! Ti në këtë lojë të magjishme, ke mundësi të tregosh karakter të papërkulur, kur për këtë në jetën e përditëshme paguan haraç të madh. Në këtë lojë fantastike, ke mundësi të bëhesh hero e të japësh jetën për ideale të larta, kur këtë gjë nuk e sheh për ditë, as nga të tjerët, pale nga vetja! Duke e bërë lojën magjike angazhimin tënd kryesor në jetë, ti nis të studjosh përvoja të tjera mjeshtrash të vdekur të pavdekshëm dhe të gjallë. Idetë avash-avash, bëhen më të rafinuara dhe në sheshin e lodrave të tua, arsenali bëhet gjithnjë e më i pasur. Ti shikon se ke futur aty filozofinë, bukurinë e situatës, transformimin e thellë kostumor dhe plastik, ke futur nëntekstin dhe nënkuptimin, alegorinë, metaforën, humorin.. Bri grepave të tu ke ushqim të bollshëm për të kuar imagjinatat e atyre që të sodisin. Dhe ata e kafshojnë grepin. Pastaj ti fut në lojë idetë e tërthorta, goditjet e fshehura dhe sheh se rreth e qark lëmit ku është ekspozuar ky arsenal, mblidhen më shumë e më shumë njerëz që emocionohen, qajnë dhe qeshin. Ti ndërton mure dhe njerëzit matanë arrijnë të zgjatin kokat përmbi ata mure, që të shohin. E kur muret i bën më të lartë, atyre që u pëlqen të të sodisin, vijnë nga porta e madhe duke paguar për të të parë, ty, mësuesin tënd, partnerin tënd, nxënësit e tu, lojtarët mjeshtra, djemtë dhe vajzat e bukura që teatrit i duhen sipas nevojës… Dhe kjo bëhet jetë, art biznes, luftë, ankth… Po gjithësesi, lojë madhështore ama! Më thuaj ti, Ylli, një lojë më të bukur!

Y. Janë të vërteta gjithë sa thua ! Teatri është krijimi i një realiteti tjetër, i magjishëm, sepse ai krijohet nga ëndrrat tona, nga dëshirat tona. Po çfarë duhet që kjo magji të gjejë jehonë tek çdo individ ?
P. Jehona vjen nga që artisti e di se çfarë e preokupon shoqërinë pra dhe individët e saj. Artisti e di që nga loja e teatrit, shoqërisë i vijnë pak zgjidhje, por së paku i përgatit ato. Artisti krijon mundësinë që të trajtohet ky preokupim, përgatit lojën që të mënçurojë, të qartësojë, të edukojë dhe të frymëzojë për të bërë përpjekjet për zgjidhje.

Y. Është regjisori ai që e ndërton këtë lojë ?
P. Kur përdora fjalën artist, këtu nuk kisha parasysh vetëm regjisorin, i cili është shumë i rëndësishëm dhe përgjithësisht, më i rëndësishmi. Me fjalën artist unë nënkuptoj atë që i afrohet më parë temës, thelbit, nga do të fillojë loja e magjishme. Është si të thuash gjeneratori i lojës magjike. Ky mund të jetë autori, mund të jetë, drejtori artistik, producenti dhe shumë rrallë aktori. Nga një herë këta të gjithë mund të jenë të bashkuar në një njeri të vetëm: ky shkruan pjesën, ky merr përsipër ta inskenojë, ky luan rolin bazë e zgjedh artistët e tjerë dhe nxjerr paratë për këtë ndërmarrje. Aktori vetë, mund nganjëherë, të bëhet inisiator i krijimit a përzgjedhjes së pjesës, i gjetjes së regjisorit të përshtatshëm dhe, për shkak të karizmës së tij, mund të tërheqë në lojë edhe fondet nga individë të pasur artdashës ose nga shteti vetë. Por kjo ndodh rrallë. Në shumicën dërmuese të herëve, në qendër të kësaj ndërmarrje është, siç the ti, regjisori, të cilit përgjithësisht ne i atribuojmë një mendim më të gjërë, ide më të zgjedhura dhe veti udhëheqëse më të spikatura.
Kaq sa thashë është rregulli dhe funksionimi i tij në shoqëri të hapur demokratike, ku idetë dhe shprehjet e tyre janë të lira. Por më së shumti, historia e teatrit është zhvilluar në shoqëri të mbyllura, nën robëri dhe diktatura, të cilat e kontrollojnë me një mijë sy se ç'gatuhet nëpër teatro dhe rrethet e artistëve të skenës. Për to, këto lloj çerdhesh janë të rrezikëshme dhe natyrisht, shoqëri të tilla, jo vetëm i pengojnë artistët të shfaqin idetë e tyre të vërteta, jo vetëm nuk japin për ndërmarrjet e tyre asnjë cent, por përdorin zjarr dhe hekur, që t'u mbyllin gojën dhe skenën, t'ua nxijnë jetën individëve që digjen nga padurimi t'i shfaqin ato në publik. Ato e dijnë që një vepër teatrale është mijëra herë më e rrezikëshme se një vepër letrare e rrezikëshme, një poemë apo roman. Duke lexuar një vepër letrare të tillë, lexuesi ofshan, emocionohet, qesh, qan e ndizet. Por kjo ndezje është e veçuar, individuale, rrëzë një sobe a një abazhuri. Përfytyro se si tingëllojnë këto ofshama bashkë, këto të qeshura, ky entuziazëm i mijëra gjokseve njëherësh, të bashkuara në një shesh qyteti apo në një sallë. Ne vijmë nga një shoqëri e tillë. Jemi thuajse akoma në një shoqëri të tillë! Lufta e artistëve tonë të shumtë e të shquar, të së kaluarës e të së tashmes, ishte e mjerë. Ajo nuk u zhvillua pothuajse fare. Të flasësh për teatrin shqiptar dhe problemet e tij, duhet të matesh mirë. Shumë veta e kanë kollaj t'i venë fshesën teatrit tonë të periudhës diktatoriale e të mohojnë kësisoj një histori të dhimbshme të tij. Duhet të matesh mirë që të analizosh drejt dhe pa pasione jo vetëm aktivitetin e tij të pakët të shquar, por edhe shtrembërimin e tij, degradimin dhe përdhunimin e tij. Duhet të peshosh drejt mëkatet dhe spekullimet me të, gjë që tani, tek ne, shumë individë janë të interesuar që ky kuvendim të mos zhvillohet.

Y. Më kanë tërhequr gjithmonë albumet fotografike. Sa herë që vizitonim miq e të afërt do të zhytesha në albumet e tyre fotografike, e meqë isha i vogël m'a falnin këtë "sjellje të keqe". Dhe këtu, me ty, do të doja që të shfletonim bashkë "albumin" tënd. Kur fillove studimet teatrale? Cilët qenë pedagogët e tu? Më trego pak për këtë periudhë?
P. Unë iu afrova Shkollës së Lartë për Aktorë "Aleksandër Mojsiu", që në ditët e para të themelimit të saj, në vitin 1959. Ajo u hap pranë Teatrit Popullor dhe vetëm më vonë, në vitin 1967, u bë pjesë e Akademisë së Arteve. Iu nënshtrova konkursit i cili nxorri fitues elementë që pastaj u bënë studentë të shkëlqyer dhe artistë të mëdhenj, si Bexhet Nelku, Edi Luarasi, Mario Ashiku, Aishe Starri, Dhimitër Orgocka, Albert Verria e tje. Unë nuk isha i nivelit të tyre, por megjithatë e ndjeva një lloj interesi nga ana e komisionit që kryesohej nga themelusja e shkollës, pedagogja ruse Nina Çefranova. Por paja reaksionare politike, m'u bë pengesë. Siç dihej, gjyshi im ishte pushkatuar në '45 dhe gjyshi tjetër me të tre djemtë, dajat e mij, ndodheshin të arratisur që më '50. Pajë më e papërshtatëshme nuk bëhej! Në vitin pasardhës konkurova dhe munda të hyj.

Y. Si u bë puna? Ç' kishte ngjarë?

P. Asgjë, asgjë nga ato që përmenda: gjyshi nga babai vazhdonte të ishte i pushkatuar, ai nga nëna me djemtë e tij vazhdonte të mbetej në arrati dhe dikatura nuk qe zbutur aspak. Por ndërkohë, në prill të '60 unë, tek punoja në Uzinën "Enver" pata rast t'i pres rrugën e Enver Hoxhës vetë, t'i qaja hallin atij dhe t'i kërkoj të bëhej një lëshim për mua. Në sytë e dyqind e ca punëtorëve të uzinës, ai bëri gjestin mbretëror të lëshimit, pa qenë nevoja të pyeste Byronë dhe as duke e shitur këtë konçesion si vijë të mëtejshme partie. Natyrisht, nuk më dhanë bursë, por unë megjithatë i vazhdova studimet duke punuar punë të rëndomta natën e sidomos duke shfrytëzuar pushimet mes viteve shkollorë. Pas vitit të parë punova në hidroçentralin e Bistricës, pas vitit të dytë bëra zborrin studentor në Gërhot (Gjirokastër), por ama i shfrytëzova tërësisht pushimet pas vitit të tretë e të katërt në kantieret e "Rruga-Urës"
Albumi që ti, Ylli, ke qefin e "pasjellshëm", të hapësh, duhet të të duket interesant kur të vesh re që në fotografitë e bashkënxënsëve të mij të klasës do të gjesh, studentë e, më vonë, artistë të shquar, që përbënin ndoshta kursin më të talentuar që ka patur ndonjëherë kjo shkollë! Në bangat e klasës sime ti do të shohësh jo pak por një Robert Ndenikë, një Viktor Zhust, një Vladimir Prift!… Aty ishin Vera Zheji, Antoneta Papapavli, Bukuroshe Kokalari, Shpëtim Shëmili, Adem Gjyzeli, Ali Bega, Kadri Pirro, Tonin Ujka, Kristo Jorgji, Ibrahim Bërdaku, Sandër Pogaçe, Thoma Milaj, Vasil Kokoshari, Xhelal Bilali... Në album do të vesh re se mjeshtërinë e aktrimit dhe të regjisë na e jepnin pedagogët më të mirë të historisë së shkollës, vetë Çefranova, Spahivogli, Luarasi, Pano… Më pas, për shkak të prishjes së marrëdhënjeve me BS, pedagogja ruse u largua, por ata që mbetën ishin nga më karizmatikët, të angazhuar në praktikën teatrale duke dhene veprat e tyre kulmore. Në atë kohë Luarasi realizoi "Dhelprën dhe rrushtë" dhe "Një dashuri e tillë", Spahivogli "Shtëpinë në bulevard"… U vunë "Hamleti", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Karnavalet e Korçës"… Regjisorët më të rinj, që më vonë u bënë pedagogë, si Oktrova dhe Mani, kishin mbaruar studimet dhe sillnin nga Korça e Shkodra vepra si "Hijet e natës" dhe "Pamje nga ura", "Histori Irkutase"… Ato vite, ne vërtiteshim në oborrin e Teatrit Popullor, uleshim pinim kafe, ndiznim cigaret e para, ose luanim si figurantë në shfaqje pranë kollosash, brezit të artë të aktorëve Kadri Roshi, Naim Frashëri, Mihal Popi, Prokop Mima, Loro Kovaçi, Sul Pitarka, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Gjoka, … Album i pasur, po?

Y. Tani që po bëhen kaq vite që ke mbaruar shkollën, që ke njohur emocionet e tmerrshme të konkurseve, me një eksperiencë të sukseshme prej disa dekadash si regjisor në teatër, çfarë këshillash mund t'i jepje një të riu apo të reje që ka dëshirë të bëhet aktor? Apo ti mendon, se këshillat nuk kanë asnjë vlerë?
P. Natyrisht që kanë! Atëhere përse shërbejnë vitet, thinjat, trashëgimia?! Në ndryshim nga fushat e tjera të studimeve, fusha e aktrimit, apo në përgjithësi bota e spektaklit, karakterizohet nga ëndrra më të ndezura. Idhujt janë më publikë, përkëdhelja e ëndrrave nis më shpejt, "krehja e bishtit" i ka fillimet e menjëhershme dhe cipa e sedrës është më e ekspozuar ndaj ledhave dhe plagosjeve. Madje, paradoksalisht, studentët rrezikojnë ta ndjejnë veten artistë më të mëdhenj në vitin e parë, se sa në vitet e fundit. Më vonë ata bëhen të ndërgjegjshëm për malin e lartë, të cilit kanë marrë përsipër t'i ngjiten. Ata nuk kanë nevojë për këshillën time që të ëndërrojnë. Është i cungët ai fillestar që i ka hyrë një rruge e nuk synon që atje të bëhet më i zoti! Bëjnë mirë, pra, të ëndërrojnë, por ëndrra nuk duhet t'i tërheqë për gjumë. Pas kësaj ata do të venë re, se fusha që kanë zgjedhur, është ekzaktësisht si tërë fushat e tjera. Studim dhe stërvitje e paprerë. Shëtitje e paprerë dhe kullotje në tërë gjinitë e artit, në muzikë, letërsi, pikturë e tje. Është i nevojshëm "zgjerimi i kullotës", pra lypsen gjuhët e huaja, për të mos pritur planet e përkthimeve. E me që aktori për të ndërtuar "prodhimin" e tij, si lëndë të parë ka materialin e tij njerëzor, fizikun e vet, aparatin gojor, duhet t'i ushtrojë, t'i zotërojë ato e t'i përsosë. Në skedat e tij ai duhet të regjistrojë tërë rezultatet e vëzhgimeve, veçantitë fizike dhe karakteriale të njerëzve që has për ditë dhe të provojë të bëhet si ata, t'i imitojë. Se do t'i duhen, pa tjetër do t'i duhen! E sidomos, e sidomos: të përgatitet! Të përgatitet, se përkrah tij do të ketë shoqe e shokë që natyra u ka falur më shumë dhunti dhe ata vetë kanë punuar më shumë! Atyre do t'u vërsulen më shumë adhurues për autografë. I tillë është pazari! E tillë është xhungla!..

Y. Perveç kontributit tënd si regjisor në historinë e teatrit shqiptar, ti ke kontribuar dhe me pjesëmarrjen tënde si dramaturg. Do të doja të dija mendimin tënd mbi dramaturgjinë shqiptare përgjatë diktaturës hoxhiane. Një tekst në sankritisht thotë, se një shfaqje e mirë duhet t'i jap përgjigje shqetësimeve të spektatorëve, të cilët janë të interesuar për ecurinë e punëve të tyre, për problemet e tyre familjare, për vrapin e universit, për natyrën e shpirtit. Por, që kjo shfaqje të jetë e përkryer, duhet gjithashtu që "të ngushëllojë dhe pijanecin që është futur aty rastësisht". A e gjejmë këtë koncept në dramaturgjinë shqiptare?
P. Bashkohem me mendimin e përgjithshëm, që në gjinitë thellësisht të politizuara të letërsisë dhe arteve shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas, dramaturgjia ze vendin e fundit. Dhe e ka ruajtur atë vend me thonj e me dhëmbë! Në artet e tjera megjithë represionin e tmerrshëm, u realizuan dhe vepra me vlerë, kurse në zhanrin, ku ti me të drejtë, më fut dhe mua, thatësira ishte pothuaj e plotë. Së pari, më duhet të bëj shfajësimin tim dhe të kolegëve të mij. Për shkaqe që shpjegova në pyetjen tuaj të parë mbi vlerat e veçanta të teatrit edhe kujdesi, syçeltësia e organeve të partisë ishte maksimale dhe censura ishte me tre turne në majë të karrakollit. Kërkohej qimja në vezë dhe ajo kërkohej përditë. Një spektakël nuk e kish jetën e sigurtë edhe pas miratimit të tij. Romanit dhe poemës i rrinin mbi kokë shumë më pak roje të partisë dhe këta roje, ishin relativisht më të kulturuar dhe më tolerantë. Ndërsa dramaturgjinë e skrutinonin, - ma fal fjalën e huaj! - me qindra e mijëra sy e veshë: jurira, komisionerë fshatarë, puntorë e ushtarakë injorantë, që lëshonin dyshime, të cilat tmerronin përgjegjësit kryesorë, personalitete të brishta, që duhet të jepnin lejëkalimin. Dramaturgjia pra ishte rezultat i praktikës së shëmtuar dhe jo praktika, pasojë e dramaturgjisë së shëmtuar! Dhe nuk është aspak e vërtetë, që vlerat profesionale të shkrimtarëve që u morën me dramaturgjinë ishin më të pakta. Me të u angazhuan pena të shquara: Agolli, Arapi, Laço, Jakova, Jero, Pulaha, Kraja, Prifti e të tjerë. Pastaj për shkak të urisë së madhe nga e cila vuanin afro 10 teatro profesionistë dhe si pasojë e përfytyrimeve sempliste që kishin të gjithë për lehtësinë e të shkruarit të një drame, bënë prurjet e tyre amatorë lloj-llojesh: veteranë, kuadro rinie, kufitarë e aktorë pa hesap. Këta ia ulën gradacionin rakisë deri aty, sa ajo nuk mund të quhej më e tillë. Ty të mbetej pra, ose largimi nga dramaturgjia, ose pajtimi me të për interesa të tjera që do t'i them më poshtë. Për vete, me që jemi në kuadrin e shfajësimit, kam diçka më shumë. Së pari, mua dramaturgji, preferoj të më konsiderohet dhe komeditë e shkurtëra dhe skeçi, me të cilët unë pata një varg suksesesh, që edhe sot më japin kënaqësi kur i shoh tek shfaqen. Disa prej tyre, nuk kanë pse skuqen para dramave dhe komedive të gjata që kam shkruar. Karakteret dhe problemet që mua më tërhiqnin, unë gjeja rast t'i ngjisja në skenë dhe me to. Mua më pëlqenin psh kooperativistët e mësuar si papagallë me frazat e përditëshme parafabrikate që lundronin në oportunizëm, ("Lipe Shtogu"), njerëzit që kishin bërë luftën, pomponin me kalimin e viteve kontributin e tyre në atë luftë dhe prisnin veç të mira paskëtaj, ("Çobo Rrapushi dhe triska e frontit"). Më tërhiqnin metaforat e peshkuara në humorin popullor. Unë edhe sot kënaqem kur shoh kanalet televizive të japin komedijzën time, me atë kuadrin e lartë nga qendra, i cili vjen e pyet pranë livadhit kooperativistët, në se u dalin të ardhurat nga kooperativa për të mbajtur familjen dhe a u pëlqejnë shefat që kanë mbi krye: tendenciozisht, fshatari nuk ka fare tekst, sepse sa merr frymë të përgjigjet, në vend të tij përgjigjen e jep kryetari i kooperativës, i cili thotë, se të ardhurat janë të shkëlqyera dhe kryesia është perfekte.
Pavarësisht telasheve të trajtimit tim politik në Fier, unë i jam thellësisht mirënjohës artistëve të jashtzakonshëm dhe publikut të atij qyteti, që dalëngadalë u bënë dëgjuesit dhe përkrahësit e mij më të zjarrtë dhe bënë të mundur në një mënyrë, që të rritej autoriteti im artistic. Ata u bënë nxitës të krijimtarisë dramaturgjike dhe sheshi më i frytshëm për të eksperimentuar. Aty unë eksperimentova heroin pozitiv të komedisë, ("Shoku Niqifor"), dramën dokumentare historike ("Dy krisma në Paris"), komedinë dramatike ("E bukur shtëpi e vjetër") dhe paralelizmin e situatave groteske, kur ndërrohen epokat, ("Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë"). Shkrova dhe një sërë miniaturash të tjera të guximshme, po i bëra jo pa u fshehur prapa parzëmoreve të Dritëroit, spuntove të Kallamatës, Buxhelit dhe Musarajt. Jo, jo aqe trim nuk isha dhe sinqerisht nuk turpërohem për këtë. Krahas rritjes së autoritetit artistik, mua dhe artistëve të mij të pakrahasueshëm, na u lejua të shfaqnim ide, që në fillimet e mia, nuk do guxoja kurrë. A mund ta konkretizoj?

Y. Pa tjetër! Dhe do të kisha kënaqësi, ta bëje.
P. Për shëmbull: Ne realizuam një komedi të shkurtër të titulluar "Farat e Shalqinit" Subjekti, shkurt: Një parcelë kish një lloj fare shalqini, që jepte prodhim të jashtëzakonshëm. Për të ruajtur farën e plotë, që vitin tjetër ta zgjeronin sipërfaqen e prodhimit edhe në shumë hektarë të tjerë, u vendos që shalqinjtë të ndaheshin nëpër antarët e atyshëm të kooperativës. Ata nuk do të paguanin për shalqinjtë që do merrnin, por si detyrim, thjesht, do t'i kthenin kooperativës farat. Por, belaja, qe se nuk kish aq shumë shalqinj sa t'i kënaqnin tërë familjet dhe u detyruan të futnin kriterin klasor, siç e futnin për frigot dhe televizorët. Dmth: shalqi do të merrnin vetëm familjet që garantonin besim, ato familje që gjatë luftës kishin mbajtur qëndrim të mirë, e tjera.. Familjeve të mbetura, për t'u mbyllur gojën, do t'u jepnin pjepër. U krijuan në fshat pra "familjet e pjeprit" dhe "familjet e shalqinit" Këtu dhe qëndronte thelbi i konfliktit të komedisë. Me që biseda hyri në këtë hulli, lejomë Ylli, të zgjatem edhe ca megjithë zgjatjen e tmerrëshme që kam deri tani dhe lejomë të rikujtoj sa të mundem dialogun, teksa Kryetari, (që zakonisht caktohej nga qendra dhe nuk ishte domosdo nga ai fshat), hartonte tok me Brigadierin listën e familjeve që do t'u besohej shalqini i fares. Ishte një dialog, që në sallë përcillej me ovacione në çdo batutë:

Brigadieri: Jo, or shoku kryetar, jo! Le të ankohen! E po familjes së Lame Resulit, unë nuk i jap shalqi! Ti, o kryetar, je i ri këtu e nuk e njeh. Këtij Lame Resulit që thua ti, më '46 i shkau këmba e shkeli një nen të kodit penal. Tetë vjet brënda!… Bëri tetë vjetët e doli nga burgu. Shtëpia i kish qëlluar bri shtallave të kooperativës. U them shokëve: "Priteni tani Lamen, kur të na bëjë ndonjë proçkë! Priteni këtë armik kur të na verë ndonjë zjarr-a, a të na bëjë ndonjë helmim bagëtish… Priteni! Ja kur ta bëjë!"… Pritëm 10 vjet!
Kryetari: E bëri?
Brigadieri: Jo! E as jepte shënja hiç për asi punësh!
Kryetari: Shiko, shiko! Armik i rafinuar! Skile! E ç'bënte?
Brigadieri: Asgjë. Ulte kokën e punonte.
Kryetari: Punonte qerratai, ëh?! E si punonte?
Brigadieri: (me keqardhje). Shumë mirë! E hiqte brazdën, sikur t'i kishe vënë spangon!… E pritëm sabotimin e tij edhe dhjetë vjete të tjera…
Kryetari: (i sigurtë tani). E zutë!
Brigadieri: Jo, or jo! Ç'të zije! Ai vetëm punonte, si gjithnjë!
Kryetari: (i llahtarisur). Nëne, nëne, me ç'armiq kemi të bëjmë! Po kur ju a bëri sabotimin?
Brigadieri: Asnjëherë! Vdiq!
Kryetari: (i hutuar). Vdiq?!
Brigadieri: Vdiq, qeni, pa sabotuar as edhe një herë!
Kryetari: (i merret fryma nga befasia dhe tërbimi). I poshtri!… Nëne, nëne, nëne! Këtij i them armik unë! Ku ta zesh këtë, more vëlla?! S'të vjedh, s'të djeg, s'të helmon! Punon mirë.. Papapa, sa të rrezikshëm që janë! (Befas). Po tani, bijtë e tij, bijat…?
Brigadieri: (raporton me zemër të plasur). Për bukuri edhe ata! Punojnë kokëunjur e nuk ndihen hiç.
Kryetari: (brof i skandalizuar dhe përplas shalqinin që ka në dorë). Ohuuu! Po pse nuk thua ti, që këta dashkan 500 vjet që ta shfaqin fytyrën e vërtetë!

Nuk besoj se do ta kisha shprehur më mirë se në Fier, dufin, që kisha për gjithë trajtimin tim politik dhe të gjithë shtresës sime. Komedia kishte shumë sukses, salla mbushej plot. Ata të komitetit të partisë rrinin si më gjemba. Ata mund ta ndalnin, por kishin frikë se ne shpesh na vinin lavdërime nga qendra, ku Hoxha pat vdekur, prandaj i linin aktorët të ishin në qiellin e shtatë dhe komedijzën të shfaqej. E për të mos e pikturuar Fierin, si një ishull të demokracisë qiellore, duhet të pranoj, se nuk na e lejuan ta filmonim në TV.
Veç dramave të mësipërme, kam shkruar edhe nja dy drama të tjera të cilat nuk janë ekranizuar, pasi njëra ishte shkruar nën ndikimin e dramave lirike të Arbuzovit, që kur isha 24 vjeç dhe tjetra u realizua vetëm nga grupet amatore dhe kishte skematizëm me bollëk. Për shkak të prejardhjes politike që përmenda, mua, - jo të gjitha të këqiat të bëjnë keq, - asnjëherë nuk m'u kërkuan drama të tipit "Komunistët", "Furrnalta" a "Zonja nga qyteti", siç iu kërkuan Pulahës psh, të cilat dëmtuan krijimtarinë e një shkrimtari të talentuar si ai. "Zonja nga qyteti" psh., mund të mbahet mend për rolet e goditur të Dhorkës, Violetës dhe Stavrit, por ishte e mbështetur mbi një frazë të Hoxhës, ("Po të isha 20 vjeç, unë do shkonja të jetonja e punonja në fshat") dhe komedia pikturonte një realitet të shtirur dhe gënjeshtar. Pas kësaj Ruzhdiu u kthye në dramaturg sipas porosive dhe atëhere me të nuk matej dot njeri në konkurse e festivale. Në kaqe vjet, pas përmbysjes së diktaturës, unë kam pritur prej tij një refleksion në shtyp, por ai nuk e bëri kurrë. Të tilla rrëfime janë pritur dhe nga kritikë dhe estetë, të cilët e shtynë edhe më tej kërkimin e skematizmit në dramaturgji. Kështuqë, siç e theksonja në një artikull para ca muajsh, kemi dramaturgë dhe doktora të dramaturgjisë me veprat që u a kanë dhënë këta tituj, por veprat tani ndodhen të futura shtatë pashë nën dhe!
Megjithatë nëpër morinë e dramave që u shkruan, për hir të vendit të fundit që i caktuam dramaturgjisë, nuk duhet të harrojmë se u shkruan vepra që patën vlera dhe jehona, si "Balladë për një grua" dhe "Fytyra e dytë" të Agollit, "Mësuesi i letërsisë", i vetë Pulahës, "Halili dhe Hajria" e Jakovës, "Gjaku i Arbërit" i Krajës, "Njollat e murrme" të Jeros, "Prefekti" i Levonjës, "Gjëmimi i atij dimri" e Laços, "Drama e një partizani pa emër" e Arapit e ndonjë tjetër, kryesisht mbi tema historike, që e siguronin më kollaj mbijetesën e veprës. Pyetja jote ishte mbi dramaturgjinë deri në vitet '90 dhe unë fola vetëm për të… Moria e dramave që flaka poshtë, në e kënaqte pijanecin, që përmendet në sanskritisht, nuk e di, por e dij mire që nuk kënaqte ata që ishin esull!…Eh, i dashur Ylli, pas kësaj, nuk e mora vesh se cila ish më e gjatë, pyetja jote apo përgjigja ime?

Y. Më kujtohet, që në atë kohë teatri i Fierit, si dhe teatri i estradës i po këtij qyteti, konsideroheshin si trupat më të sukseshme. Sot, si e shpjegon ti këtë sukses. Çfarë gjete ti mes aktorëve të këtij teatri, dhe çfarë gjetën ata tek ti?
P. Kur u themelua teatri i Fierit, unë po vuaja, në mënyrë të pashpjegueshme, një dënim pesëvjeçar, që filloi nga nxjerrja e gurëve në gurroren e Shashicës e mbaroi me riparimet e balestrave, poshtë kamionave të vjetër të erës staliniane në Parkun e NSHN Vlorë. Miku im Leka Bungo qe thirrur nga Vlora në krye të Teatrit të Fierit, bëri ç'ishte e mundur që unë të largohesha nga puna në prodhim, ku më kishin shpënë pas një stazhi dy vjeçar në Teatrin dhe Estradën e Vlorës. Sugjerimet e Lekës i dëgjoi me vëmendje Ismet Cibaj, që si Sekretar në Komitetin e Partisë, mbulonte në Fier kulturën dhe artin. Veç Ismetit i duhej edhe dashamirësia nga Vlora, që ata të më lëshonin. E kjo u gjend tek nënkryetari i Ekzekutivit të Vlorës, Axhem Gjoni e tek Drejtori i NShN-së Qeverim Kushta, babai i futbollistit të njohur. I gjori Lekë, ia dolli në krye me përpjekjet e tij, të më shpëtonte nga puna e rëndomtë fizike, por ndërkohë filloi fshesa e hekurt për kuadrot me ndikime të huaja dhe ishte rradha e tij të më zinte vendin në punët fizike "në gjirin e klasës". Në Estradën e Fierit unë gjeta një trupë me artistë të mirë me në krye aktorët mbresëlënës Luftar Paja dhe Fuat Boçi, të cilëve iu bashkua dhe ime shoqe Xhuljeta dhe sidomos gjeta një publik artdashës, ku për shkak të përqëndrimeve të kuadrove të naftës, niveli i pergjithshem ish ngritur dhe bëhej një jetë kulturore mjaft e fisme. Më pas, për ne atje, fati e vërtiti mbarë dhe aty qarkulluan Teodor Laçon dhe Pipi Mitrojorgjin, i cili në postin e zënë më parë nga Cibaj, u bë një mbështetje e rëndësishme për të gjithë teatrin e sidomos për mua, që kisha nevojë më shumë. Në këtë periudhë u bënë dhe hopet në trupat profesioniste. Unë vija nga prodhimi me repertor të freskët, të punuar netë me rradhë në kokë gjatë vetmisë sime. Natyra e aktorëve që gjeta dhe atyre që afrova më pas, ishte e përshtatëshme. Parë tani nga largësia e viteve, mendoj se suksesi ynë ishte graviteti i temave që sillnim në sofrën e repertorit, si në teatër ashtu edhe në estradë. Ambicjet e artistëve të talentuar për të bërë një emër të mirë u bashkuan me të mijat dhe me kalimin e vështirësive, në përplasjet me memurët e "qentë-roje" të vijës së partisë, autoriteti im u rrit dhe ma bëri punën më të lehtë. Përveç se shkruanim vetë, Laçoja dhe unë, e drejtuam vëmendjen nga shkrimtarët e afirmuar. Me trupën e teatrit unë realizova një antologji me humorin e D. Agollit e cila pas shfaqjes në TV na solli përgëzimet e Enver Hoxhës. Më pas menjëherë realizova një të re me humorin e Musarajt që gjeti pëlqimin dhe lavdet e Mehmet Shehut, i cili pat ardhur të shihte tok me të shoqen premierën tonë. Kushdo në Francë dhe ShBA, do të qeshte me këto hollësira, por jo ne. E kur nuk qeshet, kuptohet se ç'hapësirë u krijua më pas për mua.

Y. Aktualisht teatri i Fierit, ashtu si dhe shumica e teatrove të tjerë, ndodhen në një gjendje të mjeruar, në të gjitha drejtimet. A mendon se një ndër shkaqet kryesore të kësaj gjendje të teatrit të Fierit ishte largimi yt? Apo…

P. Njeriut, - edhe pse ligësisht, - i përkëdhelet sedra kur ia lidhin lulëzimin dhe rënien me praninë apo largimin e tij. Por, kjo nuk është aspak e vërtetë! Shkaqet janë më të thellë edhe më të përgjithshëm. Dhe janë shpjegim kyç për krizën edhe në teatro të tjerë të periferisë.

Y. A mendon se do të kthehesh një ditë atje? Apo tani është tepër vonë?
P. Në Fier? Shumë burra të mençëm thonë: asnjëherë mos u kthe atje ku të mbajnë mend për mirë! Po të jetë më e përgjithshme pyetja jote, atëhere do të të tregoj se në tetor 2002 u ktheva, me mendjen e shumicës, së cilës punët në emigracion nuk i shkojnë mirë. Ata ruajnë një faqe të lumtur dhe nuk i thonë kurrë hapur planet e vërteta. Dhashë një intervistë, në të cilën paralajmëroja, se kisha ndërmend të kthehem, pasi emri im kish një farë vlere relative vetëm në vendin që kisha lënë. Dhashë të nënkuptohet bile dhe të mbikuptohet, se do të vlerësoja ofertat që do të më siguronin atë me çfarë do të jetoja. Asnjë ofertë! M'u duk sikur aty nuk kish se kush të ofronte. Aty nuk kishin nevojë për mua. Por kjo nuk ishte përshtypja më dramatike. Më dramatikja ish se aty politikanët bëjnë deklarata keqardhje, për njerëzit që largohen, por një skalion i fshehur i tyre dhe nën urdhërat e tyre, punon ditë e natë që Shqipëria të boshatiset. Le të qërrohen e t'ia mbathin tërë këta kontigjente të mundëshme protestuesish! Nga sytë këmbët vafshin ata që mund të hapin telashe sado të vogla qofshin! Klasa e mbipasuruar politike nuk e ka fare problem, se nga vendi largohen mjekë të talentuar: masat mund të kurohen dhe dosido, kurse dollarëve të Zotave shqiptarë u hapet dera e çdo klinike sado e shtrenjtë në Perëndim! Le të ikin arkitektët, mësuesit, inxhinjerët, shkencëtarët, artistët. Cdo gjë mund të tiganiset fare mirë me ata që mbeten dhe nga ata që kanë mbetur, të mirë gjenden plot. Të rrinin dhe ata që ikin, do të ishte akoma më mirë për Shqipërinë. Por e mira e Shqipërisë, nuk është preokupacioni, nuk është objektivi i klasës së politikanëve në krye të saj.
Këto ditë, në fund të rubrikave të lajmeve, lexonja një lajm tronditës, i cili megjithatë ishte vënë në një nga faqet më të parëndësishme të kronikave: në disa qytete, para zyrave pushtetore kish shumë protestues që kërkonin dokumenta, letra njoftimi e pashaporta me emrat e rremë që kanë mbajtur ata për nevojë në Greqi. Të tërë e shohin seriozisht hallin e tyre. Të mërguarit në Greqi, në një mënyrë a në një tjetër do t'i marrin ato dokumenta, me emra të tjerë, me fe tjetër e kombësi tjetër, ashtu siç i nevojiten Greqisë dhe askush nuk ve kujen. Në fund të fundit i vetmi front i gjërë pune, e vetmja industri që kanë hapur zhvilluar e lulëzuar qeveritë shqiptare, është industria e emigracionit. Pjesa më e madhe e oksigjenit që i vjen mushkërive të vendit, fryn që andej. Tentova përsëri më pas… Mendova se tani në moshën e pensionit, mund të kthehesha, bile në fshat. Shtëpinë ku kam lindur, zyrtarisht e kam të rikthyer, por ajo është e zënë, e okupuar dhe një ushtri e tërë ushunjëzash, juristësh, e teknikësh e zvarritin nëpër gjyqe. Thithlopat gjykatës dhe avokatë një herë ma japin mua, njëherë zaptuesit, pastaj çështja kalon në apel dhe apeli ia kthen për gjykim përsëri shkallës së parë. Ajo ma jep tani mua dhe zaptuesi e kundërshton në apel… Dhe ju e kuptoni më tej historinë...
Pensioni im është 100 dollarë, me të cilat unë mund të jetoj në atdhe vetëm 3 ditë.
Duke qënë se për mua, Ministria e Kulturës organizoi bukur dhe me mjaft reklamë një koncert festiv e mirënjohës, kur kisha 60 vjetorin, - gjë për të cilën Ministria e Kulturës dhe kolegët artistë kanë marrë falenderimet e mia të sinqerta, - një specialist i pensioneve më sugjeroi të kërkoja pensionin e veçantë, atë shtesë që u jepet disa njerëzve që kanë punuar gjatë e me merita në fushat e tyre. Procedura qe thjeshtuar mjaft. Kërkesa bëhej nga vetë personi, Kryetarit të Bashkisë. E paraqita në Fier. Zotit Kryetar i vjen zor të thotë jo dhe nuk e merr në shqyrtim fare. Kjo mund t'i paraqitej direkt dhe Kryeministrit. U ula të pija një kafe me Këshilltarin e z. Nano, i njohuri im i vjetër në fushën e letërsisë dhe në shtypin pasdiktatorial, Agim Isakun. Ai ma quajti të arsyeshme dhe plotësisht të realizueshme kërkesën dhe kërkoi ta formuloja e t'ia jepnja në dorë vetë Agimit, që ta përcillte. Njëqind arsye burokratike e bënë zotin Isaku, të mos takohej më me mua dhe në ditën e rikthimit në Neë York, e njoftova se kërkesën ia lashë në një zyrë afër tij. Të them të drejtën, mendoja se zoti Nano kish njëmijë arsye ta hidhte poshtë, daç nga që do gjykonte se nuk e meritoja, daç nga ndonjë mllef kundër ndonjë shkrimit tim… Më mbante shpresa se, së pari nuk ka shkrim edhe më të thekur se ata të mijtë, që ta trondisë njeriun që ka tani në dorë fatet e vendit… E dyta, që zoti Nano, as mund të ketë begenisur t'i lexojë ata shkrime dhe hëpërhë kjo do të më vinte për mbarë. E treta, mund të kish ndodhur, që t'i kish lexuar dhe besnik natyrës së tij, mund të qëllonte në hënë të mbarë dhe të ma flakte pensionin e veçantë turinjve! Por, që kjo punë të mos bëhej, para Kryeministrit, ishin kujdesur këshilltarët e tij, të cilët i kishin frikëra, ato që unë i kisha shpresa. Si përfundim, unë telefonova tek ata miqtë që kanë 4 muaj që mbajnë kërkesën time për t'ia dorëzuar Isakut dhe u thashë ta grisin atë. E ata nuk e patën zor ta kryenin këtë detyrë. Unë pastaj i dërgova poetit, shkrimtarit dhe këshilltarit Agim Isaku që nga New York-u një letër të shkurtër me një frazë të vetme: "Iiiii, sa turp!" Kështu që, i dashur Ylli, ti duhet ta formuloje ndryshe pyetjen: kur ke ndërmend të shkosh të vdesësh urie në atdhe?
Dhe them se folëm mjaft për dramaturgjinë kombëtare. A kalojmë tek komedia? Si
mendon ti, përse e duan aqe shumë komedinë, shqiptarët?

Y. Sepse humori ka qenë dhe është për ato një lloj "emergency exit " Kjo dalje që jo rrallë herë i ka shpëtuar nga situatat absurde, ku kanë qenë të detyruar të jetojnë. Aktualisht, kur situatat dhe personazhet nuk mungojnë, (mjafton që t'i hedhesh një sy gazetave), ç'bëhet me komedinë shqiptare?

P. Mendoj se ajo ka kohën më të mire për të lulëzuar. Në truallin arbëror gjendet sot plot lëndë për komedinë e situatave dhe të karaktereve. Situatat të vijnë tek porta porsa gati gjysma e shqiptarëve përdor për nevoja emra të rremë, datlindje e vendlindje, që s'janë të vërteta, figurojnë të martuar pa qenë hiç ashtu dhe paraqesin diploma universiteti, kur edhe të mesmen e kanë lënë përgjysëm. Portretet e politikanëve tanë janë fantastikë: për mashtrimin, spekullimet megallomaninë, dyfytyrësinë, populizmin falls, për kërcimet nga një parti në tjetrën, nga një aleancë në tjetrën dhe për deklaratat e kundërta me ato të shprehura një vit më parë. Më treguan që një nga politikanët tanë kryesorë, kish vajtur në festën e ditlindjes së nipit dhe paskësh thënë: "Urime, tani demokracisë shqiptare iu shtua dhe një votues!" E para gjë që i kish vajtur në mend për nipin 18 vjeçar! Gjithë sa thashë për bukën e komedisë është mjell i cilësisë së parë. Aq më tepër që komedia është zhanri më i dashur, jo se spektatori e preferon atë më shumë, jo se shqiptarët duan më shumë të qeshin, jo se ata janë mëndjelehtë. Por sepse janë më të pakënaqurit, më të mashtruarit dhe komedia i ndihmon të hakmerren në një farë mënyre. Ju shikoni se sa efekt kanë disa rubrika satirike nëpër kanalet kryesore televizive! Dhe nuk duhet mohuar aspak që satira e ka rrugën më të lehtë tani në periudhën pasdiktatoriale. Realiteti shqiptar, këtej e 50-60 vjet, ofron më shumë qesharakëri se heroizëm dhe idealizëm. Mashtrimi është lëndë e ditës dhe ky mashtrim është kaq i trashë sa i fyen njerëzit. Spekullimi me premtime madhore, me nderimet e të vrarëve të shumtë që s'u gjendet dora e vrasësve, spekullimi me çështjen kombëtare, me demokracinë e të tjera, ka lulëzim të plotë. Shqipëria sot është vendi më ideal për të jetuar, po të mos kesh para që bien në sy. Është vendi më i përshtatshëm, po të mos kesh asgjë për të kërkuar e sidomos po të mos kesh ankesa.
Unë e dij që këto kohë janë shkruar disa komedi të cilat nuk i kam parë. Për sa më
takon mua, unë i kam disa projekte dhe dy prej tyre shpresoj t'i realizoj këtë vit.

Y. Nëse dikush të pyeste se ç'eshtë arti i regjisurës, çfarë do t'i përgjigjeshe?
P. Arti i regjisurës është mjeti themelor me anë të të cilit figurshmëria, emocionet dhe idetë e pjesëve theatrore, spektakleve dhe produkteve kinematografike, përcillen tek spektatori. Regjisori është, siç thashë, artisti bazë, është ai që merr përsipër peshën më të rëndë në ndërmarjen e përgatitjes së veprës. Është ai që ideon, harmonizon dhe drejton bashkëpunimin e shumë artistëve të tjerë, që i duhen atij për të realizuar veprën e për ta shpënë atë të trokasë në vetdijen e spektatorit. Ai është nyja lidhëse, ku vijnë e bashkohen të gjitha prurjet e shkrimtarit, arqitektit, aktorëve, kompozitorit, ideatorit të kostumeve, makiazhorit. Ndodh që shumë nga këta bashkëpuntorë as e njohin njëri tjetrin, edhe pse punojnë për të njëjtën vepër. Regjisori futet, sipas fazës, në marrëdhënie me ta, i frymëzon, u shfaq përfytyrimet e veta dhe kërkesat që ka për sejcilin nga gjinitë. Në këtë drejtim regjisori është artisti më i shumanshëm, që përmbledh në vetvete të gjithë këto gjini bashkëpunuese arti. Ai është në të njëjtën kohë familjar me artin e dramaturgjisë, me atë të pikturës, kostumografisë, muzikës, baletit, me artin e aktorit dhe të makiazhorit. Ai njeh dhe podiumet litarët, pneumatikën, me nje fjalë teknikën e skenës dhe mundësitë që ofron ajo. Njeh teknikën e ndriçimit dhe të efekteve zanore. Nuk ndodh që të jetë i shquar në tërë këta komponentë. Në disa prej tyre mund të jetë më profesionist dhe në disa të tjerë më pak. Për vete psh e ndjej që punoj më mirë me stofin letrar dhe me figurën aktoriale. Jam më pak frymëzues për ata që më përgatitin dekorin dhe prurjet koreografike. Pasi bëj të ditur nevojat funksionale, ngazëllej mjaft në këto prurje, kur ato janë të goditura, por më shumë miratoj se udheheq. Pra perfundimisht, regjisori është artisti më i lidhur me publikun, paçka se kjo lidhje nuk është kollaj e kapshme. Dhe, - thjesht është për të qeshur dhe jo ndonjë fatkeqësi e madhe, - ndodh që masa e gjërë e publikut, nuk e sheh, nuk e njeh dhe nuk merret me vlerësimin e regjisë.

Y. Ti, si e përcakton veten: më shumë autor apo regjisor?
P. Le ta quajmë "një regjisor që bashkpunon shkëlqyeshëm më autorin, nga që është i njëjti njeri"!.. Por që t'i përgjigjem seriozisht pyetjes, do më duhet të them se unë nuk e di ku fillon tek unë regjisori dhe ku mbaron autori. Shumë kolegë regjisorë, mua nuk më quajnë regjisor të plotë dhe kanë të drejtë se unë kam të meta plot. Ata më quajnë ama, autor të zotin. Shumë kolegë dramaturgë, më ngrejnë në qiell si regjisor dhe më rradhisin boll të meta si autor. Dhe kanë të drejtë se dhe unë vetë i njoh e dua të eliminoj disa prej atyre të metave. Por që të dy palët në tërësi gabohen. Unë jam i ngatërruar dhe, me sa duket, do të shtyhem kështu derisa të vdes, pa hyrë me të dyja këmbët në njërën nga shoqatat.

Y. Fole për të meta që dhe ti i pranon se i ke… A mund t'i dijmë?
P. Jooo! Në asnjë mënyrë!

Y. Nuk do që t'i zbulosh?

P. Ato të zbuluara janë. I ka thënë kritika. I thonë miqte. Unë nuk kam qef t'i hymë atyre, se biseda m'u duk disi festive dhe tani, befas…

Y. Jam kurioz të di, cilët elementë të spektaklit shfaqen në fillim në përfytyrimin tënd? Dhe kur, tek ty, shfaqja fillon të marrë jetë?
P. Varet nga lloji i shfaqjes. Në fillim mund të të vërtitet në qiejt e trurit, heroi kryesor, skena kulmore, skena më e rëndësishme masive ku konsumohet konflikti bazë… Nuk gjendet as një rregull themelor dhe asnjë udhëzim i përgjithshëm. Mua, që shpesh më takon të shkruaj pjesën, më takon ta shoh me sytë e mëndjes duke u zhvilluar dhe kjo udhëheq dhe fjalët e replikat e personazheve. Pra unë bëj një përshkrim të përbashkët viziv dhe auditiv. Duke e konkretizuar, mund të them se në vënien e "Dy krismave në Paris", u dashurova me shpalosjen vizive të dokumenteve të njohur fotografikë, jurinë gjyqësore, togat e gjykatësve, sallonet e Parisit, Tiranën e vjetër, të cilat nxitoja t'i shfaq më parë në një ekran paralel dhe i konkretizoja pas hapjes së perdes. Pra i riprodhoja ato. Më dukej se sa më shumë që spektakli dhe drama të kishin karakter dokumentar, aq më të mëdha do të ishin emocionet. Dhe nuk u gabova. Nuk kam shifra krahasuese për spektaklet e Teatrit Kombëtar, por në një vend si Fieri, mbetet rekord një dekor i palëvizur për 54 netë shfaqjesh njëra pas tjetrës. Dhe mendoj se trajtimi i dramës duke i ndenjur besnik dokumentit, dha rezultate fantastike. Unë nuk do të harroj kurrë planifikimin e biletave për "Dy krismat", dy-tri javë përpara, nuk do të harroj kurrë spektatorët e shumtë që na vinin nga Vlora dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre me trenin e fundit pas mesit të natës. Nuk do të harroj ata dy spektatorët që mbërritën pasi qe mbyllur dera e qe hapur perdja e ata, përtej xhamave të portës kryesore, më tregonin letërnjoftimet që vërtetonin se ishin libohovitë dhe kishin ardhur posaçërisht pa pyetur më parë në se do të gjenin bileta, apo jo! Fokusimi im që kur konceptohej spektakli, kishte qënë pra rezultativ. Në dramën "Baladë për një grua" të Dritëroit që në fillimet e saj unë shihja skenën finale, ku personazhja kryesore e konfliktuar dhe e divorcuar me burrin e saj, e mbron po këtë ish bashkëshort, fisnikërisht! Kjo skenë vëritej në vëmendjen time dhe kjo më shtyu që edhe skenat e konflikteve me të shoqin më parë se skena finale, të ishin të ashpra, të ftohta dhe të egra. Të tëra në dobi të skenës finale! E kjo bëhej për një vepër që pat meritën të shtronte atëhere temën e fisnikërisë shpirtërore, përmbi imponimet ideologjike në marrëdhëniet e shqiptarëve gjatë sundimit të egër enverian.

Y. Si punon me aktorët? Çfarë kërkon në fillim prej tyre?
P. Unë u kërkoj atyre që të dashurohen me idetë dhe me projektin tim.Sapo arrihet kjo, atëhere bazat e bashkëpunimit janë siguruar. Unë e ndjej që aktori ka nevojë të ushqehet, të frymëzohet dhe ta ndjejë ngrohtësinë time. Atij(asaj), i bëhet e qartë se fatet tona janë të lidhura pazgjidhshmërisht, se suksesi im është përqendruar tek suksesi i tij(saj). Konfliktet me aktorin duhen përjashtuar dhe ata e shumta mund të shtrihen në fushën e disiplinës formale. Unë e ndihmoj atë që të ndërtojë platformën e interpretimit: zhvillimin e interpretimit dhe pikën kulmore të shpërfaqjes së rolit, e cila pikë kulmore nuk është detyrimisht në pikën kulmore të shfaqjes, që është parashikuar në platformën regjisoriale. Aktorët janë mjaft të ndjeshëm. Në më të shumtën e rasteve shpjegimet dhe vërrejtjet për ta duhet të bëhen larg e veçmas të tjerëve. Përmirësimet duhen të shihen vetëm si rezultat i punës së aktorit dhe jo meritë e punës së regjisorit me të. Përpiqem të mostroj sa më pak dhe e bëj këtë vetëm kur e ndjej pazotësinë e shpjegimeve të mija.
Këto përgjigje e shpjegime i bëj unë… Por po të pyeteshin aktorët, unë shpresoj se ata do të thonë se këto janë të vërteta, se kjo ka qënë saktësisht praktika dhe jo një teori e pazbatuar. Regjisori duhet të vdesë prapa aktorit dhe dora e tij nuk duhet të shihet as në prova as në shfaqje. Në fund të fundit aktori është maja e mprehtë e diamantit që shpon dhe prek zemrat. Këtë rradhë unë jam plotësisht me masën e madhe të publikut që nuk e njeh regjinë. Le të duartrokasë aktorin dhe le të vrapojë tek ai, të fotografohet me të apo t'i marrë autografin. Nga duart e aktorëve vijnë gurët në ngrehinën e personalitetit të regjisorit.

Y. Ç'është për ty një aktor i mirë?

P. Aktor i mirë është ai që beson tek ty, që nuk përton të të vijë pas në kërkesat e tua, që të bezdis vazhdimisht duke kërkuar, që vuan dhe drithëron tok me ty. Unë këtu nuk po flas për aktorë idealë, po për aktorë që gjenden në orbitën tënde. Ai është i mirë, për deri sa puna e ka sjellë në orbitën tënde, përderisa ti i ke besuar rolin. Ai praktikisht është i mirë që në nisje. Unë më shumë flas për bashkëpunimin, se sa për aktorin në përgjithësi. Një tip i tillë aktori psh. për mua ka qenë Fatos Sela, shëmbëlltyrë e përkushtimit, e kokëunjësisë megjithë bagazhin e pasur që zotëron nga natyra dhe puna e palodhur e tij. Në estradën e Fierit përqindja e aktorëve të mirë ishte më e madhe, por përfaqësimi im më i shquar, pa dyshim është bërë me talentin e Luftar Pajës, për të cilin besoj se së shpejti do të flas gjatë. Bashkëpunimi me të ishte shumë i veçantë nga pikpamja e përjetimeve të përbashëkëta, por sidoqoftë qe një bashkëpunim i përsosur dhe frutdhënës. Unë Luftarin e shihja në rol që sapo vija para vetes një fletë të bardhë dhe hapja kapakun e stilografit. Dhe ai e dinte këtë. Unë atij i detyrohem shumë në karrierën time regisoriale dhe në atë emër të mirë që thuhet se kam bërë në fushën e humorit dhe satirës.

Y. Gjatë provave e deri në natën e premierës, cili është shqetësimi yt më i madh?
P. Janë të shumtë dhe të ndryshëm. Fatkeqësisht shqetësimet më të mëdha, që kam patur unë deri tani, kanë qenë shpesh edhe më banalët.

Y. Ç' është për ty një shfaqje e realizuar?
P. Shfaqja që i ka të gjithë komponentët, - pjesën, aktorët, dekorin dhe aksesorët ndihmës, - në lartësitë e tyre më të mira dhe që zgjon interesin e të gjithë shtresave. Një shfaqje me publicitet dhe me plot kritika të favorshme, apo edhe një shfaqje që ndiqet shumë nga spektatorët mund të mos jenë nga ato që quhen të realizuara.

Y. Brehti thoshte se duhet të "futbollizojmë" teatri. Si regjisor dhe amator i futbollit, si e kupton ti këtë shprehje të Brehtit?
P. Dëshirë e bukur por pothuaj e parealizueshme. Futbolli është diçka tjetër. Në të disa here gjen elementë dramatikë, kurse teatri ka pak nga tiparet e shfaqjeve futbollistike. Dramaturgu i shquar e shihte me zili dyndjen popullore në stadiume. Në teatro këto vërshime nuk janë as të realizueshme dhe as me vënd. Vetë Brehti dhe dramaturgjia e tij e shquar, ishin larg lakmisë së masave që ndjekin futbollin. Dhe ai nuk mundi ta realizojë këtë ëndërr.

Y. A egziston regjia në futboll dhe në politikë, nëqoftëse po, ku dallon ajo nga regjia e teatrit ?
P. Natyrisht. Përderi sa ka detyra, përderisa ka platforma, konflikte, skena masive,
politika dhe lëvizjet politike nuk jane pa regji, pavarësisht në quhet apo jo kështu, drejtimi i një shoqërie, partie apo bashkësie. Elementë që i komunizojnë regjitë, ka plot. I vetmi element, që nuk e takon kurrë në një finale të botërorit apo në politikë është që mungojnë provat gjenerale. Nuk bëhen prova, para se të rrëzohen, fjala vjen, monumentet!
Pellumb Kulla


Ca kohë pas dërgimit të eshtrave të Konicës nga Amerika në mëmëdhe, mbi gropën ku zunë prehje ato, u ngrit një bust i Faik Beut dhe më pas akoma, busti u gjet me hundë të thyer nga një mjet i fortë. Njeriu u gjet, bile u zu me presh në duar, po unë nuku arrij ta shpegoj dot, se përse autoritetet shqiptare nuku bënë fare shamatë.

Njeriu që i thevi hundën Konicës, ishnja unë…
Që ta zemë me rradhë, një ditë në Boston, thashë një gjë me mënd, që mori dhenë. Bëhej mbledhja e shoqatës "Mërgimtarët e burgosur nga diktatura". Nuku zgjidhmim dot kryetarë. U ngrita.
- Ah, bre, të mira janë këto nënat shqiptare, të mira, - thashë unë atë natë, - por kanë veç një të metë: pjellën më shumë kumandantë se ushtarë!
Më rrëmbyenë krahë e këmbë e më hodhnë përpjetë për këtë llaf të mënçur. Nuku më linin të binja përdhe.
- Thuaje - prapë! Thuaje - prapë! - më thoshnë në kor.
E unë, përmbi krahë, që nga maja e tavanit: "Të mira janë nënat…" Ata tund e shkund. Or po edhe e deshnë ta dëgjonin e nuku më linin ta mbaronja. Herë arrinja gjer tek "e meta", herë tek "e pjella", por te "ushtarët" nuk arrita dot më.

Të nesmen më lajmëruanë, që e thëna ime e famshme kish dalë në gazetën, që kemi këtu. Nxitova ta ble. U hoqa më një qoshe edhe e hapa. Desh më duallë kokërdhokët e syve! Gazetari, që më kish rrahur shpatullat bile, e përshkruante mbledhjen tamam, tregonte si qenë kacafytur kandidatët për kryetar dhe pastaj u hiqte një dru të mirë: " Nënat shqiptare kanë veç një të metë, se pjellën më shumë kumandantë se ushtarë. Mirë e ka thënë këtë i madhi Faik!"
Pikë e zezë! Ç'ne Faik! Një mik i ditur, më sqarovi që bëhej fjalë për Faik bej Konicën, që gjer dje i kish koskat këtu në Boston. Ay më këshillovi të mos kruhesha me Konicën!
- Po këtë e paska thënë bukur, - më tha, - këtë të nënave, që pjellën…
- Po, e thashë unë bre!.. - i kundërshtova.
- Thirri bre Peço mëndjes e mos u bëj gaz i botës, - më ra me noçkë në
ballë. - E ke lexuar Konicën-o? Jo! Ç 'tregon kjo?!
- Kjo tregon që është e imja. Ce unë e thashë!

Fillova të mendohem. Mos e kishnja dëgjuarë gjëkundi e nuk e mbanja mend?! Mos e kish thënë dhe ay? Gjersa shqiptarët i njihte si unë!… I hyra Konicës e ia lexova tëra ç'pat shkruarë: asgjëkundi nuk e kish thënë!
E bukura qe, se që nga ajo ditë gazetat në Shqipëri, një e dy e atë shprehje përmendnin. Thuhej se ajo frazë e Konicës qënkej zbuluarë tamam në kohë, ce vendi qënkej bërë pëllëmbë e parti.
Tëmën e sëmës! Një jetë të tërë në mëmëdhe, Konicës nuk i qe dhënë leja t'i përmendej asnjë nga fjalët e mençme që pat thënë, kurse tashi, pa e vrarë shumë tutkën, i lidhnin në qafë dhe kravata që s'ishnë të tijat.

Vendosa ta le. Le ta marrë Faiku atë thënie. Ku rafsha, mos u vrafsha! Unë një copë shofer ishnja, se mo ishnja unë donjë shkrimtar! Ku do ta botonja unë atë mendim! Kini parë juve vepra me një fletë, sa një letër cigari!
Po, gjene, sapo e dëgjonja, që ngrinin në qiell Faiknë për një përcaktim të saktë që kishnja bërë unë, fap, më kërcente delli! Po ce o, në p.. të sëmës, Konicës po dhe mua nuku ma pranonin?! Ce, demek, nuk paskësha thënë donjë fjalë tjatër të mënçur më parë! Po kohë kishnja-o, mund të thoshnja të tjera më vonë! Ose, nuku do thoshnja më xhanëm, por do shkonja me të shumtit dhe mjaltit të mënçurisë mbi natyrën e shqiptarëve, nuk do t'i kishnja lënë veçse këtë pikëzë… Nuku mundej-a? Po ce…

Kjo dava zgjidhej vetëm në Tiranë. Kështu që kur mora lejën, putha Rezin dhe fëmijët dhe i hipa aropllanit.
Tëra gazetat i gjeta tek përmendnin fjalën e mënçme, të zbuluarë vonë, të Konicës. Sidomos njëra e vinte atë shprehje për ditë në krye të një faqeje, që botonte mbi rilindasit.
Unë vendosa e i vajçë shefit të asaj gazete. Se më një vend do t'i nisnja qarjet e mia, de! Kushedi se ç'i kishnë thënë për mua drejtorit të gazetës! Mbase i lojtur, mbase me vidha mangut. Ay priti sa hyra unë dhe fap! - një kobure që kish aty mbi tryezë e fshevi në sirtar. Ce, mbase, do t'i duhej…
As "ulu", nuku më tha, po më la aty si shtyllë trafiku. Më shihte të tërin nga koka te këmbët. Më pyeti tutje e tëhu dhe pastaj m'u këthye nga e para:
- E çfarë ke thënë ti?
- Ja, …atë! - i thashë ca me ndrojtje.
- Cilën? - bërtiti e seç trazovi aty në sirtar.
Mua m'u tha gjuha në gojë.
- Ja atë… që nënat tona pjellin më shumë kumandantë..!
- E ke thënë ti…! - e shtrembërovi gojën, me një lloj përbuzje vrastare.
- Unë! - i thashë dhe ngrita mjekrën me një lloj krenarie kombëtare.
- Po ta ha mëndja, ta thuash ti, këtë perlë?!
- Perlë-perlë! Ja që më erdhi kështu, edhe e qita… E ajo mori dhenë!


Ay u hodhi një sy nja tri buzëkuqkave që kish në zyrë e që një e dy e përpëlitnin qepallakat. Ato dukshin si të fryra, por ama të qeshnin hapur, kishnë frikë, megjithëqë shefi i tyre, e mbante dorën te sirtari.
- Sa vini në Amerikë, cave pe juve, ju mbushet mendja se bëheni
rilindas… Demek ti, na qënke kllaaa- sik!
Unë më parë u përmbajta se u ofendova.
- Klasik të gjallë s'gjen, - ia këtheva dyke vënë të dy duartë te rripi i
mesit, blerë një portorikani, në një trotuar të Broduejt, - po i thoni atij, klasikut tuaj të vdekur, të ruajë dhenkat e tij, ce këtë dashnë tem unë do ta ruaj vetë!


Atë pasdite këmbët më shpunë te përmendorja e Beut. Tre katër ustallarë po bënin punime rreth piedestalit. Konica në mermer, tërë dëngla, e mbante vështrimnë përpara, sikur kish turp të më shëkonte në sy.
Një punëtor erdhi ndezi cigaren te mua. Më tha se te balli i piedestalit, po i gdhendnin një shprehje madhore: "E meta e nënave shqiptare: lindin më shumë kumandantë se ushtarë!" Më tha që kjo bëhej me vendim të Ministrisë së Kulturës.
Ktheva dhe e pashë në sy Faiknë. Hiç, ay! Mermer! Gjoksnë përpara dhe vështrimnë drejt historisë!

- Dëgjoni, - u thashë punëtorëve. - Mos shkruani gjë njëherë, sa ta zgjidh këtë çorape! Ato fjalë që po gdhendni, i kam thënë unë!
- Do të qërrohesh që këtej? - më tha njëri nga maja e piedestalit, - apo të
hash donjë ****ë sqepari?!
Dhe i dolli përpara Faikut, sikur unë të paskësha nxjerrë kallashnikovë. U
duk sëkur Konica i dha një të shtyrë me hundën pe mermeri dhe ustaj u gjend në mes të llaçit. U bë helaq. E tërë inatnë ma nxuarrë mua. M'u sulë, më vunë poshtë e më rrahnë mu përpara Beut të Konicës. Ata pagushin me orë pune e më mbajtnë shtrirë gjer sa u mbarovi dita.
Ay, kllasiku pe mermeri as e prishi terezinë. Sëkur nuk ish fare aty, ay!

I zura pritë ministrit të Kulturës. Dy ditë, rresht! Të tretën, e zura kur po hipte në veturë. Nuku kishnja takuarë donjë ministër më parë. Zemra bap-bap!
Pasi dëgjovi shpegimet e mia dhe të nëpunësit që i rrinte pas, m'u këthye:
- Me se merreni?
Unë u gjenda ngushtë. Do t'i thosha tashi që vinja pe Amerike, ku punonja shofer në një kompani taksish. Por ai, burrë i mirë, më ndihmovi:
- Merreni me punë mendore, keni donjë biznes tuajin?
Unë bëra "s'kam" me kokë.
- Ku banoni? Keni shtëpi? Familje, prona …

Pyeti për tërë të tundshmet e të patundshmet. Mua m'u këput koka së bëri
"s'kam". Zotëria nuk e humbi durimnë.
- Merreni me shkrime? Keni donjë lloj vepre në qarkullim?
- Ja vetëm atë kam unë, - i thashë, - atë të nënave, që… qumështin e
nënës po më nxjerrin! Këtë kam unë në qarkullim e kjo po qarkullon ca si shumë.
Ministri ngrysi vetullat. Badigardët dhe shoferi avash avash e afruanë nga një dorë te të çarat e xhepave të djathtë. Zyrtari i lartë u buzëqeshi për t'i qetësuarë.
- Kjo, në fakt, është shprehje tipike e Konicës, - tha ministri. - Kjo thënie e tij gjeniale, nuk mund të gjente eko më të mirë, se në ditët e sotme! Në një konferencë shtypi, këtë shprehje, e citovi Presidenti… Në Parlament, e zuri në gojë Kryetari i Opozitës. E duhet ta ruajmë këtë mjaltë të mënçurisë kombëtare… Jo kushdo, mund të thotë gjëra që gdhenden në mermer!


Dëgjova badigardët që me radio njoftonin qendrën: - Po nisemi. Ministri e sqarovi qytetarë! - Njëri pe tyre më futi krahnë, ashtu si miqësisht, shoferi i hapi derën ministrit e vetura mori udhë.


Në darkë, te përmendorja e Konicës, unë isha tapë. Nuku mbaj mënd se ç'kam nxjerrë nga goja, veç në një çast, qita një çekan dhe i theva hundën Beut.
Po Konica, sado pe mermeri, paskej patur edhe ai badigardë. Kalova dy netë në polici. Aty pashë në televizor, një nga ato buzëkuqkat e informacionit, e cila qe vendosur para bustit pa hundë e jepte çdo orë lajmnë:
- … Në policinë e krimeve mendojnë të jetë i sëmurë psiqik ay taksisti i
ardhur nga Amerika, që i ka thyerë hundën Konicës, duke u qarë se rilindasi i ka përvetësuarë thënien njohur, lidhur me nënat tona burrëresha të bjeshkëve, stërmbesa të suljoteve që lindin kumandantë… Në Akademi të Shkencave na thanë, që as mund të diskutohet autorësia mbi të, e personalitetit tonë të shquarë. Akademikët vërtet nuk e gjejnë dot me saktësi se kur dhe ku e ka thënë, por po e kërkojnë dhe do ta gjejnë atë, pasi dihet që regjimi i egër komunist, për pesëdhjetë vjet, u mundua ta fshehë dhe ta asgjësojë trashëgiminë e Konicës. Akti vandal i goditjes me çekan në hundë, është tipik për mitomanët…


Dhe buzëkuqka e informacionit lidhej herë me spitalë psikiatrik, herë me
maternitetnë, ku mbaheshin ca bebe të shëmtuara me hundë të rrjepura, si pyperka të kuqe. Po t'i vinje re nga shalëkat dhe bibilushkat mes tyre, të porsalindurit ishnë zgjedhur apostafat meshkuj, që mendja të të shkonte te strategët e ardhshmë ushtarakë.


Pamjet me bustnë e Faikut nuku rreshtnin. Shiu që binte dukej si çurg pe lotësh mbi faqet e bashkuara pa hundë. Hallemadhi dukej sëkur qante, i penduarë që erdhi në mëmëdhe, sëkur në ças do të zbriste pe piedestalit, do të merrte në një torbë koskat e tij e do t'ia mbathte për Rinas e që andej drejt e në Boston prapë…


Më shtruanë në psikiatri. Më tundnë e më shkundnë ato terapitë me rrymë elektrike, që, mos pyet! Tetë doktora hijerëndë shëkonin një kokëmushkë që perpelitej nën korrent e ta vrisje nuku hiqtë dorë nga avazi i tij: " ... më-ë-ë-ë shu-u-u-më-më-më-më ko-o-o-ma-ma-ma-ma-ndantë se ushta-ta-ta-tarë-rë-rë!"
Nuku arrinja dot t'i telefononja Rezit e t'i thoshnja që kisha paguarë groshnë e valles e tashi jepnja njëqind e pe valles nuku dilnja dot. Ç'ishnë dru e korrente, tërë mbi mua po provoshin!


Dolla pe spitali, po nuku kisha dërmend t'i rreshtnja përpjekjet.
- Hajde bre në shoqatën tonë, - më tha njëri kur i qava hallë. - Ne po
luftojmë për këthimnë e pronave, të zotërve legjitimë.
Më shpuri në një zyrë dhe u tha të më regjistronin.
- Ke shtëpi këtu? - më pyeti një burrë me regjistër të hapur.
- Nuku kam patur kurrë!
- Po toka për të marë?
- Asnjë pëllëmbë!
- Ke patur fabrika, punishte, hotele?
- Ncë,ncë,ncë! - unë.
- Po çfarë të kanë marrë ty? - u habit ay.
- Një frazë, - i thashë. - Është si është, është temja! Kam thënë që "nënat
shqiptare…."
- Le ta kesh thënë si të duash, vëlla! Ajo është prona jote. Dy pyetje të fundit: Pranon kompensim të një natyre tjetër, të përafërt, qoftë kjo në bregdet apo zonë malore?
- Jo mo, ç'malore?!..
- Kështu e ka formulari këtu!.. Pranon shpërblim në të holla, sipas
tarifave shtetërore në fuqi?
- Kurrë!
- Bukur! Firmos këtu ku thuhet, se për të marrë pronat, ne nuku do
përdorim dhunë dhe futu në mbledhje!

Atë ditë edhe ata do të zgjidhnin kryetarë e mbledhja m'u duk si ajo e Bostonit, si tëra mbledhjet, ku duhet zgjedhur në krye vetëm një. Një dhe një i vetëm! Mbledhja zgjati tetë orë dhe para votimit ma dhanë fjalën edhe mua, dyke më prezantuarë si përfaqësues të mërgatës nga Amerika. Teksa po flisnja, ay burri që më regjistrovi u ngrit e pa më prerë fjalën, më lëshovi mbi folëse përpara syve, një pusullkë, ku më shkruante me gërma të mëdha: "Kujdes, pronat s'janë bërë akoma tonat. Po shkelmë ligjet, shpjemë ujë në mulli të qeverisë!"

Nuku e kuptova ku e pat llafnë, po vazhdova fjalimnë që u dëgjua me veshë të mprehur. Po salla u ngrit me ulërima miratimi e me duartrokitje, kur u thashë:
- Nënat shqiptare janë më të mirat në botë! Por kanë veç një të metë:
pjellën më shumë kumandantë se ushtarë! Këto fjalë të arta të … Faikut të Madh, t'i vemë vëth në vesh!
Të nesmen ia mbatha për Nju Jork…
PELLUMB KULLA

Nga Atlantiku në Pacifik, me një Ford të vjetër


Të udhëtosh me një veturë ligavece, pe bregut të Atllantikut në atë të Pacifikut matanë, pa ditur as edhe njëzë frazë anglishte të pakëputur, vetëm Zikja mund ta bëjë! Vetëm një shqipo si ai, që është, o shumë i mbarë, o shumë i marrë!
Mezi ia pata mësuarë të ngiste veturën. Mezi ia patnë dhënë lejën të merrte në dorë timonin, në provim të shtatë, ngaqë në provimin e parë për patentë, i pat thyerë fenerët makinës të policisë rrugore që kish sjellë nja dy oficera, që do të vëzhgonin provimin!
Ama, me të marrë patentën, kish blerë për tetëqind dollarë një Ford të tetëdhjetedyshit, që nuku shihej me sy! Ish kaqë e varfër dhe e rrjepur vetura, sa i zoti i ri, sikurse dhe ay i vjetri, nuku e kyçte kurrë. Hajdutëve të veturave u therrnin sytë, sa herë u dilte përpara Fordi i Zikes dhe ndërronin drejtim, siç ndërrohet udhë, kur të del macja e zezë!
Zikja kish zgjedhur një targë nga ato që paguhen kripur, nga që shkruan në to ç’të do zemra. Do të shkruash “pirdhu”? Ashtu ta stampojnë e ta japin targën! Do që të shkruash “Na, prapanicën” që shoferët e tjerë të ta lexojnë kur t’i parakalosh? Po ama do të ta kuptojnë vetëm shqiptarët! Shkruaje, se amerikanët nuku zemërohen, se s’ta dinë gjuhën.
Kurse Zikja e kish bërë targën shprehje dashurie: e kish mbushur atë me një thes me gërma: MILKA BR 1991, pe të cilave, pesë të parat bënin emrin e së shoqes, dy të tjerat, kujtonin Beratin dhe numrat në bisht, shënonin vitin e martesës.
Brenda, makinës i punonin të tërë matësat, veç atij të shpejtësisë, që pat fiksuarë vetëm miljet që pat shkelur. Shifra kish mbetur aty tek 250 mijët. Veç nuku dihej, se kur kish pushuarë së numëruari, në cilin vit dhe nën cilin president.
Në Amerikë gjendet një kompani e madhe që shënohet me tri “A” të mëdha. Kjo “AAA”-ja të bën anëtar të sajin me pesëdhjetë dollarë dhe ka për borxh të të gjëndet pranë, sa herë mbetesh në rrugë. Vjen e ta ngre makinën me vinç e ta dorëzon në rregull, sa herë t’i telefonosh. Zikja u bë menjëherë anëtar dhe numërin e telefonit të asaj kompanie e thotë në gjumë e sipër mbi tri herë në natë, meqë ka raste që e thërret për ndihmë tri herë në ditë! Kompania “AAA” ka fitime të mëdha, sepse mbulon tërë Shtetet e Bashkuara dhe ka ajo ca anëtarë, që vdesin pa e thirrur asnjëherë. Llogaritë asaj filluan t’i prishen, që kur iu abonua Zikja.
Zikja e thërret kompaninë “AAA” edhe kur i bie goma. E ata të gjorët janë të detyruarë të vijnë. I thërret t’ia sjellin Fordin nga supermarketi, nga kinemaja, nga klinika e t’ia plasin në trotuar, para billdingut, ku e le të kalojë natën, ngaqë s’i gjen dot një strehim. Ka njerëz që kanë pare vinçat e “AAA”-së të vinë t’ia lëvizin makinën Zikes dhe nga trotuari që ka patur orar pastrimi, për t’ia shpënë në trotuarin karshi.
Ja, me këtë palo Ford, pa vajtur akoma asnjëherë në aeroport, rruga e parë e largët që mori përsipër të bëjë Zikja, ishte të çante Amerikën tejpërtej, nga Atllantiku në Pacifik. Që kur qe ndarë nga i kushuriri Nikollaqi, kish mbetur pa punë e pa mbështetje. I qe larguar kushos dhe desh t’i rrinte larg sa më tej.
- Më pret një shok në San Diego, - përsëriste. Ka në San Diego të Kalifornisë punë edhe për qorra, më thanë.
More de! Jo, do vete! More na, se do të bëhesh loloja i gazetave! Jo, do vete! E
po, prapa diellit! Në të sat’ëme vafsh! Akoma këtu ti,o?!
Një të vënë, i biri i botës, valixhet palë në bagazh, një të marrë e ngjeshur në sedilen pas, fustanët e së shoqes, nja pesë jastëkë me pupla dhe nja dy velenxe me thekë Tepelene; një të marrë Milkën, që pat veshur një rrobë kuq e zi, sikur do ngjiste Everestin në emër të Shqipërisë; një t’i plasur asaj mbi gjunjë një derro Atllas të Amerikës; një të ndezur radion, nga e cila nuku kuptonte një fjalë, as ai e as e shoqja; një të futur në folezë një kasetë, që kish vetëm këngën “Psherëtita, dolli flakë” e u nis.
U nis oreeee! Kur mos i kem tërë! “AAA”- ja qe ngritur në tërë Amerikën në gadishmëri numër një!
Zikja kish mbushur xhepet me monedha njëzetepesë centëshe, që të më merrte mua në telefon e ta ndihmoja, po të duhej të flisja si ndërmjetës me ndonjë amerikan gjatë rrugës. Dhe u bë erë.
Sapo Zikja kaloi tunelin e Linkolnit, ai ndaloi në një benzinatë e më bëri telefonatën e parë. Mua më dolli mbi ekran të telefonit prefiksi 201 dhe unë njoha shtetin e Nju Xhersit, pa ma thënë ai.
- Gjer këtu, mirë! – tha. Gjysmëora e parë, premton.
Prit, prit, thashë me vete, do të ta shoh bythkën më vonë. Janë tetë ditë rrugë për të bërë!
- Ecim si breshka, bre! Kështu, unë i bie ta zë Kaliforninë vitin që vjen! Sa kilometra i bie po ta ngasësh me dyqindenëntëdhjetepesë milje në orë? Le që ky Fordi im nuk i nxjerr dot aqë!…
- Do të të zerë policia, hajvan! Ç’punë ke me dyqindenënëtëdhjetepesën ti?
- Aqë thonë tabellat për shpejtësinë këtej!
- Nuk tregojnë shpejtësinë ato tabella, ore! Tregojnë numrin e autostradës.
- Ç’thua, mo! Mirë që nuku e provova. Do isha përmbysur.
Kish kaluar Nju Xhersin e të nesërmen nuku më harroi, po ma bëri thirrjen që pe një vendi diku andej nga Virxhinia.
- Alo?! Sapo u zgjuamë me Milkën, në një motel shumë të mirë. Tashi do vazhdojmë rrugën.
- Mbarë e paçi, - ia këtheva.
- Mos harroni të na bëni një vizitë në Kaliforni, Peçkë!
- Pse jo?! – thashë. Po arritët dot të vini ndonjëherë gjer atje, nuku ju lemë pa vizituarë!
Një ditë më pas, më telefonoi gjene prapë.
- Asnjë problem gjer tashi, - më tha.
- Po ç’problem do më shumë ti, mor gomar i *****! – i ulërita. Ti je kthyerë gjene në Nju Xhersi! Prefiksi i Nju Xhersit, më dolli tashi në ekran të cellularit!
Zikes sikur i ra pika.
- Vërtet, thua?!!! Po këtu autostradat dhe anët që i kufizojnë, bëhen tëra njëlloj, o u bëfsha tëmat! – ia bëri ay. Do jem ngatërruarë kur dola nga ajo benzinata e në vend që të merrja perëndim, mora gjene lindje! Ama po thoshja unë: çne, djelli, që mua gjer tashi më binte prapa qafës, nisi të më bjerë në sy! Ikë mo, se nuk do ta le pa blerë një busullë. Si i thonë busullës, o?
Dhe me një topkë busulle e me hartat e Shteteve të Bashkuara në prehër të Milkës, Zikja nisi të lundronte në hapësirën e gjërë, në fund të së cilës San Diegoja s’e kish hiç në defter këtë shqiptar kokëshkëmb.
Kaloi ai, pyje e shkretëtira, kapërceu ura, lumenj e thatësira, sa nuku pat parë në tërë jetën e tij!
Më merrte ndonjëherë në telefon, ky Kristofor Kollombi i San Diegos e më tregonte që kënga “Psherëtita, dolli flakë”, pas shtatë ditësh u qe mërzitur e pas kësaj radion e kishin mbyllur fare. Pa le që edhe hapur ta mbanin, as që do i kishin kuptuarë lajmet, që udhëzonin se për dy ditë, nuku duhej të dilte makinë në rrugë, se pritej një uragan, nga ata që kur shfryjnë, palosin katrash fshatrat e qytetet amerikanë, që gjejnë përpara. Ama, nuku shihte makinë atë mëngjes Zikja, as me sy e as nga pasqyrkat. I dukej sikur ajo autostradë qe, e tëra, e minuarë dhe ja-ja, do hidhej në erë! Zikja shtërngonte timonin, Milka bënte buzkat me të kuq e Fordi i vjetër hungërronte mbi xhade, nën një qiell të nxirë pus. Xhan-xhin, njeri përreth! Atyre u dukej sikur Amerika qe boshatisur e tëra, amerikanët ia kishin mbathur me soj e sorrollop dhe ua kishin lënë dorëzim kontinentin, Zikes e të shoqes! Patën bërë mënjanë në një benzinatë dhe u pat ardhur zemra në vend, kur kishin parë shitësin të zgjohej nga gjumi e t’u shërbente dyke u thënë ca fjalë, që as burri as gruaja nuku i kuptuanë. Në fund kur kishin ikur, ai shitësi paskësh zgjuarë dhe dy shokë të tjerë, që kishin shfaqur sytë e çakarritur prapa xhamave. Ata kishin ndjekur me lebeti Fordin, gjer sa xbriti udhishten e u fut gjene në autostradë, me hundë drejt Kalifornisë.
Pika që s’u bie, sikur nuku kanë parë femër këtyre viseve! – ia kish bërë Milka dyke nxjerrë pasqyrkën e saj për të shpjeguarë se çfarë ishin ato vështrimet me sy të shqyer të amerikanëve, që nuku guxonin të dilnin përjashta.
Pas kësaj pat filluarë dasma, uragani që pritej. Një erë e marrë ua kish ngritur një herë maqinën nga një krah, pastaj ua kish mbërthyerë mu në mes të autostradës, kur u kish plasur kryq mu te parakolpi trupat e dy palmave të mëdha. Milka pat ulëritur si e lojtur, kurse Zikja pat mallkuarë ditën që patën marrë vizat amerikane.
Beratasi i gjorë rrëfente, se si u kish rënë përsipër një qilim i lagur që era e tërbuarë e pat rrëmbyer me frymën e saj nga ndonjë shtëpi e rrafshuarë. Qilimi u kish zënë të tëra xhamat dhe që nga ay çast, i ziu burrë, shikonte vetëm sytë e çapluarë të gruas.
Se sa kish zgjatur kjo katrahurë, asnjëri pe tyre nuk e mbante mend. Njeriu u mësuake me llahtarën. Kjo kishte qenë për ta nata më e gjatë amerikane, se rrëshqitjet e dheut kishin sjellë një baltë të hollë rreth e qark Fordit të Zikes dhe niveli i saj qe ngritur mbi çati të makinës.
Ditën e tretë i pat nxjerrë nga balta një vinç i policisë rrugore. Ata kishin hapur dyertë dhe kishin gjetur çiftin tonë në një gjëndje, që nuku e imagjinonin dot: gruaja bënte buzët me të kuq, kurse burri pat ulur volumin e një kënge të panjohur beratase dhe u kish thënë atyre të ndihmës së shpejtë:
- No inglish!
Ishin habitur Zikja me Milkën, se si qenë mbledhur aty menjëherë një ushtëri e tërë gazetarësh, kamera të televizionit, me vinçierë të “AAA”-së dhe përfaqësuesa të prodhimit të Fordit. Gazetarët rriheshin me grushte, kush e kush t’i afrohej atij Fordit të vogël, me ngjyrë të zezë.
Mua më ra telefoni, sapo Zikja u kish zgjatur policëve numërin tim të cellularit.
I përktheva të tëra, ç’u thosh Zikja: që kish ardhur me rrugë legale, që nuku gjente dot punë në Nju Jork dhe i kishin premtuarë në San Diego, që Fordin e kish të blerë nga një që do ta hidhte dhe nga gjërat e makinës, të prodhuar pas tetëdhjetedyshit, kish vetëm patentën.
Zhurma që dëgjoja në cellular, po bëhej gjithnjë edhe më e madhe. Zikja, ja ai teleshmeni, që mezi kish marrë patentën dhe kish nisur tërë atë rrugë, si i lojtur që ish, si pa dashur, qe bërë i famshmë. Tërë gazetat e muarë dhe e vunë në faqe të parë aventurën e beratasit, që psherëtiu sa psherëtiu, po vërtet nxorri flakë, ama! Titujt e gazetave të vrisnin sytë nga gërmat e mëdha: COAST TO COAST!, që do të thotë “pe bregut në breg!” Ky titull u vinte i pari në mend tërë gazetarëve, për të përshkruarë odhisenë e atij shqiptarit, i cili për të gjetur punë, çau Amerikën mes për mes.
“AAA”-ja e bëri Ziken anëtar nderi të përjetshmë, pa pagesë. Në makinën e vjetër, që tregonte veç ato 250 mijë miljet e para, megjithë baltën që e kish mbuluarë, nuku pat hyrë as një currilkë uji dhe motori u ndez me të shkrepurën e parë. Nuku kish rekllamë më të mirë për Fordin dhe firma e shfrytëzoi! Qendra e prodhimit i dhuroi Zikes një veturë të re, akull dhe - ajo më e madhja - bordi drejtues i kompanisë vendosi të financonte një film mbi këtë ngjarje, për një emigrant që çan Amerikën me një Ford të vjetër. Zikja u kish kërkuarë të luanin në film, tok me Milkën rolet e tyre, por ata u kishin thënë që nuku bënin për këtë punë. Demek, ju e bëtë këtë punë, po ajo aventurë tashi u ka lezet artistëve të Kalifornisë, Tom Hanksit me shokë! Zikja i kish sharë nga nëna ç’mbanin pragjet e Hollivudit, po sa para bënte! Ia mbyllën sqepin me Fordin e ri!
Edhe Milka nuku mbeti duarbosh. Një firmë e madhe kozmetike i dërgoi njëmijë kalema buzësh dhe i premtoi, që cilido të qe prodhim i parë i firmës, do kalonte menjëherë falas mbi tryezat e nuses pe Berati.
Po hë bre, nuku të vjen të pëlcaç?! Një i mënçur nuku e bën kurrë punën që bën budallai! E prandaj të mënçurit mbeten trokë. Me një të lëvizur të bishtit, fati i fali Zikes shtëpi, punë e makinë. E po çfarë do më shumë një shqiptar normal, që merr rrugën e mërgimit?!
Nuku bien në tokë Zikja me Milkën! Unë e mora nja dy herë në telefon Ziken, po ai nuku ma zgjati shumë, se e prisnin kamerat, për intervista! E po të kesh dy barqe: një ta çash e një ta mbash, se të duhet! Tani unë nuku i bie më numërit të tij, se Zikja vajti lart shumë! E kur shokët e mij venë lart… Vuaj ca unë, kur më bëhen shokët të famshmë!
Të fundit herë që i bëra një zile, më kërkoi ndjesë, se kish një punë, që nuku priste.
- E po, Zike, gurë zënç me dorë, florinj t’u bëfshin! – i thashë dhe po mbyllja telefonin me një të sharë nëpër dhëmbë.
- Çfarë the ashtu, çfarë? – nxitoi të më pyeste, me një nuhatje pe qeni. Më shave, a?
- Po, - ia ktheva. Një çiçkë!
- Pa thuaje gjene!
- Në të sat’ëme, të veç!
Dhe ia përplasa telefonin me një inat që, kur mos i kem tërë, akoma nuku më ka dalë!